Nga: Daut Dauti (pjesë nga kapitulli II i librit “Britania dhe çështja shqiptare gjatë rënies së Perandorisë Otomane”, që ka të bëjë me reflektimin e Lidhjes së Prizrenit dhe Kongresit të Berlinit në diplomacinë, politikën dhe opinionin britanik)
… Edhe pse Disraeli dhe Gladstone kishin ndarë mendjen dhe kishin marrë pozitë ndaj rastit të shqiptarëve, procesi vendimmarrës në Londër varej nga informatat që vinin nga terreni. Ky komunikim qarkullonte në trekëndëshin Londër, Stamboll dhe Shkodër. Kohë pas kohe dhe, varësisht sipas situatës dhe rrethanave në Shqipëri dhe në vendet fqinje, dërgoheshin diplomatë tjerë dhe konsuj britanikë apo edhe misione ushtarake ad hoc si pjesë e këtij procesi.
Raportime të ndryshme që u dërguan nga ambasadorët Layard, Goschen dhe Fitzmaurice nga Stambolli, krijuan një ndikim në Londër. Ata e kuptuan veçantinë e situatës së shqiptarëve dhe kërkuan nga eprorët e tyre në Londër që të gjenin zgjidhje përkatëse. Në disa raste këta ushtruan influencë të konsiderueshme. P.sh. është shumë e mundshme që Fitzmaurice dhe Goschen ishin ata që e bindën Gladstonein se një pjesë e Epirit, së bashku me Janinën që ishte si qendër, të mos i jepej Greqisë. Deri në një masë kjo ishte pozita që e mbante Disraeli, i cili, edhe pse e kuptonte situatën, raportimet e Layardit i ndihmuan në situata të veçanta kur kishte të bënte me Fuqitë e Mëdha. Në vitin 1881 iniciativa e Goschenit dhe Fitzmauriceit, që kërkonte krijimin e një Shqipëria autonome ose të pavarur, u venit. Arsyeja e braktisjes së kësaj iniciative nuk ishte ditur për një kohë të gjatë. Edith Durham, për të cilën do të diskutojmë më vonë, disa dekada më vonë e zbuloi arsyen. Durham ishte shoqëruar me Lord Fitzmauricein, i cili e kishte vazhduar interesimin e tij për Shqipërinë edhe pas kryerjes së funksionit zyrtar. Në një ligjëratë që Durham mbajti në shkurt të vitit 1941 në Royal Institution of Great Britain, i tregoi audiencës se Evropa e kishte trajtuar Shqipërinë me paragjykime për shkak të religjionit.
Lordi Fitzmaurice ishte liberal, por në çështjen e Shqipërisë ai nuk u pajtua me Gladstonein dhe shumicën e anëtarëve të partisë së tij. Fitzmaurice bëri me dije se animi religjioz ishte shkaku që e pengoi çështjen shqiptare që të merrte simpati në opinionin britanik. Ai vlerësonte se si pasojë e kësaj, opinioni britanik nuk i bënte presion qeverisë që të adoptonte politika në dobi të shqiptarëve.
Situata ishte ndryshe me përfaqësuesit diplomatikë dhe konsullorë që shërbenin në territorin e Shqipërisë. Kirby Green në Shkodër dhe St. John në Prizren, duke pasur status më të ulët, patën ndikim më të vogël në Londër. Ata nuk shprehën simpati për shqiptarët dhe kauzën e tyre kombëtare. Në raportimet e tyre ata shpesh krijonin konfuzion, duke i quajtur shqiptarët si arnautë, myslimanë, madje edhe turq.
