LAJMI I FUNDIT:

Loja e fundit gjeopolitike e Turqisë

Loja e fundit gjeopolitike e Turqisë

Ditët e fundit Turqia ka nisur një ndërhyrje ushtarake në Siri, duke i dhënë konfliktit sirian një dimension tjetër. Operacioni në fjalë quhet – ironikisht – “Dega e ullirit”, dhe Turqia aktualisht ka sulmuar pjesën veriperëndimore të Sirisë, një zonë e quajtur Afrin, e cila është tani pjesë e krahinës autonome – de facto – të Rojavas. Ky rajon, nën udhëheqjen e forcave kurde “YPG” (“Forcat e Mbrojtjes Popullore”) – të mbështetura nga SHBA – fitoi autonominë në vitin 2012, në teatrin e luftës civile siriane.

Këto forca Turqia i ka konsideruar si pjesë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, një grupim terrorist i pranuar ndërkombëtarisht, dhe ka ndjekur një vijë të ashpër kundër tyre, me qëllim që të ndalojë krijimin e një shteti kurd në kufirin e saj jugor me Sirinë. Kundër këtij rajoni, përpara ndërhyrjes ushtarake të ditëve të fundit, Turqia, veç operacioneve të herëpashershme, ka vendosur bllokadë ekonomike dhe izolim ndërkombëtar, për ta dobësuar sa më shumë.


Duke marrë shtysë nga kjo lëvizje e turqve, ky shkrim ka në fokus që të hedhë dritë mbi sjelljen e Turqisë përkundrejt tri fuqive të tjera të huaja që kanë interesa në rajon: Rusia, Irani dhe SHBA.

Në fakt, Turqia zyrtare kishte deklaruar se nuk synonte përfshirjen në konflikt të drejtpërdrejtë dhe pushtimin ushtarak të territorit sirian, për shkak se nuk donte të bëhej pjesë e “mishmashit” sirian. Për të rrëzuar Assadin, Turqia ka mbështetur publikisht grupe të caktuara, por, kur u provua se qeveria siriane e mbajti pushtetin, atëherë ajo bëri marrëveshje me Rusinë dhe Iranin – duke anashkaluar SHBA-në – për të garantuar interesat saj përmes diplomacisë. Në këto kushte u krijua “Trojka e Astanës” – një aleancë mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë, si garantuese të një marrëveshjeje armëpushimi në Siri. Kjo “Trojkë” nuk mund të funksiononte, për shkak të interesave të ndryshme të palëve: Turqia mbështet rebelët antiqeveritarë, por jo kurdët; Rusia dhe Irani mbështesin regjimin e Assadit.

Sulmi në Afrin kishte në njëfarë mënyre miratimin e Rusisë, pavarësisht ngurrimit të kësaj të fundit. Turqia kërkoi paraprakisht që Rusia të tërhiqte një grup ushtarësh që kishte stacionuar në rajon, dhe që Rusia të lejonte përdorimin e hapësirës ajrore nga aviacioni turk. Pa miratimin e këtyre kërkesave, Turqia nuk mund të vepronte. Kjo tregon peshën e madhe që ka fituar Rusia në Siri. Pavarësisht “marrëveshjes” së mësipërme, duhet theksuar se Turqia dhe Rusia e kanë të vështirë të jenë aleate. Turqia nuk përballet me Rusinë vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe më gjerë: Ballkan dhe Kaukaz. Në Siri, mbajtja e regjimit të Assadit forcon Rusinë dhe dobëson Turqinë. Nga ana tjetër, Turqia ndërhyri në Afrin, për të reduktuar sferën ruse të influencës në Siri.

Më tej, Irani, ashtu si Rusia, kërkon që Assadi të jetë në fuqi, por jo për arsyen e Rusisë (përshkruar për lart). Irani e ka shprehur qartë se kërkon të dominojë rajonin. Këtë synim, Irani nuk mund ta përmbushë pa pasur nën kontroll Irakun, Sirinë dhe Libanin (shto edhe Jemenin), për të cilët ka nevojë edhe në “Luftën e Ftohtë” që po zhvillon kundër Arabisë Saudite. Në këtë rrip gjeopolitik, Siria është ura lidhëse e Iranit me Mesdheun, ndaj humbja e dominimit mbi Siri, do ta dëmtonte pa masë. Deri tani duket se Irani e ka arritur këtë objektiv, por sulmin turk në Afrin Irani e kundërshton, për shkak të kërcënimit dhe presionit turk ndaj Assadit. Nëse Turqia vendos të shtrihet (pushtojë) më tej, Irani ka frikë se mos ajo i ndërpret daljen në Mesdhe.

Së treti, SHBA konsiderohet si tepër e shpërfillur në operacionin e fundit turk. SHBA, që në fillim të luftës civile siriane, ka armatosur forcat kurde, gjë që ka trazuar politikën turke. Kjo lloj “trazire” u pa edhe në fund të vitit të kaluar kur “Kurdistani irakian” shpalli pavarësinë, dhe më pas u tërhoq nga kjo përpjekje pas presionit turk dhe iranian (në këtë përplasje, kurdët e Irakut deklaruan se kishin mbështetjen e SHBA, gjë që në realitet nuk ndodhi). Në sulmin mbi Afrin, SHBA nuk mbrojti grupimin që e ka financuar prej vitesh, por është mjaftuar vetëm me dënimin e agresionit.

Turqia, në bashkëpunim me Iranin dhe Rusinë, ka synuar tërheqjen amerikane nga Siria: ky ka qenë edhe një ndër objektivat strategjikë të “Trojkës së Astanës”. Ndoshta ky objektiv po arrihet, duke parë mosreagimin amerikan. Interesat e Iranit dhe Rusisë bien ndesh me ata amerikanë në lidhje me të ardhmen e Sirisë dhe gjithashtu, kanë për qëllim reduktimin e prestigjit të SHBA si superfuqi. Turqia, ndonëse me interesa të njëjtë me ata amerikanë për rrëzimin e Assadit, e konsideron praninë amerikane në rajon si forcim i elementit kurd, gjë që përbën kërcënim ekzistencial për Turqinë.

Si përfundim, në këtë lojë me disa aktorë të fuqishëm, Turqia i ka tejkaluar “frenimet” e status quo-së së dikurshme, madje kapërcen edhe “pengesat” që rrjedhin nga anëtarësia në NATO, dhe vepron në përputhje me interesat e vetë, duke shpalosur realpolitikë të pastër.