Prapashtica: Parashikuam se Kosova do të bëhej Republikë ose Jugosllavia do të zhdukej nga harta

Abdullah Prapashtica, një nga figurat e Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi (PKMLShJ), ka deklaruar se zhvillimet e mëvonshme historike dëshmuan parashikimet e organizatës për të ardhmen e Kosovës dhe ish-Jugosllavisë.
Në ciklin e intervistave “Dosjet”, në “Debat Plus”, Prapashtica është pyetur për një letër të Vladimir Bakariqit, ku, sipas Pandurit, nënvlerësoheshin njohuritë e PKMLShJ-së për marksizëm-leninizmin.
“Bakariq tallet me njohuritë e juaja për marksizëm-leninizmit, thotë që haberin nuk ia keni kësaj pune”, e pyeti Panduri.
Prapashtica tha se koha e kishte dëshmuar të kundërtën.
“Koha e ka dëshmuar të kundërtën”, tha ai.
I pyetur se çfarë kishte dëshmuar koha, Prapashtica tha se organizata kishte parashikuar se Kosova do të bëhej Republikë ose se Jugosllavia do të zhdukej nga harta.
“E ka dëshmu sepse ne u kemi thënë se ja ka me u bë Kosova Republikë, ja Jugosllavia ka me u zhduk prej hartës gjeografike edhe kjo ka ndodh”, deklaroi Prapashtica.
Panduri më pas theksoi se Kosova u bë e pavarur, ndërsa Jugosllavia nuk ekziston më.
Prapashtica u pajtua me këtë vlerësim.
Në vazhdim të intervistës, ai foli edhe për marrëdhëniet mes PKMLShJ-së dhe organizatave të tjera ilegale shqiptare në Kosovë, përfshirë Organizatën Marksiste-Leniniste të Kosovës (OMLK).
Sipas Prapashticës, në vitin 1981 nuk kishte dështuar bashkëpunimi në terren mes aktivistëve të këtyre organizatave, pasi ata kishin vepruar së bashku gjatë demonstratave. Ai tha se dallimet kishin ekzistuar kryesisht në nivelin e udhëheqjeve.
Prapashtica deklaroi se një prej çështjeve që kishte krijuar dilema ishte kërkesa për Republikën e Kosovës dhe qëndrimi që do të mbante Shqipëria ndaj saj.
Sipas tij, pas deklarimit të Enver Hoxhës në mbështetje të kërkesës për Republikë, edhe OMLK-ja ishte rreshtuar në favor të kësaj kërkese.
“Tani, kjo nuk është e saktë për arsye se ne nuk arritëm të bëjmë kontaktin për me bisedu për bashkim, por në terren kanë punuar shokët tonë me shokët e OMLK-së në demostrata bashkë dhe nuk ka pasë asnjë problem. Problemi ka qenë në udhëheqje. Udhëheqja ka qenë në dilema se a me përkrah kërkesën ‘Për Republikë’ apo jo, sepse ata nuk kanë qenë të sigurt se do ta përkrah dhe Shqipëria. Në momentin kur ka dalë atëhere, Enver Hoxha, më duket me 8 prill, apo me 8 maj, nuk po më kujtohet saktësisht dhe ka përkrah kërkesën ‘Për Republikë’, ata menjëhere janë rreshtu kah kërkesa ‘Për Republikë'”./RTVD/








































