LAJMI I FUNDIT:

Lidershipi i Maia Sandus, një rrugëtim shprese për Moldavinë

Lidershipi i Maia Sandus, një rrugëtim shprese për Moldavinë
Ilustrim

Ardit Gjinali

Republika e Moldavisë, një shtet i vogël në territor dhe numër të popullsisë me një zhvillim ekonomik tërësisht modest, por me një rëndësi thelbësore politike në kontekstin e ri gjeopolitik që buron nga agresioni Rus mbi Ukrainën …. përkatësisht një nga dy shtetet që kufizon Republikën e Moldavisë, bashkë me Rumaninë, gjithashtu. Moldavia ka shprehur angazhim për vijimin e rrugës euro-integruese, pavarësisht faktit që ka konfirmuar mbajtjen e statusit të Neutralitetit ushtarak ndaj anëtarësimit në NATO, fakt juridik i vendosur në Kushtetutën e vendit. Pavarësisht konfliktit Ruso-Ukrainas, Republika e Moldavisë ka shprehur vullnetin për vijimin e anëtarësimit në organizatën e quajtur “Common Wealth of Independent States”, i përbërë nga nëntë anëtarë përfshirë dhe Rusinë.


Vendi shtrihet gjeografikisht në të quajturin “kufi i jashtëm” me Bashkimin Evropian dhe ka peshën politike të një “konflikti të ngrirë” në rajonin e Transindustrisë duke vuajtur kërcënimin e herëpashershëm rus në kontekstin e varësisë nga gazi natyror apo dhe në veprimet rajonale separatiste të inkurajuara nga Moska zyrtare. Nga ana tjetër, pavarësisht çështjeve politike të pazgjidhura përfshirë dhe të tillën kufitare me Republikën e Rumanisë, Rumania është aktori kryesor politik që ka mundësuar eksportin e gazit natyror drejt Moldavisë përmes gazsjellësit “Ungheni-Kisinau”, një investim i kompanisë rumune “Transgaz” me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Përtej një retorike pro-evropiane, vendi ka vuajtur ngadalësi deri në kufijtë e ngecjes në zbatimin e angazhimeve mbi integrimin evropian, fakt i ndryshuar me fitoren e zgjedhjeve nga Presidentja Sandu.

Maia Sandu, liderja e Partisë për Solidaritet dhe Veprim, një parti politike e qendrës së djathtë, ishte fituesja politike e zgjedhjeve presidenciale të fundvitit 2020, duke shënuar një shembull politik inspirues në përballjen me një sistem politik ku fuqia negative politike takonte interesat e ngushta ekonomike, duke formësuar një trekëndësh famëkeq me kulm politik në Kremlinin zyrtar.

Lidershipi pro-evropian i zonjës Sandu është dëshmuar qartësisht në një pozicionim të qartë të Republikës së Moldavisë kah aleancës politike perëndimore në konfliktin Rusi-Ukrainë të provokuar nga Moska zyrtare. Republika e Moldavisë është një ndër vendet që ka mbajtur peshën kryesore të numrit të qytetarëve Ukrainës, afërsisht 380 mijë të tillë të strehuar në vend që u detyruan të largohen si shkak i sulmit rus mbi vendbanimet e tyre përkatëse.

Përtej një vëmendjeje jo shumë të zëshme politike deri në periudhën kohore që shënonte parakonfliktin Rusi-Ukrainë, vendi ka qenë më shumë se i ekspozuar nga i quajturi “ndikim rus” … i tilli kapërcente kufijtë e një ndikimi sepse konfigurimi i skenës politike në vetvete ishte panorama e pranisë së partive politike me orientim, program dhe figura politike proruse, një ndërthurje asfare e shëndetshme në kontekstin e shtet-konsolidimit ndërmjet pushtetit politik dhe të njëjtit ekonomik, i identifikuar me oligarkinë ekomomike, gjithashtu.

Korrupsioni endemik në secilën sferë institucionale shënonte problemin thelbësor në Republikën e Moldavisë, një çështje që kishte zanafillën në ndryshimet politike të munguara gjatë 30 vjetëve që nga shpallja e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik më 1991, një elitë politike e korruptuar me një ndërthurshmëri lidhjesh, të tilla direkte dhe indirekte me Kremlinin ku pengimi i realizimit të reformave inkurajonte modelin rus të qeverisjes, të bazuar në kapje shteti, zgjedhje të kontrolluara dhe korrupsion.

