LAJMI I FUNDIT:

Lojëra pa top në dëm të kombit

Lojëra pa top në dëm të kombit

Ndodhi ashtu si pritej të ndodhte, nëse do mundoheshe të shihje përtej futbollit të suksesshëm kombëtar në Evropianin e Francës dhe përfshirjes së Kosovës në federatat kontinentale dhe botërore. U shfaqën polemika të reja për një temë të lidhur me futbollin që krijon shumë fansa, shumë klike, shumë popullaritet, por dhe dëme të mëdha.

Ngjarja më e fundit që shpërtheu polemikat e para (me gjasë do ketë shumë të tjera), ishte vendimi i talentit të madh, shqiptarit të Kosovës, Milot Rashica, për të kaluar nga kombëtarja e Shqipërisë, te përfaqësuesja e Kosovës. Një kalim kaq i bujshëm po menaxhohet shkëlqyeshëm nga njerëzit e federatës së Kosovës.


Disa portale, me gjasë sipas një strategjie të këtyre njerëzve, po lëshojnë qëllimisht dhe emra lojtarësh të tjerë të mëdhenj që janë bërë gati t’i bashkëngjiten ekipit të ri. Gjithë portalet e botës shqiptare, pa konfirmimet e të interesuarve të drejtpërdrejtë, riprodhojnë lajmin duke zmadhuar zhurmën. Në një zhurmë të llogaritur si kjo, le të ndikohet kush të ndikohet: nëse jo lojtarë të mëdhenj, edhe të mesëm mund të zgjedhin Kosovën. Trajneri Bunjaku thotë se ka zgjedhur heshtjen deri në grumbullimin shumë të afërt në pritje të ndeshjes së parë historike të shtatorit, por me plot të drejtë ai po fërkon duart.

E gjithë kjo lojë, rreth futbollit të Kosovës, nuk ka vetëm pasoja sportive. Por, dhe kombëtare. Shumë janë të mira. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të merret me pasojat sportive të këtyre zgjedhjeve personale, apo të paragjykojë zgjedhjet e lira të individëve sportistë. Këto zgjedhje individuale – të Rashicës, Mehës, Ramës apo kujtdo tjetër, pavarësisht motiveve ngushtësisht personale, sentimentale, apo komerciale, janë zgjedhje, të cilat në të gjitha rastet i shërbejnë forcimit të imazhit kombëtar shqiptar pa dallim – Kosovë apo Shqipëri.

Nëse prej sportit, xhudos, futbollit përmirësohet imazhi i Kosovës, si pasojë përfiton dhe imazhi i kombit në tërësi. Në këtë këndvështrim, ato thjesht duhen përshëndetur dhe jo qortuar, diçka që krijon presion të padobishëm mbi djem të rinj, të cilët nuk janë mësuar me këtë lloj presioni. Për analizën e pasojave sportive, ka boll ekspertë të vërtetë dhe të rremë në të dy anët e kufirit ndërshqiptar.

Ajo që mund të kuptohet nga josportistët megjithatë është një diçka e sigurt. Midis dy federatave nuk ngjan se ka pasur një marrëveshje solide, e cila, për shembull, të garantonte se 26 lojtarët e ekipit kombëtar të Shqipërisë që u grumbulluan para Francës, nuk do të prekeshin nga eksodi i dy krahëve. Marrëveshja rreth kësaj pike do ishte një zgjidhje e drejtë dhe e ndershme: kështu ky ekip nuk do cenohej dhe do të ruhej njëlloj vijueshmërie normale e ekipit tonë kombëtar pas Francës, pa e dëmtuar Kosovën.

Në këtë lutje, apo dëshirë dhe aspiratë për të mos e prekur ekipin që u përgatit në Francë, ka një konsideratë josportive. Pikërisht ai ekip, me gjithë kritikat e ekspertëve sportivë të vërtetë apo të rrejshëm, për mungesat, thirrjet e gabuara apo të sakta të lojtarëve, është monumenti më i gjallë i ringjalljes së identitetit kombëtar, i njëlloj mrekullie historike.

