LAJMI I FUNDIT:

Biçikleta

Biçikleta
12 prill 1991, Tiranë, Shqipëri: Fëmijët e varfër kërkojnë lëmoshë nga besimtarët që dalin nga Xhamia e Et’hem Beut (foto: Barry Lewis/In Pictures/Corbis)

Biçikleta ishte një rraqe metalike pa moshë. Si sot edhe para, edhe pas dhjetë vjetësh mbetej gjithmonë as e re as e vjetër.

Biçikleta ishte një “imobiliare” e lëvizshme që trashëgohej, shitej, falej, këmbehej, vidhej, flinte, zgjohej, plagosej, rënkonte, sëmurej, shërohej, por kurrë nuk vdiste.


Biçikleta në shitje kishte aq rrallë sa nuk mbahej mend kur kishte ndodhur.

S`dihej kush e kur e ku e kishte blerë biçikletën. Biçikleta gjallonte në anonimitet të thellë, si breshka brenda zhguallit.

Biçikleta ishte sendi më i lakmueshëm për t’u vjedhur. Biçikleta vidhej më tepër se gjithçka. Vjedhja e biçikletës ishte fatkeqësi nga më të mëdhatë që mund të pllakosnin. Për ta lidhur biçikletën pas ndonjë shtylle për mos ta vjedhur, përdoreshin një amanejarebi me dryna, kavo, litarë, zinxhirë.

Nëse ndodhte që po atë ditë kur të vidhnin biçikletën të vidhnin edhe antenën apo diçka tjetër, kupa derdhej, jeta sterrosej.

Një herë e një kohë biçikleta kishte targë dhe një si tesër. Pse? Një Zot e di. Ndoshta kishin kopjuar Kinën ose Rusinë ku biçikletat ishin me miliona.

Shqiptarin barkzbrazur veshur keq me një biçikletë përdore duke u endur nëpër Tiranë, atë kryevepër nuk doli asnjë Mikelanxhelo ta pavdekësonte në mermer.

Pse nga Rusia prej kah vinin turlilloj hekurishtash nuk erdhën kurrë biçikleta? Askush nuk e dinte.

Biçikleta e parë më e përhapur quhej “Diamant”. Thoshin se e kishin sjellë nga Gjermania Lindore duke e këmbyer me domate e kastraveca.

Pastaj sollën “Mifa”, e ngjashme me “Diamant”-in, por jo aq e fortë.

Biçikletat kineze që i sollën me shumicë në vitet 1970-80 kishin të pikturuara ca gjarpërinj, nuk kishin emër. Quheshin të gjitha “biçikletë kineze”.

Biçikletat ishin dy llojesh;

Me hekur, të cilës nuk mund t`i hipnin femrat se u dukeshin brekët dhe bëhej hataja.

Pa hekur, demek tip “Vespa”, që mund të përdorej pa frikë nga femra e meshkuj edhe pa brekë.

Mirëmbajtja e biçikletës s`ishte problem. Për mirëmbajtjen e biçikletës zbatohej me sukses parimi “kam te puna”. Nëse duke ndrequr biçikletën “te puna”, ndodhte që andejpari kalonte brigadieri, shefi, drejtori, ata jo vetëm s`të pengonin, por të shihnin me dashamirësi.

Ndonjëherë biçikleta ishte shpëtimtare.

I thanë njërit: Mbete me biçikletë a ditëzi. E ke që e ke një kushëri në Greqi. Thuaji të sjelli një motoçikletë?

Ua priti miku: Jo. Kurrë. Tani që lëviz me biçikletë, më vënë nga pas një spiun me biçikletë, dhe janë të qetë që nuk do arratisem apo nuk do bëj ndonjë herezì tjetër. Po të marr motoçikletë, unë me motoçikletë, spiuni im me motoçikletë, do binte në sy. Të më vënë pas mua me motoçikletë një spiun me makinë është shpenzim që nuk ia vlen, përkujdesje që nuk e meritoj, dhe më degdisin në Spaç.

