eksperti ad

Ka pamje që flakërojnë në mendje para gjumit: humbja, qëndresa dhe më pas e zakonshmja e çuditshme e gjithë kësaj.

Nga: Charlotte Higgins / The Guardian (titulli: Amid war in Ukraine, the fleeting moments of despair and salvation I witness are what truly tell the story)
Përkthimi: Telegrafi.com


Si ishte? Kjo është pyetja që më bëhet shpesh kur kthehem nga puna në Ukrainë, ku kam udhëtuar rregullisht që nga viti 2022. Në këtë pyetje nënkuptohet se përgjigjja nuk qëndron - jo krejtësisht - te grumbullimi i raportimeve. Për arsye të mira, reporteri i mban sytë të fiksuar dhe të përqendruar nga jashtë, duke mbledhur informacionin thelbësor dhe duke e përcjellë atë sa më qartë dhe rrjedhshëm të jetë e mundur. Reporteri e frenon dhe e disiplinon subjektivitetin e vet, ndërsa, në mënyrë ideale, e pranon ekzistencën e tij dhe i kupton konturet e tij. Reporteri e di se faktet e çështjes janë ato që kanë rëndësi.

Në të njëjtën kohë, ndjenjat dhe përshtypjet nuk mund të shkëputen plotësisht nga faktet. Ndjenjat janë të pashmangshme, nëse funksionon sado pak si qenie njerëzore. Ato janë tentakulat e empatisë që shtrihen për të kuptuar njerëzit dhe situatat. Ndjenjat kanë edhe një rol epistemik - ato luajnë rol në përvetësimin e dijes. Megjithatë, ato duhet të zhvendosen në sfond. Respekti për lexuesit e tu dhe për subjektet e tua e kërkon këtë; ritualet dhe rregullat e gazetarisë e kërkojnë këtë.

Lexo po ashtu nga Charlotte Higgins:
- Dashuria e kalbur: Si po çlirohen ukrainasit nga librat në gjuhën ruse
- Arti si luftë: Realiteti surreal i Ukrainës
- Në Kiev i pashë ukrainasit në vijën e parë të luftës së vërtetë kulturore
- Pse po e mësoj gjuhën e ukrainasve? Sepse gjuha është çështje politike për vendin që kam nisur ta dua

Së fundmi jam kthyer pas një muaji në Ukrainë. Shkruaj për luftën përmes lentës së kulturës - duke analizuar se si artistët po e formësojnë kujtesën e ardhshme të luftës në veprën e tyre; se si gjuha, historia dhe identiteti janë të implikuara në të. Isha prapa linjave, në qytetet e Kievit dhe Lvivit, si edhe në Odesë dhe në rajonin e Mikolaivit. Vende në përgjithësi të sigurta, do të thosha, megjithëse gjithçka është relative. Gjatë kohës që isha në Ukrainë, një grua që po rrezitej pranë detit në Odesë u vra nga një copë e një droni. Një nga vendet më të shenjta në Evropën Lindore, Lavra e Peçerskut në Kiev, ishte përfshirë nga zjarri pasi u godit nga një dron. Çdo mëngjes, numri i viktimave civile rritej ngadalë dhe njerëzit përballeshin me humbjen e njerëzve të tyre të dashur, ose të shtëpive të tyre, ose të mjeteve të jetesës; ose merreshin me probleme më të vogla: dritare dhe dyer të shpërthyera, makina të shkatërruara nga mbeturinat që binin nga qielli. Ukrainasit gjithashtu qeshnin me memet për rafineritë e naftës që shpërthenin në Moskë, ndërsa titujt e lajmeve flisnin për suksesin e papritur të Ukrainës në vijën e frontit.

Megjithatë, pyetja si ishte? ka pak lidhje me titujt e tillë të lajmeve. Ajo kërkon një përgjigje personale. Ajo i fton sërish në dhomë ndjenjat dhe përshtypjet e disiplinuara me kujdes të reporterit. Është një pyetje për në pijetore, për një shëtitje të gjatë. Ose ndoshta as për këtë. Ndoshta përgjigjja e vërtetë është, për disa, tepër private për t'u shprehur fare: është shënimi në ditar; vezullimi i imazheve që vallëzojnë në mendje para gjumit; shtresat kalimtare të kujtesës që varrosen dhe që, ndoshta, mund të rishfaqen vite më vonë. Këtë e kuptova një herë, teksa po ecja nëpër një park me një reporter i cili, në vitet ’90 të shekullit XX, kishte raportuar nga Ballkani. Kujtimet që u rishfaqën pas 30 vjetësh, për atë gazetar, nuk kishin të bënin fare me lëvizjen e vijave të frontit apo me deklaratat e politikanëve të njohur. Ato ishin imazhe pothuajse kinematografike, të gjalla: drejtori i hotelit ende me kostumin e tij dhe me kravatën e lidhur me kujdes, mes rrënojave të bombarduara të ndërtesës së hotelit; shikimi në sytë e prindërve që nuk kishin mundur të lidhnin kontakt me fëmijën e tyre për muaj të tërë. Këto nuk ishin histori. Jo në kuptimin gazetaresk të fjalës, as në çfarëdo kuptimi tjetër. Ishin përndjekje. Ishin përgjigje ndaj pyetjes, "Si ishte?"

