Armir Dobruna, ishte 19-vjeç kur kishte pësuar aksident në vendin e punës. Atë ditë ai ishte duke punuar në ndërtimtari ku kishte rënë nga lartësia prej 8 metrave dhe ka thyer të dy këmbët. Dhe nga ajo ditë Armiri ka mbetur me pasoja fizike.
Ai thotë se pas aksidentit ka kërkuar ndihmë për trajtim, por i cili ende nuk ka marr përgjigje.
“Pas aksidentit jam dërguar në Emergjencë në Prishtinë me një veturë të kompanisë që kam punuar për ta, aty kam filluar të marr trajtime të ndryshme të cilat asnjë prej tyre nuk ka pasur efekt, jam trajtuar një vit e gjysmë në QKUK. Kam pasur tre intervenime në këmbën time të djathtë, të gjitha pa sukses. Kam qenë i detyruar, por edhe mjekët më kanë udhëzuar që të kërkoj shërim jashtë vendit, kam kërkuar ndihmë, por kam hasur në veshë të shurdhër, që sot e asaj dite ende nuk kam marr përgjigje”, tregon Armiri në një bisedë për Telegrafin.
Ndryshe nga Armiri që pret për t’u kompensuar, Selatin Krasniqi, i cili është lënduar në ambientet e Korporatës Energjetike e Kosovës (KEK), tregon se ka marrë kompensim vetëm atëherë pasi që ka bërë padi në gjykatë.
“Unë jam lënduar nga rrëshqitja në borë, ku është sedementuar akulli brenda borës, shkallët kanë qenë të mbuluara [borë] dhe kam lënduar këmbën e majtë. Kompania e ka për obligim që ta pastroj borën dhe e ka për obligim që të vendos sinjalizues për rrezikun, gjë që aty nuk ka pasur. Me anë të gjykatës e kam mbërri kompensimin”, shpjegon për Telegrafin punëtori me mbi 30 vite përvojë pune në KEK, Selatin Krasniqi.
Rastet e lëndimit në punë të Armirit dhe Selatinit nuk janë të vetmet. Sipas Inspektoratit të Punës së Kosovës (IPK), gjatë tërë vitit 2018 deri më sot, kanë qenë 159 raste të aksidenteve në vend të punës.
“Në vitin 2018 kemi pasur të lajmëruara dhe të trajtuara 143 raste të aksidenteve në vend të punës. Për pasojë të këtyre aksidenteve, 120 raste kanë përfunduar me lëndime të punëtorëve në punë dhe 23 raste të vdekjeve në punë. Në vitin 2019 deri më tani kanë ndodhur 16 raste të aksidenteve në vend të punës. 13 aksidente kanë përfunduar me lëndime dhe tre raste me vdekjen e punëtorëve në vend të punës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Telegrafin.
Inspektorati i Punës thotë se gjendja e sigurisë në sektorët e ndërtimit dhe energjetikës është duke u përmirësuar.
“Gjendja e sigurisë dhe shëndetit në punë në përgjithësi në sektorët e ndërtimit dhe energjetikës është në përmirësim. Inspektorati i Punës është duke i kushtuar vëmendje të shtuar inspektimit në këta sektor. Tani vërehet se edhe punëdhënësit në ndërtimtari janë duke përmirësuar kushtet e punës, janë duke i pajisur punëtorët me pajisje personale mbrojtëse, vend punishtet po i rrethojnë, skelet janë duke i vendosur më me rregull”, thuhet ndër tjera në përgjigjje.
Sindikalistët që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, pohojnë se gjendja e tyre çdo ditë është duke u përkeqësuar.
Sipas drejtuesit të Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, numri i të vdekurve në vendin e punës është duke u rritur.
“Gjendja e punëtorëve në sektorin privat për çdo ditë është duke u përkeqësuar, sepse të gjitha rastet janë në përshkallëzim negativ dhe ne nuk po shohim një dritë në fund të tunelit, duke u nisur nga paga minimale ku për vite të tëra nuk po ndryshon, duke u nisur që numri i punëtorëve me kontrata është në rënie, duke u nisur nga ajo se numri i të vdekurve në vendin e punës është duke u rritur dhe duke u nisur nga ajo që edhe njerëzim më pesimist po e shohin se shteti nuk po ndihmon. Prinë sektori i ndërtimtarisë, është një e katërta që kanë humbur jetën në vendet e punës, por nuk duhet anashkaluar edhe sektorët tjerë”, tha për Telegrafin, Azemi.
