Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj personave dhe operatorëve që ushtrojnë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik pa licencë.

Sipas njoftimit të IQMT-së, aksioni po zhvillohet në bazë të Ligjit Nr. 08/L-074 për Turizmin dhe Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2024 për kushtet, kriteret dhe procedurat e regjistrimit dhe ushtrimit të veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë.


Inspektimet gjatë së mërkurës janë zhvilluar në rajonet e Prizrenit, Prishtinës dhe Obiliqit, me qëllim të evidentimit dhe parandalimit të ushtrimit të paligjshëm të kësaj veprimtarie.

“Gjatë ditës së sotme, inspektimet janë duke u zhvilluar në regjionet e Prizrenit, Prishtinës dhe Obiliqit, me qëllim të parandalimit dhe evidentimit të ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë pa licencë”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të mbikëqyrjes, IQMT ka evidentuar edhe angazhimin e udhërrëfyesve jo-vendas nga kompani turistike të vendeve të rajonit, të cilët, në rastet kur veprojnë pa licencën e nevojshme, janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Sipas IQMT-së, përveç aspektit ligjor, angazhimi i personave të palicencuar mund të ndikojë edhe në mënyrën e prezantimit të historisë, trashëgimisë kulturore dhe vlerave të lokacioneve turistike në Kosovë.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes IQMT-së, mbetet e përkushtuar në mbikëqyrjen e kësaj veprimtarie dhe do të ndërmarrë masat përkatëse ndaj operatorëve turistikë, personave juridikë, bizneseve individuale dhe personave fizikë që ushtrojnë ose mundësojnë ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik pa licencë dhe në kundërshtim me ligjin e Turizmit”, thuhet në njoftim.

IQMT ka rikujtuar se ushtrimi i veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik në kundërshtim me dispozitat ligjore përbën kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 3 mijë deri në 9 mijë euro.

Inspektorati u ka bërë thirrje operatorëve turistikë që udhërrëfyesit t’i angazhojnë në mënyrë të ligjshme, duke respektuar kriteret dhe procedurat përkatëse.

“Republika e Kosovës posedon vlera të rëndësishme historike, kulturore dhe turistike. Për këtë arsye, vizitorët duhet të marrin informacione të sakta, profesionale dhe të besueshme për vendet që vizitojnë, nga persona të përgjegjshëm dhe të licencuar”, thuhet në njoftim.

IQMT ka inkurajuar kompanitë turistike që të angazhojnë udhërrëfyes vendorë të licencuar, me qëllim të respektimit të legjislacionit, informimit të drejtë të vizitorëve dhe promovimit të trashëgimisë dhe vlerave turistike të Kosovës. /Telegrafi/