LAJMI I FUNDIT:

Maliqi: Kosova, të dhënat gjeohapësinore dhe përvoja amerikane

Maliqi: Kosova, të dhënat gjeohapësinore dhe përvoja amerikane

Dr.sc.Edon Maliqi, Profesor i Hartografisë dhe Gjeoinformatikës, bënë një ndërlidhje specifike të Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Hapësinore (IKDhH) dhe përvojës me të dhëna gjeohapësinore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në këtë dimension, ai gjithashtu trajton edhe Kosovën dhe rrugën që do të duhej të ndiqte Kosova në funksion të zhvillimit, përdorimit dhe përsosjes së IKDhH.

 Që nga fillimi i viteve 1990, ka filluar të artikulohet koncepti i Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Hapësinore (IKDhH). Ndërsa më 1994, kur Presidenti Clinton e përdori këtë emër për të titulluar urdhrin e tij ekzekutiv për të krijuar Infrastrukturën Kombëtare të të Dhënave Hapësinore (IKDhH) në SHBA është emërtuar National Spatial Data Infrastructure (NSDI),


Infrastruktura Kombëtare e të Dhënave Hapësinore (NSDI) përshkruhet nga Urdhri Ekzekutiv 12906 “Coordinating Geographic Data Acquisition and Access” si “teknologjia, politikat, standardet dhe burimet njerëzore të nevojshme për të mbledhur, përpunuar, ruajtur, shpërndarë dhe përmirësuar përdorimin e të dhënave gjeohapësinore.”

Andaj, mund të thuhet që ky urdhër i Presidentit Clinton, nis një epokë të re, pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të shohin të dhënat si infrastrukturë, e që kjo infrastrukturë e të dhënave hapësinore mendohej të shërbente si bazë për rritje ekonomike dhe integritet mjedisor.

Prandaj ky shkrim imi përshkruan strukturën aktuale të qeverisjes gjeohapësinore në Shtetet e Bashkuara, diskuton problemet aktuale dhe provon të përdorë përvojën e Shteteve të Bashkuara si referencë për të reflektuar në atë drejtim edhe Republika e Kosovës.

Në shtetet e Bashkuara të Amerikës “The Federal Geographic Data Committee (FGDC)”, ka për obligim të koordinojë zhvillimin dhe mirëmbajtjen e IKDhH.

“The Federal Geographic Data Committee (FGDC)”, thotë se IKDhH ka për mision të investojë në krijimin dhe sigurimin e të dhënave dhe njohurive gjeohapësinore të nevojshme për të kuptuar, mbrojtur dhe promovuar interesat tona kombëtare dhe globale.  Por IKDhH shpesh nuk plotëson nevojat e qeverisë shtetërore ose lokale, e aq më pak atë të sektorit privat ose OJQ-ve.

Në qershor 2009, ishte publikuar një raport i quajtur Informacioni Gjeohapësinor dhe Sistemet e Informacionit Gjeografik (GIS): Çështjet aktuale dhe sfidat e së ardhmes. Raporti përpiqej të adresonte pyetjet “sa me efektshmëri [është] FGDC duke përmbushur misionin e tij” dhe “si koordinon qeveria federale me shtetin dhe entitetet lokale”. Kur IKDhH u krijua më 1994 nga urdhri ekzekutiv (12906) i Presidentit Clinton, qëllimi i tij ishte të “mbështeste zbatime publike dhe private të të dhënave gjeohapësinore në zona të tilla si transporti, zhvillimi i komunitetit, bujqësia, reagimi i emergjencave, menaxhimi i mjedisit dhe teknologjia e informacionit”.  Më 2003, Presidenti Bush lëshoi një urdhër tjetër ekzekutiv (13286), për zhvillim të IKDhH me një rol të veçantë edhe në sigurinë kombëtare. Ndërsa më 2013, Presidenti Obama firmosi urdhrin ekzekutiv për hapjen e të dhënave (Projekti “Open Data”), që përveç tjerash, për qëllim kishte të përmirësonte koordinimin, të zvogëlonte dyfishimin si dhe rritjen e transparencës në grumbullimin e të dhënave gjeohapësinore.

Si e tillë, Infrastruktura Kombëtare e të Dhënave Hapësinore (IKDhH) u parashikua si një mënyrë për të rritur mundësinë e arritjes, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore për të mbështetur një larmi vendimesh në të gjitha nivelet e shoqërisë. Ajo ka për qëllim të zvogëlojë  tepricat në krijimin dhe mirëmbajtjen e të dhënave gjeohapësinore, uljen e kostove të krijimit dhe mirëmbajtjen e të dhënave gjeohapësinore, përmirësimin e qasjes në të dhënat e tilla dhe përmirësimin e saktësisë së të dhënave gjeohapësinore të përdorura nga komuniteti i gjerë. Thënë më qartë, ky koncept – IKDhH, nënkupton që në themelin e saj është koncepti i partneriteteve ose i bashkëpunimeve ndërmjet agjencive, korporatave, institucioneve dhe niveleve të ndryshme të qeverisjes. Prandaj, koncepti i partneriteteve u ndërtua në themel të përgjegjësive të përbashkëta, kostove të ndara, përfitimeve të përbashkëta dhe kontrollit të përbashkët. Partneritetet janë krijuar për të ndarë kostot e krijimit dhe mirëmbajtjes së të dhënave gjeohapësinore, duke kërkuar të shmangin dyfishimet e panevojshme dhe të bëjnë të mundur që të dhënat e mbledhura nga një institucion/agjenci me një saktësi të lartë të detajeve gjeohapësinore të përdoren nga një institucion/agjenci tjetër në një formë më të përgjithësuar.

Sot, IKDhH është bërë një mjet i rëndësishëm për lehtësimin e zhvillimit të të dhënave të vazhdueshme, ndarjen e informacionit dhe vendimmarrjen bashkëpunuese në shumë sektorë të ekonomisë.

Prandaj, Republika e Kosovës, më saktësisht institucionet përgjegjëse që grumbullojnë e zhvillojnë të dhëna gjeohapësinore, në funksion të krijimit të një vizioni të qartë e të qëndrueshëm, duhet studiuar me kujdes përvojën amerikane, në mënyrë që të ec drejt një modeli të shtetit të suksesshëm e që të nxjerr rekomandime, që gjërat në nivelin shtetëror e kombëtar të bëhen ndryshe nga qasja aktuale.