Sado rraqe që ishin, shumica e biçikletave kishin një fener elektrik për të ndriçuar rrugën për tu ruajtur nga trafiku inekzistent. Kotësia e fenerit nuk u vu në dukje kurrë. Për të kujtuar se Shqipëria ishte “fener ndriçues i botës”, ndonjëherë në mbrëmje polici të thoshte “ndize dritën”.

Varkat, gomonet, kamerdaret, krahët e Ikarusit, mjete arratisjesh dalë me tërsëllëmë nga cirkomvolucionet e ndezura gjatë delireve nokturne me sytë në tavan, me gjithë ato pedale, timona, zinxhira, rrotëza, ishin të frymëzuara nga biçikleta.

Ekzistonte një kilometrazh i vogël sa një kokërr arrë mbërthyer te piruni i biçikletës pranë aksit të rrotës. Askush nuk e pa kurrë sa kilometra shënonte kilometrazhi. Pse mjeti ekzistonte, por rruga shtëpi-punë-shtëpi e përshkuar mijëra herë nuk u mat kurrë ?! Mbeti mister.

Nga pjesët e biçikletës më e famshmja dhe më e llafosura ishte “shala”.

Më e afërt, më konfidenciale, më intime se me shalën, shalimin, shalët e asaj apo të atij, biçikleta ishte me bythën e atij ose asaj që shalën e kishte shaluar.

Cilësimi “shalë” dhe jo “bythë”, kjo padrejtësi ndaj bythës në kurriz të shalës, mbetet i diskutueshëm sot e kësaj dite.

Pavarësisht nga cilësimi i padrejtë, në memorien kolektive shqiptareske, shala mbeti e paharruar si “rehati mikroborgjeze” e paevitueshme, mungesa e të cilës sillte telashe, shkaktonte çvirgjërimin e pavullnetshëm si nga para dhe nga mbrapa të vajzave dhe të djemve.

Zgara e biçikletës, megjithëse pa ndonjë lidhje karnale, ishte gjithaq e rëndësishme sa edhe shala. Në zgarë mbahej zakonisht ajo që quhej “bukë me vete”. Ndonjëherë mbi zgarë rrinte gruaja. E cila, për shkak të ndonjë grope apo gunge të rrugës ndonjëherë rrëzohej, dhe burri që ngiste biçikletën, rrëzimin nga zgara të gruas, nuk e ndjente, vazhdonte rrugën. Kthehej ta gjente e ta merrte gruan e rrëzuar nga zgarra e biçikletës si kthehemi të gjejmë ndonjë send që na ka rënë nga xhepi.

Disqet, telat, zinxhiri, pedalet, kontrapedali etj. sado të vjetër e difektozë s`ishin problem.

Problem ishin kamerdaret dhe kopertonat. Por, u bëhej dermani. Kamerdaret mbusheshin me pulla mbi pulla si arna mbi arna për shumë vite.

Kopertonat arnoheshin nga brenda dhe qepeshin me spango, derisa s`kishe çfarë të arnoje se kopertoni bëhej arnë i tëri.

Pse aksi i koronës është pak më poshtë se pinjoni?

Sepse zinxhiri duhet të tërheqë horizontalisht.

Pse aksi i timonit është i pjerrët përpara?

Që të vazhdojë moda e dhënies së biçikletës “pa duar”.

Un` pyesja, un` përgjigjesha.

Aq e dashur, e urtë, besnike, ishte rraqa biçikletë, sa edhe në filmat e luftës imagjinare nacional çlirimtare halabakët atentatorë nëpër rrugica nuk paraqiteshin kurrë mbi kuaj, apo gomerë, apo makina, vetëm mbi biçikletë.

Biçikleta në mes të kurrkundit i gjeti, në mes të asgjësë i la. Derisa shqiptarët rraqen biçikletë e hodhën tutje. U derdhën nëpër ambasada. U ngjitën mbi trageta.