Kirby Green kishte rënë nën influencën e konsullit austro-hungarez, Lipichit, i cili ishte me origjinë sllave dhe i favorizonte malazezët dhe serbët. Shqiptarët ishin në dijeni të këtij fakti dhe nuk kishin shumë respekt për te. Ishte e ditur publikisht që Greenit nuk i pëlqenin shqiptarët dhe qëndrimi i tyre luftarak. Detyra e tij ishte që t’i bindte shqiptarët që të heqin dorë nga ideja që kishin për autonomi apo pavarësi. Më tutje, konsulli duhej t’i dekurajonte shqiptarët nga veprimet luftarake kundër Portës dhe malazezëve dhe që t’ju nënshtroheshin vendimeve dhe urdhrave të Fuqive të Mëdha. Kur Lidhja Shqiptare qe themeluar, ai e vlerësoi këtë organizatë si tërësisht myslimane dhe fanatike dhe nuk e ndërroi mendjen edhe kur e mori vesh se në te anëtarësoheshin me numër të madh edhe shqiptarët katolikë. Kur një gazetar britanik e pyeti për qendrën politike dhe karakteristikat themelore të Lidhjes, Green u përgjigj:
“Prizreni, më lejo të të tregoj, selia e Lidhjes Shqiptare, një organizatë e myslimanëve më fanatikë në këtë vend, qëllimi i të cilëve është që t’i rezistojnë me fuqinë e armëve depërtimit të Austrisë dhe kërkesave malazeze”.
Kirby Green ishte, po ashtu i bindur se Lidhja paraqiste krijesë otomane dhe mezi e ndërroi mendjen kur shqiptarët e kundërshtuan Portën ushtarakisht. Diplomatët britanikë në Stamboll nuk ishin gjithmonë të kënaqur me punën e Greenit në Shqipëri dhe Mal të Zi. Me 18 prill 1880, Count Corti i kishte thënë Layardit se do të ankohej te Qeveria britanike për shkak se Kirby Green, në mënyrë të panevojshme, i kishte penguar negociatat për kufirin. Sipas fjalëve të Layardit, “Green e kishte ndarë mendjen që nga fillimi se ndërrimi i territoreve nuk mund të bëhej dhe nuk është vërejtur se ka barë ndonjë gjë për ta promovuar.”
Green e bindi Londrën që ta pranonte planin e aneksimit të Ulqinit që njihej edhe me emrin Marrëveshja e Ulqinit, për të cilën gjë e mori edhe përkrahjen e kolegut të tij austro-hungarez, Lipichit. Megjithatë, Green nuk i shihte shqiptarët të organizuar si komb dhe kurrë nuk u pajtua që veprimet e tyre ishin rezultat i nacionalizmit. Green i kishte shprehur disa herë mendimet e tija për këtë çështje. Gjatë kohës kur përgatitej marrëveshja për Ulqinin, Dervish Pasha e qarkullonte një raport në Shkodër që thoshte se Green qëndronte pas trazirave që i shkaktonin shqiptarët. Në atë kohë Green ishte në Mal të Zi për vizitë dhe pasha kërkoi nga Porta që t’ia ndalonte kthimin në postin e tij në Shkodër. Green, i brengosur për pozitën dhe reputacionin e tij, i shkroi Earl Granvilleit për ta sqaruar veten:
“Shpesh kam pasur rastin që t’i raportoj zotërisë suaj për lindjen dhe zhvillimin e Lidhjes Shqiptare dhe ua kam tërhequr vërejtjen për pasojat e tanishme, sa që këtu, thjeshtë, do të them në mënyrë kategorike se valinjtë turq, Husein Pasha dhe Nazif Pasha, pra, jo të huajt, e kanë formuar Lidhjen me zyrtarë dhe fisnikë të punësuar në [pushtetin] otoman të cilët kanë qenë jashtë influencës së të huajve”.
Goscheni e kishte lexuar raportin e Greenit dhe nuk e kishte lënë pa përgjigje. Ai ishte i vendosur që ta diskreditonte raportin e Greenit dhe influencën eventuale që mund ta krijonte për këtë çështje në Foreign Office dhe në qeverinë britanike. Prandaj, Goschen me shpejtësi e këshilloi sekretarin e Jashtëm:
“Më duhet të them se nuk pajtohem me mendimet e tij [Green], të cilat në mënyrë të përhershme i drejtohen lëvizjes shqiptare. Në mendimin tim, ai ka dështuar që t’i njoh tendencat e fuqishme kombëtare që janë zhvilluar dhe i ka dhënë vetes mund të madh për të treguar se Lidhja nuk është rezultat i sentimentit nacional, por është makinacion i thjeshtë i Portës. Sa i përket Lidhjes Shqiptare, është e vërtetë se klika e pallatit në Stamboll, kohë pas kohe, ka luajtur një lojë shumë të rrezikshme. Unë, që nga fillimi, kam pasur përshtypje se ndjenja e nacionalitetit shqiptar ka ekzistuar dhe ky fakt duhet të merret në konsiderim si faktor i fuqishëm i krizës së tanishme. Pikëpamja ime dallon nga ajo e z. Kirby Green dhe sikur fjala [urdhri] të ishte dhënë vetëm nga Stambolli, gjithçka do të ishte në rregull”.
