Rahovec, prindi i pakënaqur me rezultatet e fëmijës në shkollë dyshohet se e kanosi drejtoreshën e shkollës


Dyshohet se një prind në Rahovec duke qenë i pakënaqur me rezultatin e fëmijës së tij në shkollë e ka kanosur përmes telefonit drejtoreshën e shkollës.
Rasti dyshohet se ka ndodhur dje, më 01.07.2026.
Vlera Krasniqi, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Gjakovës, kur është pyetur për këtë rast ka thënë për KALLXO se një grua më 01.07.2026 ka raportuar se një burrë e ka kanosur përmes telefonit.
“Me ç’rast i dyshuari pas raportimit është shoqëruar në Stacionin Policor në Rahovec ku edhe është intervistuar. Në koordinim me prokurorin e shtetit ndaj tij është iniciuar rasti “Kanosje” si dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt” – ka thënë Krasniqi.
Edhe Prokuroria e Gjakovës e ka konfirmuar këtë rast, duke treguar se është iniciuar rast për veprën penale – kanosja.
“Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Kurse, Muhamet Morina, drejtori i Arsimit në Rahovec, tha se është informuar se prindërit e kanë kërcënuar mësimdhënësin kujdestar të nxënësit përmes drejtoreshës së shkollës, pasi kanë menduar se ai ka ndikuar në rezultatet e fëmijës në shkollë.
Morina ka shpjeguar se prindi i kishte thënë drejtoreshës “mos të më del përpara, mos ta shoh, se mund të ndodh problem”, për kujdestarin e klasës të fëmijës së tij.
Drejtori Morina tha se është informuar nga drejtoresha e shkollës se prindërit fillimisht kishin shkuar tek Inspektorati i Arsimit në Gjakovë për të biseduar për rezultatin e fëmijës në shkollë dhe më pas kanë shkuar në shkollë.
“Drejtoreshës së shkollës i është thënë: “Mësimdhënësin nuk është mirë ta takoj, sepse jam i pakënaqur, nuk është interesuar për [fëmijën tonë]”. Me një fjalë, një lloj kërcënimi përmes drejtoreshës, jo mësimdhënësit drejtpërdrejt. Sepse prindërit kanë menduar që kujdestari i klasës është personi kryesor i cili ka ndikuar në rezultatin e fëmijës tyre” – deklaroi Morina më 02.07.2026.
Më pas Morina tha se drejtoresha e shkollës e ka njoftuar Policinë për këtë sjellje të prindërve.
Kurse, të enjten, më 02.07.2026, drejtori Morina tha se prindërit e kanë takuar drejtoreshën e shkollës dhe e kanë pranuar se ishin ngutur me sjelljen që kanë treguar një ditë më parë.
Në lidhje me këtë rast, mediumi është interesuar dhe e ka pyetur edhe Inspektoratin e Arsimit në Gjakovë dhe është në pritje të përgjigjeve.










