Angazhimi politik i zonjës Sandu mbetet beteja e vazhdueshme me korrupsionin një dukuri e ngritur në sistem përgjatë qeverisjeve të një periudhe 28-vjeçare që datonin përkatësisht nga viti 1991 deri në vitin 2019, përkatësisht gjatë këtij viti, qeveria e koalicionit e zonjës Sandu u rrëzua në një periudhë të shkurtër disamujore (qershor-nëntor 2019) pikërisht për shkak të vizionit dhe veprimit për reforma të thella kundër korrupsionit (spikasin reformat ekonomike dhe e njëjta në fushën e Drejtësisë ku qëllim parësor mbetet çlirimi i sistemit nga varësia politike). Në të njëjtën kohë, krijimi i mekanizmave efektivë për vështirësimin dhe kufizimin e veprimtarisë së pastrimit të parave përbën një tjetër vlerë të shtuar pozitive të reformave që po realizohen në vend.

Një vizion i ndërprerë më 2019, por i rijetësuar me zgjedhjen në Presidencë, një vizion i mbështetur dhe inkurajuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë aplikuar sanksione ndaj përkatësisht nëntë individëve dhe dymbëdhjetë entiteteve, aleatë politikë të Kremlinit që kanë shënjuar jetën politike dhe ekonomike të Republikës së vogël së Moldavisë, sanksione për të penguar ndikimin e tyre jashtëpolitik mbi proceset zgjedhore në vend apo në jetën politike të vendit. Për çështjen e theksuar më lartë, Presidentja Sandu do të deklaronte si vijon: “Korrupsioni në shkallë të lartë dhe financimi i paligjshëm i partive politike në Moldavi po sanksionohen. SHBA-ja ka sanksionuar 21 individë dhe entitete të përfshirë në vepra korruptive që seriozisht kanë paragjykuar Moldavinë dhe qytetarët e saj”.

Zhvillimet e së tashmes politike në kontekstin e një realiteti të ri politik kanë rritur vëmendjen perëndimore ndaj Republikës së Moldavisë në funksion të inkurajimit të rrugës së vështirë të reformave të ndërmarrë nga zonja Sandu dhe Qeveria, përkatësisht në dhënien e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian ndaj Republikës së Moldavisë, në lëvrimin e fondeve të vazhdueshme financiare si shprehje e mbështetjes për përballimin e valës së refugjatëve apo krizës së energjisë ku spikat paketa prej 250 milionë eurove për përballimin e krizës energjetike; inkurajimi i takimit të donatorëve në mbështetje të Moldavisë apo dhe në numrin e lartë të vizitave ndërkombëtare ku përtej vizitave të delegacioneve të ndryshme të Parlamentit Evropian spikasin vizitat zyrtare të liderëve evropianë, përkatësisht e presidentit francez Emmanuel Macron në qershor 2022, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen në nëntor 2022, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel apo dhe presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, gjatë vitit të shkuar.

Në të njëjtën kohë, një tregues i rëndësishëm i një gjhende pro-aktive perëndimore ndaj Republikës së Moldavisë mbetet vendimi për zhvillimin e takimit të dytë të Komunitetit Politik Evropian, nisma politike e Presidentit Macron që përfshin 44 shtete, në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau … një mesazh i qartë politik ndaj Moskës zyrtare dhe tregues i një vëmendje të konfirmuar të Bashkimit Evropian ndaj atyre republikave në tërësi përfshirë dhe atë të Gjeorgjisë në një të ardhme të afërt.

Rruga e reformave që po realizohen në Republikën e Moldavisë është e vështirë, komplekse dhe ka hasur në një qëndresë të segmenteve shoqërore, politike dhe ekonomike që kërkojnë të ruajnë parimet e një “rendi të vjetër politik” që pengonte ndryshimin – protestat kombëtare të zhvilluara mbeten aspekti i dukshëm i një përplasjeje më shumë se politike në vetvete.

Lidershipi i zonjës Sandu mbetet inspirues dhe politikisht frymëzues, i tillë model i bazuar në përballje të vazhdueshme të vështira politike, por me një koherencë të admirueshme në vizionin evropian për sa i takon politikës së jashtme dhe në koherencën politike në politikën e brendshme, larg aleancave afatshkurtra për një pushtet mekanik dhe bazuar në parimet e qeverisjes së mirë.