Eksperti i sigurisë Blakaj kritikon Prokurorinë pse nuk i hetoi më herët krimet e luftës

Eksperti i sigurisë, Korab Blakaj, ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Kosovës për, siç ka thënë ai, dështimin në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës, duke vlerësuar se mosveprimi institucional ka dëmtuar jo vetëm drejtësinë, por edhe sigurinë kombëtare.
Në një reagim publik, Blakaj tha se një prokurori që nuk heton krimet e luftës dështon ndaj viktimave dhe vetë shtetit, duke u shndërruar në rrezik për funksionimin e tij.
“Prokuroria që nuk hetoi si duhet krimet e luftës, dështoi ndaj viktimave, dështoi ndaj vetë shtetit dhe u kthye në rrezik për vetë shtetin në emrin e të cilit është ndërtuar të punojë”, ka shkruar ai.
Sipas Blakajt, mosndëshkimi i krimeve të luftës nuk përbën vetëm mungesë drejtësie, por cenon edhe sigurinë kombëtare, pasi autorët mbeten të pandëshkuar ndërsa besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë zbehet.
Ai ka theksuar se prokuroria është hallka kyçe që e shndërron informacionin e institucioneve të sigurisë në përgjegjësi penale, duke shtuar se dështimi i saj ka bërë që i gjithë sistemi të humbasë efektivitetin.
Blakaj ka kritikuar gjithashtu, sipas tij, përplasjet e vazhdueshme të Prokurorisë me institucionet e sigurisë dhe qeverinë, duke thënë se prioritet duhet të ishte ndjekja e krimeve që cenojnë interesin kombëtar.
“Një prokurori që injoron krimet e luftës nuk është neutrale. Neutraliteti përballë një krimi të rëndë nuk prodhon ekuilibër, por prodhon pandëshkueshmëri”, ka deklaruar ai.
Sipas Blakajt, zvarritja e hetimeve ka sjellë pasoja serioze, pasi me kalimin e kohës humben prova, dëshmitarë dhe dobësohet mundësia për të vënë autorët para drejtësisë.
Ai ka kritikuar edhe një pjesë të mediave, duke pretenduar se kanë shmangur debatin për mungesën e rezultateve në hetimin e krimeve të luftës dhe kanë relativizuar përgjegjësinë institucionale.
Në fund të reagimit, Blakaj ka paralajmëruar se vazhdimi i, siç e ka quajtur ai, degradimit institucional dhe pandëshkueshmërisë mund të krijojë bindjen te qytetarët se sistemi nuk mund të reformohet më përmes mekanizmave të zakonshëm.
“Kush do ta mbajë përgjegjësinë nëse një ditë shpresa te shteti zëvendësohet nga bindja se shteti nuk reformohet më me mjetet e zakonshme?”, ka përfunduar Blakaj.





