Reformat administrative dhe politike në vilajetet e Shqipërisë që u përmendën më lart nga Goscheni, por që u sugjeruan edhe nga diplomatët tjerë dhe zyrtarë të Foreign Officeit dhe për të cilat pati një pajtueshmëri deri në një shkallë edhe nga shumica e Fuqive, nuk inicoheshin nga Porta.
Green nuk e shihte këtë fakt si brengosje. St. John, në dërgesat e tija nga Prizreni, shpesh e alarmonte Londrën se Lidhja Shqiptare ishte në prag të masakrimit të popullatës së krishterë. Është e vërtetë se kishte raste kur të krishterët keqtrajtoheshin nga refugjatët e dëshpëruar shqiptarë dhe bashibozukët e egërsuar. Por, masakrat e parashikuara nga St. John kurrë nuk ndodhën dhe ai kurrë nuk e informoi Londrën se plani i Lidhjes Shqiptare ishte që ta mbronte popullatën e krishterë. Ai nuk e pranonte ekzistencën e Lidhjes, kurse udhëheqësit e saj i quante prijës të fiseve. Ai, po ashtu, dërgoi informata jokorrekte për numrin e fshatrave shqiptare rreth kufirit me Malin e Zi dhe religjionin e tyre.
Në fund të korrikut 1880, Fitzmaurice u ankua në Londër kundër St. Johnit, i cili po dërgonte raportime kontradiktore, të cilat tërësisht i injoronin shqiptarët në Kosovë. St. John në raportimet e tija sugjeroi që Kosova ishte rajon serb dhe i banuar në mënyrë dominuese nga serbët. Ai e quajti Kosovën ‘Stara Srbia’ (Serbia e Vjetër), që ishte një term që zuri vend në mesin e nacionalistëve serbë të shek. XIX. Përmbajtjet e raportimeve të tija ishin të kundërta me të gjitha raportimet që kishin në dispozicion diplomatët britanikë dhe me ato që ishin të botuara në shtypin evropian. Në realitet raportimet e tij nuk ishin ndryshe nga ato të Yastrebovit, konsullit rus në Prizren, nën influencën e të cilit kishte rënë St. John.
Përveç përfaqësuesve diplomatikë në rajon, lejtnanti Ross i Bladensburgut e inspektoi situatën në kufirin e Shqipërisë me Serbinë, Malin e Zi dhe Greqinë nga viti 1878 deri më 1881. Duke punuar në terren, ai u bë i njohur si ekspert për Shqipërinë dhe raportimet e tija patën ndikim të konsiderueshëm ndaj diplomatëve britanikë dhe në krijimin e mendimeve në qeveri. Bladensburg përgatiti edhe disa raportime në lidhje me situatën politike në Shqipëri dhe rajon. Ai qëndroi disa javë në Kosovë dhe pas një hulumtimi të gjatë, për përdorim të qeverisë britanike, shkroi një raport serioz që kishte të bëjë me Lidhjen Shqiptare.
Qeveria britanike, në disa raste, e angazhoi kapitenin Sale që të hartonte raporte të ngjashme. Kapiteni përgatiti një raport që këshillonte qeverinë se si duhej vepruar kundër shqiptarëve, nëse ata vazhdonin me rezistencë të armatosur dhe nëse nuk i bindeshin normave të Traktatit. Ai i propozoi Londrës se ndaj shqiptarëve duhet të merreshin masa ndëshkuese. Goscheni dhe Fitzmauricei u shqetësuan nga vrazhdësia e planit të propozuar nga kapiteni Sale, i cili sugjeroi shkatërrimin e fshatrave si dënim për mosbindshmëri ndaj urdhrave të Fuqive të Mëdha. Më tutje, ai propozoi se duhet të angazhohen agjentë britanikë që do të ushtronin influencë ndaj shqiptarëve, shpërndanin frikë në mënyrë që t’iu bëhet me dije se me refuzimin e vullnetit të Fuqive do të ballafaqoheshin jo vetëm me pasoja politike, por edhe me problem private. Kjo gjë ishte e papranueshme për Goschenin dhe Fitzmauricein. Gosheni besonte se shqiptarët, të cilët po i humbnin territoret, nuk duhej që edhe të dënoheshin. Ai e këshilloi qeverinë në Londër që asnjëherë të mos aprovojë një qëndrim të tillë ndaj shqiptarëve të cilët po vepronin në të njëjtën mënyrë dhe brenda parimeve të nacionalitetit sikur edhe kombet tjera.