Ai shton se aktualisht nuk ka trajtim të dinjitetshëm të punëtorëve, sipas tij, organet shtetërore janë orientuar nga sektori publik.
“Ne sindikatë në një periudhë dy mujore kemi organizuar mjaftë greva dhe si sindikatë po bëjmë atë që nuk mundemi më tepër, po bëjmë të pamundurën. Fatkeqësisht për momentin nuk shoh një trajtim të dinjitetshëm të punëtorëve, organet shtetërore janë orientuar nga sektori publik, le të themi nga punësimi i njerëzve të vet”, shtoi kryesindikalisti që mbron të drejtat e punëtorëve në sektorin privat.
Edhe nënkryetari i Sindikatës së Re në Korporatën Energjetike të Kosovës (SR-KEK), Nexhat Llumnica, thotë se punëtorët në këtë ndërmarrje kanë rrezikshmëri shumë të lartë në vendet e punës dhe se personat që ka vdekur në vendin e punës nuk janë kompensuar.
“Punëtorët e KEK-ut kanë rrezikshmëri shumë të lartë në vendet e punës, ku shumica prej punëve i ekspozohen rrezikshmërisë të dridhjeve që ndodhin në termocentrale, sëmundjeve profesionale që i marrin në vendin e punës. Për kundër aplikimit të masave mbrojtëse, ku KEK-u i ka plotësuar kushtet aq sa mundet, mirëpo natyra e punës është e tillë dhe rrezikshmëria te punëtorët e KEK-ut është e lartë. Për përmirësimin e kushteve të punëtorëve investohet vazhdimisht nga KEK-u, por jo nga ana e Qeverisë së Kosovës. Qeveria asnjëherë nuk ndanë mjete për KEK-un që nga viti 2009 edhe ato mjete që e kanë subvencionuar KEK-un deri më tani kjo i kthen me kamatë”, tha për Telegrafin, Llumnica.
Ai tregon se që nga pas lufta e deri më tani kanë humbur jetën në punën 43 punëtorë të KEK-ut.
“Që nga pas lufta dhe deri më tani nga aksidentet fatale kanë pësuar 43 persona e lëre për sëmundjet profesionale që i marrin në vendin e punës si rezultat i rrezikshmërisë dhe ajrit të ndotur e gazrave helmues. Personat që ka vdekur nuk janë kompensuar, faktikisht ata që vdesin në vendin e punës i marrin katër paga, kurse ata që vdesin nga sëmundjet profesionale apo sëmundjeve të ndryshme i marrin dy paga. Punëtorët e KEK-ut, një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk mund ta shijojnë pensionin për arsye se marrin sëmundje gjatë orarit të punës prej rrezikshmërisë dhe kanë vdekje të parakohshme”, shpjegon ai.
Për drejtorin e Departamentit për Aftësim Profesional në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), Besim Mustafa, bizneset në vend po e kanë të vështirë sigurimin e financave që t’i përmbushin obligimet që dalin për sigurinë në punë.
“Ndërmarrjet në Kosovë kanë filluar t’i qëndrojnë gati problematikës dhe normalisht kjo shkon me zhvillimin ekonomik, sepse ndërmarrjet tona ka problem në sigurimin e financave për t’i përmbushur këto obligime. Janë marr disa hapa. Duhet të rritet vetëdija sepse humbja e jetës së një njeriu nuk ka kthim mbrapa, mirëpo aty janë pasojat negative që i ndjek si ndërmarrje në kuptimin e të bërit biznes. Një dëmin sipas rregullave faktikisht është mbyllje e një ndërmarrje dhe kjo mund të shkaktojë humbje të vendeve të punës”, tha Mustafa.
Ai konsideron se gjobat që vendosen ndaj bizneseve nuk janë zgjidhje kryesore për aksidentet që ndodhin në vendin e punës.