Pra, si ishte? Kur përpiqem t'i përgjigjem, nuk shoh një vijë narrative. Ajo që shoh janë shtresa përvoje të ngjeshura së bashku tepër afër dhe tepër dendur për të qenë të durueshme - një shtresëzim arkeologjik në të cilin artefaktet e papajtueshme janë shtypur duke humbur formën e tyre në një afërsi pa ajër. Nganjëherë, pyetjes mund t'i përgjigjesh më së miri duke shqyrtuar vendet ku këto artefakte të papajtueshme preken. Për shembull, jo duke treguar historinë e rrënojave të muzeut, të duarve të drejtorit që qante duke mbajtur në pëllëmbë një shtambë qeramike të padëmtuar të cilën zjarrfikësit e kishin gjetur mrekullisht mes rrënojave. As duke përshkruar bisedat në skenat e festivalit të letërsisë, në të cilin morëm pjesë së bashku unë dhe kolegia ime, fotografja Julia Kochetova, menjëherë pasi kishim shkelur nëpër ato dhoma të rrënuara. Për t'iu përgjigjur pyetjes Si ishte?, mendoj për shprehjen në fytyrën e saj ndërsa udhëtonte mes këtyre dy vendeve - teksa fliste për vazhdimësinë e këtyre bombardimeve, vrasjeve, gjymtimeve, rrahjeve dhe djegieve, dhe pyeste: "Sa gjatë do të vazhdojë kjo? Derisa Kievi të bëhet krejt rrënojë, i tëri? Dhe derisa sa prej nesh të mbeten?"

Se si ishte, ishte të vëreje mënyrën e saktë se si, në stacionin hekurudhor të Lvivit, një baba i ri rrinte ulur në gjunjë, me duart mbi gjunjët e djalit të tij, i cili ishte ulur në platformë, dhe se si duart e djalit, nga ana e tyre, shtypeshin nga duart e të atit. Por, nuk ishte as kjo: ishte sa i zbehtë dukej djali, sa e përmbajtur ishte shprehja e fytyrës së tij - ai ishte ndoshta dhjetë ose njëmbëdhjetë vjeç. Kur treni hyri në stacion dhe familja mori bagazhet e saj, u bë e qartë se djali dhe nëna e tij po shkonin në Poloni, ndërsa i ati - në moshë për shërbim ushtarak dhe me shumë gjasë tashmë në ushtri - jo.

Se si ishte, ishte se ishte stina e bozhureve dhe tezgat e luleve ishin plot me to: rozë, ngjyrë kremi dhe të kuqe të ndezura, dhe të rinjtë po ua blinin të dashurave të tyre nga gratë e moshuara që kishin ardhur nga fshati. Se si ishte, ishte, krejt pa ndonjë shkak të veçantë, një shoqe që fliste se duhej patjetër ta përditësonte çantën e saj të emergjencës, sepse vazhdimisht e hante ushqimin e emergjencës në situata që nuk ishin emergjente.

Është një poezi, Dita ime, e shkrimtares ukrainase Iryna Tsylik, e cila shpreh këtë ndrydhje të fuqishme, këtë paradë përvojash të papajtueshme. Në orën katër të mëngjesit më zgjoi sirena e alarmit ajror / Unë dhe djali im u strukëm në korridor, / Dëgjova raketat që fluturonin mbi ne - / atë gjëmim të pagabueshëm, rrëqethës. / Por, e fituam atë raund të ruletit rus. / Dremita edhe një orë. / Lexova lajmet se sa ishin vrarë. / I bëra petulla djalit tim.

Oksana Maksymchuk, në përmbledhjen e saj Qyteti i palëvizshëm ka një poezi të titulluar Muri i katërt, e cila përshkruan gjithashtu këtë jetë lufte dhe fillon me vargjet: Asnjë shembje, / vetëm një tkurrje e ngadalshme / e së tashmes. Ajo përfundon me ndjesinë e asaj se si është të dëgjosh një alarm ajror: Ndalojmë atë që po bëjmë, / qëndrojmë pranë perdes, me sytë / nga qielli, duke pasur frikë / se sa normale / ndihet tashmë e gjithë kjo, / sa e mërzitshme.

Artisti ukrainas, Stanislav Turina, ka shkruar së fundmi një cikël prej dhjetë poezish, të gjitha me titull Dita ime e përsosur, në të cilat ai përfytyron hapjen e kësaj të tashmeje të ngjeshur dhe pafundësisht të dhimbshme drejt një vargu të së ardhmes së mundshme ideale. Këto poezi janë plot gëzim. Njëra prej tyre përmban vargjet: Lufta përfundoi para një viti. Koha e rindërtimit./ Kujtojmë të rënët. Plagët e brendshme shërohen. Kujtojmë kata- / strofën e luftës. Por, dhimbja dhe frika nuk na sundojnë më. Asnjërin prej nesh. Është e vështirë të thuhet, duke i lexuar këto poezi, nëse ato janë pohime optimiste të shpresës - apo sajesa dëshpërimisht spekulative. /Telegrafi/