Ka pasur edhe personalitete nga sektori joqeveritar që e kanë influencuar politikën britanike në lidhje me Çështjen Lindore. Këtu përfshihen udhëpërshkruesit, gazetarët, antropologët dhe arkeologët, siç ishin David Urquhart dhe Arthur Evans (1851–1941). Që të dy kanë kontribuar në debatin e ashpër për këtë çështje. Siç e pamë më herët, Urquhart, me përkrahjen e tij të parezervë për Perandorinë Otomane dhe deri në një shkallë edhe për Shqipërinë, i ndihmoi vijës politike të konservativëve të Disraelit, kurse Evansi mori anën e liberalëve të Gladstoneit. Arthur Evans ka qenë arkeolog, i cili u bë i famshëm kur e zbuloi pallatin e Knesosit në Kretë. Ai zbuloi artefakte tjera në Mesdhe, përfshirë Shqipërinë veriore ku zbuloi monedha ilire të shek. II f. e s. Evans përgatiti së paku dy raporte për Shqipërinë që ishin për përdorim të Foreign Office. Evansi, me botimet e tija si korrespondent i Manchester Guardian, e inspiroi Gladstonein dhe liberalët dhe u konsiderua si partizan i mbrojtjes së krishterëve në Ballkan. Evans mori edhe rolin udhëheqës të propaganduesit të ‘Masakrave Bullgare’ në Britani. Kjo u çmua shumë nga Gladstonei, i cili i shfrytëzoi shkrimet e Evansit ‘si referencë për fjalime politike dhe si dëshmi të dorës së parë’ për t’i treguar opinionit dhe votuesve se si persekutoheshin të krishterët. Pasi që Evans ishte sllavofil, disa nga shkrimet e tija për Shqipërinë ishin të ngjashme me ato të St. Johnit, konsullit britanik që për një kohë shërbeu në Prizren.
Evansi e përdori terminologjinë serbe kur i përshkroi emrat e vendeve në Shqipëri. Edhe ky, sikur St. John, Kosovën e quajti ‘Stara Srbia‘ dhe në raportet e tija propozoi që Kosova t’i jepej Serbisë pas tërheqjes së otomanëve. Nacionalistët shqiptarë nuk kanë qenë plotësisht të kënaqur me raportimet dhe idetë e tija, por kanë treguar respekt për te, pasi që disa pjesë të punës së tij u bënë të dobishme gjatë procesit të rimëkëmbjes kombëtare. Evans e ktheu në përdorim termin Dardania, emërtim i vjetër ilir dhe romak për Kosovën dhe Maqedoninë veriore. Ai u respektua për shkak se e përkrahu teorinë që thotë se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe për shkak se u konsiderua që kishte botuar artikuj që e paraqitnin gjendjen reale për Lidhjen Shqiptare. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 1878, Evans e ndërroi mendjen. Ishte impresionuar me Lidhjen Shqiptare dhe filloi t’i shihte shqiptarët me admirim. Evans, në librin e tij, Illyrian Letters, që u botua në vitin 1878, për përshtypjet e tija derisa ishte në mesin e shqiptarëve, shkruan:
“Gjithçka më përkujton se nuk jam në mesin e popujve sllavë e as në mesin e atyre turq. Këta janë burra të vërtetë – patriotë të Skenderbeut dhe Aliut të Janinës – shqiptarë, trashëgimtarë të fortë si guri, raca më luftarake dhe, mbi të gjitha, të pamposhtur! […] Shqiptari nga natyra është i shpejtë, energjik, skeptik, gjithmonë në lëvizje dhe që nuk e duron mbikëqyrjen. Për te, mbi të gjitha tjerat, është liria”.