Në euforinë e rezultateve të tij, unë bëra paralelizëm madje me mrekullinë e Bernës, domethënë ringjalljen kombëtare të Gjermanisë së rrënuar nga lufta, pas fitores së Botërorit në futboll. Shqipëria nuk fitoi ndonjë botëror si Gjermania, por imazhi i saj ndryshoi pozitivisht, rrënjësisht dhe botërisht. Që të arrihej një ringjallje e ngjashme, pas futbollit dhe suksesit të tij do të duhej të qëndronte dhe një mobilizim i përgjithshëm shoqëror dhe politik, por kjo nuk u pa. Ai ekip e personifikoi kolektivisht minimrekullinë shqiptare, ndaj ekziston një ndjeshmëri që ai ekip të mos prekej. Dhe ikja e Rashicës, që nuk shkoi dot në Francë me të drejtë apo pa të drejtë, megjithatë e cenon tërësinë e atij grupi që gatoi suksesin e Francës.

Por, përtej këtij këndi shikimi, problemet nuk qëndrojnë vetëm te sporti, por te loja që krijon ai si guri në ujë në rrethet e tjera të aktivizmit shoqëror dhe politik e si pasojë dhe te masat, te popullsitë shqiptare në gjithë hapësirën. Ashtu si pritej, për shkak se sporti, komentet rreth tij krijojnë lajm, zhurmë, vëmendje, jehonë, mbi veprimin e Rashicës si lojtari më i spikatur prej atyre që zgjodhën Kosovën, mbi veprimin e tij, nuk vonuan të mobilizoheshin pena të kualifikuara dhe jo të tilla.

Brenda një atmosfere të kuptueshme për lajme kësisoj, retorika e fortë nuk kursehet, në kërkim të popullaritetit maksimal. Por, jo gjithmonë kjo lloj opinionbërje shumë e fuqishme i shërben bashkimit. Dhe, ky është problemi më i madh apo pasoja më e madhe e një akti sportiv, ngushtësisht individual.

Ja përse. Kombëtarja e futbollit, që me Francën arriti suksesin më të madh, ishte pa dyshim meritorja dhe shërbyesja më e madhe e bashkimit kombëtar. Ajo e bëri këtë me vetëdije apo pa vetëdije nëpërmjet krijimit të një ndjenje të fortë të identitetit kombëtar te të rinjtë shqiptarë kudo që ata jetojnë, madje dhe në diasporë. Të rinjtë veçanërisht nuk njohin historinë për të gjetur tek ajo motive krenarie në një botë në lëvizje që nuk njeh kufij, ama te sporti i gjetën lehtësisht dhe suksesshëm.

Suksesi i Francës mobilizoi te të rinjtë, por jo vetëm tek ata, kërkimin e të përbashkëtave të kombit, pavarësisht diferencave dialektale, në sjellje, apo dy shteteve ku jetojnë shqiptarët. Këngëtarja Dua Lipa vendosi të vinte në Kosovë dhe në Shqipëri, pas suksesit të futbollit, dhe këto ngjarje kanë njëlloj lidhjeje mes tyre.

Një frymë e tillë përbashkuese si ortek e forcuar prej mesazheve të futbollistëve që janë aktivë si Cana dhe ndonjë tjetër, krijojnë atmosferën më të mirë të presionit te politika e të dy krahëve që t’u shërbejë interesave kombëtarë, duke filluar nga ekonomia. Mjerisht, veprimi pa faj i Rashicës, lojërat pa top të elitave sportive të dy krahëve në kërkim të sukseseve të grupeve që menaxhojnë financiarisht, protagonizmat e atyre që nuk e durojnë dot “superioritetin intelektual që vjen nga Tirana”, apo “superioritetin sportiv dhe artistik që vjen nga Prishtina”, mund të krijojnë një frymë ndarëse mes dy pjesëve të kombit.

Në artikuj të goditur stilistikisht, por dhe në stuhi Facebooku, do të kërkohen me vrull dhe tërbim diferencat mes pjesëve të kombit. Mund të krijohen ngjarje të reja ndarëse dhe fajtorë të rinj pa faj. Elitat ekonomike që nuk e duan bashkimin kombëtar do fërkojnë duart. Politikanë të caktuar në emër të përvetësimit të kostumit të suksesit sportiv në të dy krahët do shërbejnë akoma dhe më shumë për ndarjen. E një skenar si ky do parandaluar. Me mjete sportive dhe josportive. Kombi shqiptar është shumë i vogël për të prodhuar kombe të tjerë të vegjël, nisur nga sporti.