LAJMI I FUNDIT:

Kush (nuk) merret me thashetheme?

Kush (nuk) merret me thashetheme?

Je ose jo i famshëm, ato ju prekin. Deshëm ose jo, kemi eksperienca ku e gjejmë veten si të sulmuar nga ato, si dhe bërës të tyre. Në gjuhën e popullit, ndryshe njihen edhe si të marrit nëpër gojë, të dikujt. Ndërsa më e pranueshmja më duket, të folurit pas shpinës së dikujt.

Nga: Getoarbë Mulliqi

Ka shumë thënie interesante që e trajtojnë këtë “fenomen”; individë që padyshim duhet të kenë qenë pre e thashethemeve, një herë apo më shumë. Ndërsa ato që më pëlqejnë mua më së shumti, dhe i shoh tek miqtë e mijë në profilin e tyre në facebook, janë ato ku thuhet; “Ti flet pas shpinës sime, pasi që je pas meje”, “Ti flet për jetën time, përderisa unë e jetoj atë”, “Arsyeja e vetme, se përse dikush flet pas shpinës tënde, është sepse ata duan të jenë ti”, e shumë, e shumë të tjera. Mua më pëlqen një tjetër, paksa e “djegës” do të thosha, që thotë: Gjatë kohës që flet pas shpinës time, je në një pozicion të përshtatshëm ta puthësh prapanicën time! Eh, po, natyrisht se është vulgare! Por, më vulgare janë fjalët e pa baza, që thuhen për dikë, me tendencë për ta bërë atë person të ndihet keq, apo për t’ia prishur reputacionin.


Më the e të thash – deri në pafundësi!
Potencoj, përpos që nuk ndalojnë, ato nga goja – në gojë, marrin aq shumë forma, saqë madje as personi që e ka bërë thashethemin nuk do ta identifikojë, kreacionin e vet. Andaj, më lejoni të ju them diçka, njerëzit do të bëjnë thashetheme. Madje, ka edhe prej atyre që nuk do të ndalojnë kurrë se marri me thashetheme; e kjo vjen si pasojë e xhelozisë, që ata e ndjejnë. Natyrisht, nëse je më i mirë se ata, kjo është arma e tyre e vetme, për t’iu luftuar. Ata që merren me thashetheme, kanë tendencë që nëpërmjet gjërave që do t’i thonë për juve, ta bëjnë veten të duken më mirë! Andaj, përderisa flasin për juve, kuptojeni se i keni punët mirë.
Mirëpo, natyrisht ato lëndojnë. Ka shumë raste që nga thashethemet janë ndarë çifte, janë prishur familje e shoqëri, janë shkatërruar marrëdhënie, e mbi të gjitha prishur reputacione njerëzish.

Po pra, të gjithë bëjmë nga pak thashetheme
Edhe kësaj here, unë besoj në diçka pak më ndryshe; unë besoj se pyetja që duhet shtruar nuk është Kush merret me thashetheme, mirëpo Kush NUK merret me thashetheme?

Disa studime pandehin se, 60% e bisedave tona bazohet mbi thashetheme. Edhe pse shumica nuk e pranojnë, është e pamundur që të mos e kemi gjetur veten në mes të ndonjë thashetheme; me motrën, shoqen, komshiun etj. Andaj, para se t’ua drejtojmë gishtin të tjerëve, le të merremi me veten tonë fillimisht. Të gjithë tani e pyesim veten, ose pohojmë bindshëm se nuk kemi bërë thashetheme për ta dëmtuar dikë; mirëpo, të dëmshme apo jo, ato mbeten thashetheme.

Ndërsa, pyetja që duhet shtruar vetes është, përse bëjmë thashetheme, kur në fakt, poqe se dëgjojmë ato që thuhen për ne, pas shpinës tonë, na lëndojnë pafundësisht shumë; dhe nuk i marrim si qëllim mira asnjëherë.

Ta themi, unë me vajzën e dajës, aq shumë thellohemi në muhabet, saqë deri sa “e marrim malin”, i thërrasim ndërgjegjes. Dhe pyetja që ia parashtrojmë njëra tjetrës është, a thua si do të reagonim po ta dinim se dikush flet për ne, ashtu siç ne po flasim për ta. Dhe edhe pse e di se nuk është se ato fjalë dalin nga ajo dhomë, përsëri ndihem keq kur mendoj se dikush mund të flas për ne, apo për mua pa ditur saktë se çfarë po ndodhë.

Dhe, pak ditë më parë hasa në një thënie interesante nga facebook-u, ku thuhet përafërsisht kështu; Nëse e sheh një vajzë tinejxhere shtatzënë në rrugë, një fëmijë të mërzitur e që po rri vetë, një femër e cila ka hematoma nëpër trup, një djalë që po flet me vete… atëherë, mos qesh me ta. Nuk ke qenë në këpucët e tyre, për të ditur se çfarë iu ka ndodhur. Atë tinejxherin shtatzënë e ka dhunuar dikush. Atij fëmijës i ka vdekur nëna. Femrën e ka rrahur burri, ndërsa djaloshi që po flet me vete, ia kanë vrarë shokun para syve. Andaj mos gjyko, sepse pa qenë në lëkurën e tyre nuk e di se si ata ndihen. Dhe nga kjo vijmë tek diçka tjetër, a nuk janë thashethemet edhe paragjykime? Nëse, ne me të vërtetë nuk po tentojmë ta bëjmë dikë të duket keq, apo ta bëjmë të ndihet keq me to që i themi, a nuk po paragjykojmë, pa e ditur se çfarë në të vërtetë është duke ndodhur. Dhe besoni ose jo, nuk janë vetëm femrat që merren me thashetheme; Marylin Monroe thotë: Kur vjen puna tek thashethemet, pa hezitim më duhet të pranoj, se meshkujt janë po aq “fajtorë” sa edhe femrat. Edhe pse në diskursin popullor, jemi mësuar të dëgjojmë thënien, Merret me fjalë, si një grua e keqe, më lejoni të ju them që edhe si burrë i keq, në rastin e gjinisë së kundërt. E përsëri më duhet të kthehem tek ajo që e thash më lart, pra të gjithë bëjmë thashetheme, kush më shumë e kush më pak, mirëpo, nuk e pranojmë.

“KALI I MIRË ÇON PLUHUR”
Megjithëse janë njerëzit e rëndësishëm ata që përfliten më shumë, është mëse e natyrshme të flitet edhe për dikë që nuk është VIP. Mirëpo, thuhet se për ata që bëjnë diçka që një pjesë e madhe nuk mund ta bëj, flitet më së shumti.
Ndërsa, mua më kanë thënë, se “Kur nuk flasin për ty nuk i ke punët mirë, se kur flasin…” e që do të thotë, se është pothuajse e “vërtetuar” se ata njerëz që janë të arrirë janë më të ekspozuar ndaj fjalëve. Mirëpo kjo nuk i bën më të fortë emocionalisht, apo se do t’i përballojnë këto fjalë. Të gjithë lëndohen njëlloj. Nëse jo ata, atëherë të implikuari direkt ose indirekt, po patjetër.

Edhe pse thonë, se ata që nuk kanë se me çfarë të merren, atëherë merren me të tjerët, unë nuk pajtohem; ta zëmë, një medium ka me se për t’u marrë, e natyrisht më së shumti me informimin, të patën ky është misioni që duhet caktuar vetes. Mirëpo, me evolimin e teknologjisë, konkurrencën në treg si dhe në kualitet, mediumet merren edhe me thashetheme. Këto “thashetheme” janë të përmasave më të mëdha, ka raste kur eskalon situata dhe del komplet diçka tjetër, mirëpo tashmë pothuajse 100 vjeçare, kjo lloj gazetarie, bën që mediet të kenë fitime më të mëdha. Ekspertët e konsiderojnë si joprofesionalizëm, mirëpo ja që është interesante dhe relaksuese për lexuesit. Si dhe, një kuriozitet lidhur me këtë “fenomen”, besoni ose jo që nga fillimi i praktikumit të kësaj gazetarie, gazetarët që merren me pjesën rozë, janë më të “respektuar” nga personat e rrezikuar, apo potencial të preken nga thashethemet.

Andaj, thashetheme ka gjithandej; në pallatin ku jetojmë, dyqanin e lagjes, te floktari, në taksi e të tjerë – mirëpo, sa më shumë që provojmë të mos biem pre e tyre, apo të gjendemi duke bërë thashetheme, aq më mirë do t’i kemi punët.
Ndërsa ju që jeni më shumë të ekspozuar nda këtyre, dhe të atakuar nga thashethemet, më lejoni të ju them që, vërtetë “KALI I MIRË ÇON PLUHUR”; andaj, falënderojuni atyre që nuk lejojnë që të mos jeni prezent në bisedat e tyre. E në këtë mes, ju jeni fitues! /Telegrafi/