“Edhe pse është duke u zbatuar Ligji i Punës ky në vete i ka problemet e veta. Ajo që çfarë po ndodh në Kosovë, vetëm nëse vdes dikush në vendin e punës merret perspektiva e sigurisë të Ligjit të Punës. Ka shumë elemente paraprake përgatitore ku institucione të ndryshme marrin hapat e nevojshëm për t’i trajtuar çështjet dhe për t’i hetuar problemet. Konsiderohet që gjobat nuk janë zgjidhje kryesore, nuk është mjeti që i zgjidh këtë çështje. Nëse merr vendimin dhe e dënon, atëherë shkakton problemin e sigurisë për punëtorët tjerë në kuptim të humbjeve të vendeve të punës. Ne si OEK konsiderojmë që gjoba nuk është zgjidhje, duhet përgatitja dhe informimi deri në evitimin e një problemi apo një jete të njeriut”, tha ai për Telegrafin.
Ndërsa, Brikenë Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), thotë se edhe kur bëhen publike aksidentet dhe vdekjet në vendet e punës, sipas saj, mbesin pa përgjigje institucionale adekuate dhe se ambienti socio-ekonomik, ai ligjor dhe transparenca janë tri aspektet që ndikojnë në heshtjen e këtyre vdekjeve.
“Se jeta e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë është tejet e rrezikuar, e tregon edhe numri i vdekjeve dhe lëndimeve të njëpasnjëshme në vendin e punës, sidomos në tre vitet e fundit. Përpos që këto vdekje heshtë edhe atëherë kur bëhen publike mbesin pa përgjigje institucionale adekuate”, tha për Telegrafin, Hoxha.
Hoxha kërkon që fenomeni i vdekjeve të shpeshta në vendin e punës duhet të trajtohet me urgjencë nga institucionet e Kosovës.
“Është alarmante heshtja dhe mosveprimi institucional (i qëllimshëm ose jo) lidhur me këto raste tragjike si dhe pandëshkueshmëria e bizneseve të sektorit të ndërtimtarisë, që e bëjnë të duket sikur sektor mafioz. Fenomeni i vdekjeve të shpeshta në vendin e punës duhet të trajtohet me urgjencë nga Institucionet e Kosovës duke i thirrur në përgjegjësi organet e mbikëqyrjes, implementimit dhe te ndjekjes penale, për të gjitha subjektet që shkelin Ligjin e Punës dhe Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe mos të lejojnë më trajtimin e punëtorëve sikur të ishin skllevër. Punëtorëve në Republikën e Kosovës duhet t’ju garantohet që vendi i tyre i punës nuk do të kthehet në vend të vdekjes”, kërkon ajo.
Punëdhënësi, sipas Ligjit të Punës, është i obliguar ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë.
Po ashtu, punëdhënësi sipas Ligjit për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë, ka përgjegjësi që t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për siguri dhe shëndet në punë, duke përfshirë edhe masat parandaluese kundër rreziqeve profesionale. Në anën tjetër, i punësuari është i detyruar ta informojë Inspektoratin e Punës në rast të ndonjë aksidenti me pasojë në lëndimin apo vdekjen e të punësuarit.
Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës janë definuar edhe dënimet për të gjitha shkeljet të cilat rezultojnë me lëndime apo vdekje në vendin e punës. Sipas nenit 367 të këtij Kodi, kushdo që dëmton ose heq pajisjet mbrojtëse duke rrezikuar jetën e punëtorëve dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, ndërsa nëse pajisjet mbrojtëse nuk janë vendosur fare ose nuk janë mirëmbajtur, personat përgjegjës dënohen prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.
Në rastet e lëndimeve më të rënda, personi përgjegjës mund të dënohet me 1 deri në 10 vite burgim, ndërsa nëse rasti pason në vdekjen e një apo më shumë personave përgjegjësi mund të dënohet prej 1 deri në 12 vjet burgim. /Telegrafi/
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Qendrës për Politika dhe Avokim (QPA) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëBanka Ekonomike akoma më afër qytetarëve, shtrin rrënjët në Mitrovicën e Veriut
Magjia e festave fillon në Albi Mall, ndezja e dritave bëhet më 15 nëntor
Elfbar, zgjedhja e përkryer për dashamirët e shijes së Vape
ZRRE merr vendim që për sezonin 2024/2025 konsumatorët do të paguajnë njëjtë për ngrohje
Bëhu SMS – Trajnimi i ri i Hallakate për ndërtimin e strategjisë në rrjete sociale
Suksesi në rrota - PEUGEOT E-5008 shpallet vetura më e mirë familjare në 2024!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët