LAJMI I FUNDIT:

Kusari-Lila kërkon zhbllokim të pozitës së Kosovës

Kusari-Lila kërkon zhbllokim të pozitës së Kosovës

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, në kuadër të vizitës saj në Bruksel, të enjten u takua me Renata Vitezin, drejtoreshën e Sekretariatit të CEFTA-s dhe drejtorin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme Hungareze Laszlo Varkonvyi, si dhe me komisionarin për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë Stefan Füle.

Takimi me Fülen rezultoi se është e nevojshme që të merret në shqyrtim marrëveshja preferenciale, si dhe të rishikohet çështja e vulave. Gjithashtu, pritet që në ditët në vazhdim të vendosen masa të ndërsjella tregtare me vendet që i kanë shpërfillur vulat e Kosovës.

Në kuadër të takimit me CEFTA-n u bisedua për pozicionin e Kosovës në marrëveshje,
posaçërisht sa i përket raporteve me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Ministrja Kusari-Lila përmendi planet e Qeverise së Kosovës që të vendosë masa reciproke sa i përket tregtisë me vendet që nuk kanë njohur vulat doganore të Kosovës. Gjithashtu, u potencua nevoja që të shihen rezultatet konkrete nga marrëveshja e CEFTA-së, e jo vetëm të merremi me organizim të takimeve dhe shtyrje të afateve.

Në takimin me Laszlo Varkonvyin u bisedua për çështjet e preferencave tregtare me BE-në, se si Kosova ka mbetur peng i mosmarrëveshjes procedurale mes Parlamenti dhe Këshillit Evropian.


Të premten Kusari-Lila udhëton për në Berlin, ku do të ketë takime punë me Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë (MET), si dhe me deputetë të Bundestagut Gjerman, si dhe me këshilltarin për Politikë të Jashtme të kancelares Angela Merkel. /Telegrafi/