Punimet e Evansit për Shqipërinë u botuan gjatë dhe pas vitit 1878 kur ishte tepër vonë që të influencohej Qeveria britanike, opinioni ose procesi vendim-marrës i Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit. Evans, para se të interesohej për çështjen shqiptare, ka qenë shumë aktiv në Kroaci dhe Bosnjë, duke iu ndihmuar sllavëve të krishterë kundër Austro-Hungarisë. Një herë qe arrestuar më Dubrovnik dhe qe akuzuar se ishte spiun i Gladstoneit. Për shkak të aktivitetit të tij anti-austro-hungarez, i ndihmoi Gladstoneit që t’i mbante në një nivel të caktuar ndjenjat anti-austro-hungareze në Britani. Kur liberalët erdhën në pushtet më 1880, Gladstone e shqyrtoi mundësinë që ta emëronte Evansin konsull në Dubrovnik apo diku tjetër në Ballkan, por hoqi dorë pasi që nuk mund t’i vente në rrezik marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Austro-Hungarinë.
Sa i përket të ardhmes së Shqipërisë pas Kongresit të Berlinit, diplomatët britanikë dhe udhëheqësit shqiptarë kanë qenë në rreshtuar në vija të ngjashme. Që të dy palët e shihnin Shqipërinë si pjesë e Perandorisë Otomane kur konsiderohej autonomia, por, gjithashtu, u konsiderua edhe pavarësia apo unioni me Greqinë si zgjidhje. Para dhe gjatë kongresit, krijuesit e politikës në Londër e nënçmuan vullnetin politik dhe kapacitetin e shqiptarëve për të mbrojtur identitetin dhe territoret e tyre. Britania e Madhe dhe Fuqitë tjera në Berlin e aplikuan parimin ‘ratifikimit strategjik të kufirit’ dhe në rastin e Shqipërisë nuk treguan interesim për aspiratat nacionale të shqiptarëve apo parimin e nacionalitetit. Siç u pa, Salisbury e shprehu qëndrimin britanik para delegatëve të Lidhjes Shqiptare, kur u takua me ta në Londër.
Pa marrë parasysh pozitën e britanikëve dhe Fuqive tjera, për një kohë të shkurtër Lidhja Shqiptare veproi si qeveri de facto e një kombi. Madje, ia doli që të mblidhte taksa, i përzuri zyrtarët otomanë nga administrate dhe i zëvendësoi me vendas shqiptarë. Në shumë raste Lidhja i anuloi ligjet otomane dhe i zëvendësoi me Kanunin. Organizoi armatën dhe me sukses e mbrojti kufirin me Malin e Zi. Megjithatë, ky organizim administrative dhe ushtarak nuk e mbuloi në mënyrë adekuate territorin e katër vilajeteve, të cilin Lidhja e konsideronte se u takonte shqiptarëve. Lidhja u përballë me vështirësi të ndryshme. Kjo nuk ishte arsyeja pse Lidhja fillimisht e synonte autonominë, por qëllimi ishte se shqiptarët dëshironin që ta përcillnin shembullin e kombeve tjera të Ballkanit. Me përjashtim të Greqisë, të gjitha shtetet tjera qenë pavarësuar vetëm pasi që kishin kaluar nëpër fazën e autonomisë.
Marrja e qëndrimit kundër Portës dhe vendeve fqinje, dhe pa ndihmën e ndonjë Fuqie evropiane, tendenca për pavarësi ka qenë e dënuar me dështim. Lidhja frikësohej se ky dështim do të sillte rezultate katastrofale për shkak se tokat shqiptare do të okupoheshin edhe më shumë nga fqinjët, të cilët kurrë nuk pushuan nga ambiciet territoriale edhe pas Kongresit të Berlinit. Prandaj, qëndrimi nën ombrellën e Portës mbeti opsioni i vetëm i zbatueshëm. Megjithatë, Perandoria Otomane ende konsiderohej thjeshtë si mbrojtës i përkohshëm dhe burim i fuqisë për t’u eksploatuar në një fazë të mëvonshme nga lëvizja nacionale shqiptare. Udhëheqësit shqiptarë, siç do të shohim më vonë, do të vazhdojnë për të kërkuar përkrahje nga britanikët. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje