LAJMI I FUNDIT:

Kur të tjerët debatojnë nëse është gjenocid sulmi i Putinit kundër Ukrainës

Kur të tjerët debatojnë nëse është gjenocid sulmi i Putinit kundër Ukrainës

Nga: Oleksandr Mykhed, shkrimtar ukrainas / The Guardian (titulli origjina: Others debate whether Putin’s attack on Ukraine is genocide. As bombs rain down on us, I have no doubt)
Përkthimi: Telegrafi.com

Dita e 468-të e pushtimit. Qendra e Kievit. Ora dy e mëngjesit. Gjatë 35 ditëve të fundit, unë dhe gruaja ime Olena e kemi zbuluar një mënyrë të re për të fjetur. Trupat tanë janë mësuar aq shumë me alarmet e vazhdueshme të sulmeve ajrore të natës, saqë tash mbahemi në ekuilibër duke qenë buzë gjumit të thellë – që të paktën na garanton një pushim të vogël – ndërsa gjatë gjithë natës i përdorim teknikat e veçanta të dëgjimit. I gjithë trupi shndërrohet në vesh të madh. Dhe, në një moment, zhurma e raketës që afrohet na shkëputë nga dremitja e bollshme.


Nuk kemi nevojë për fjalë. Si zakonisht, kërcejmë nga shtrati dhe me disa hapa fluturojmë nga dhoma e gjumit drejt e në korridor. Rregulli me dy mure e krijon iluzionin e sigurisë. Asnjë mur nuk mund të na shpëtojë nga goditja e drejtpërdrejtë e dronit Shahed të Iranit ose nga raketa ruse. Megjithatë, ekziston përshtypja placebo se të paktën do të na mbrojë nga vala e shpërthimit dhe nga copat e xhamave.

Qeni Lisa tashmë është fshehur në korridor. Këtë muaj po kalon më shumë kohë nën karriget dhe nën tryezën ku hamë, si dhe në një vend të ri – në derën kryesore. Është në kërkim të një vendi të sigurt i cili nuk mund të gjendet në këtë qytet.

Në majin e vitit 2023, 32 alarme për sulm ajror u dëgjuan në Kiev; 23 prej tyre gjatë natës. Forcat e mbrojtjes ajrore rrëzuan 85 raketa dhe 169 dronë që u drejtuan për në qytetin tonë. Thjesht, ndalova së numëruari numrin e Shahedëve të vrullshëm që Olena dhe unë i dëgjonim mbi kokat tona.

Ashtu si ndërprerjet e mëparshme të rrymës – kur rusët e bombarduan infrastrukturën ukrainase dhe e terrorizuan popullsinë civile – shprehitë e reja po krijohen. Një mekanizëm i ri mbrojtës zhvillohet për çdo veprim gjenocidal.

Granatimet gjatë natës rezultojnë me reagime të ngadalësuara dhe nga ndjenja e lodhjes kronike. U shtua reagimi ndaj tingujve të lartë. Shkaku i shpërthimeve përballemi me stresin e natës duke konsumuar diçka të ëmbël. Rezistenca e mendjes është e tillë saqë përballon komunikimet poshtë e lartë dhe mesazhet që vijnë pa pushim përgjatë gjithë kolonës zanore të shpërthimeve të natës.

Jeta nuk ndalon gjatë gjenocidit. Megjithatë, është prishur rrjedha e jetës.

Trupat pushtuese ruse e hodhën në erë digën e hidrocentralit të Kahovkës. Niveli i katastrofës është i paimagjinueshëm dhe pasojat janë të pamundura që të vlerësohen. Ekosistemet janë shkatërruar. Ekonomia globale është goditur dhe shpresat për të paktën disa korrje tashmë janë vënë në pikëpyetje. Uji i pandalshëm dhe i egër i ka përmbytur dhjetëra vendbanime dhe 16 mijë banorë vendas janë nën kërcënim të drejtpërdrejtë. Krimeja e pushtuar përkohësisht mund të mbetet pa furnizim me ujë të pijshëm. Në termocentralin bërthamor të Zaporizhias ekziston rreziku i kolapsit, pasi ai ftohet me ujin nga rezervuari i Kahovkës. Përmbytja fsheh gjurmët e krimeve të luftës ruse dhe varrezat masive brenda territoreve të pushtuara të rajonit të Hersonit.

Çfarë fshihej te mendimet e trupave ruse, përveç përpjekjeve për panik për ta ndaluar disi mundësinë e një kundërofensive ukrainase?

Koncepti i së ardhmes nuk ekziston si i tillë në mendësinë e Rusisë së Putinit. Si çdo regjim totalitar, ushqehet nga pakënaqësia dhe nga premtimet e vazhdueshme për një kthim në epokën e artë, të cilën fashistët rusë e shohin si një lloj hibridi midis BRSS-së dhe perandorisë ruse.

Forcat pushtuese ruse nuk kanë strategji, vetëm taktika të bazuara në dy koncepte.

E para është e papërkthyeshme në asnjë gjuhë të botës: авось (“avos”). “Të rrezikosh me shpresën se do të funksionojë disi”, “dëshirë e pamotivuar për të përfituar nga një rastësi e favorshme e rrethanave, për të pasur fat”. Gjithçka bazohet në këtë, “thjesht, mbase disi” – idenë e pushtimit në shkallë të gjerë, mbrojtjen e kufijve rusë dhe mbajtjen e territoreve të pushtuara. Vetëm mbase, kjo disi do të funksionojë.

Baza e dytë e veprimeve të tyre është gjenocidi metodik, i përditshëm. Nëse nuk ka të ardhme për ta, pse duhet ta kemi ne një të tillë? Ata na i rrëmbejnë fëmijët. Ata e djegin natyrën. Ata i shkatërrojnë qytetet. Zonat e gjera janë duke u minuar dhe çminimi merr disa dekada. Ata duan që e gjithë bota të ketë frikë prej tyre.

Metodat ruse të luftës kanë qenë të pandryshuara që nga koha sovjetike: jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë. Nuk ka rëndësi nëse ka të bëjë me armikun apo me civilët e tyre paqësorë. Në vitin 1941, çekistët sovjetikë e hodhën në erë digën e hidrocentralit të Dnipros, në përpjekjen që ta ndalojnë përparimin e trupave gjermane. Megjithatë, nuk ishte vetëm armiku që përfundoi nën dallgë. Sipas vlerësimeve të ndryshme, 20-100 mijë veta nga personeli ushtarak dhe civil sovjetik, u vranë në atë kohë.

Jeta nuk ndalet gjatë gjenocidit. Jeta përpiqet të mbijetojë.

Teksa i shkruaj këta rreshta, unë ende shpresoj se komuniteti botëror do t’i përgjigjet disi kësaj fatkeqësie të shkaktuar nga njeriu, që shumë shpejt do ta shkaktojë një krizë ushqimore, që do të ketë pasoja të pakthyeshme për ekosistemin dhe do të ndikojë në klimë. Në vend të kësaj, OKB-ja e feston Ditën e Gjuhës Ruse. Data nuk u zgjodh rastësisht – është ditëlindja e Alexander Pushkinit, poetit të shekullit XIX, monumentet e të cilit po shkatërrohen në të gjithë Ukrainën meqë është simbol i kolonializmit rus.

Teksa i shkruaj këta rreshta, miqtë e mi ushtarakë që e mbrojnë kufirin në rajonin e Harkivit, urdhërohen që t’i mbajnë gati maskat e gazit – një re amoniaku po u afrohet, sepse gjatë natës trupat ruse e dëmtuan një tubacion.

Teksa shkruaj këto rreshta, dhjetëra vullnetarë po i organizojnë karvanët e makinave për t’i evakuuar ata që kanë humbur shtëpitë e veta. Të gjithë jemi në të njëjtën varkë të evakuimit nga ky pushtim.

Gjenocid është kur katastrofat e shkaktuara nga njeriu ngjajnë me skenat biblike të shkatërrimit masiv. Gjithçka e kudo në të njëjtën kohë.

Kolegët perëndimorë thonë se do të jetë pothuajse e pamundur të klasifikohen veprimet e Rusisë si gjenocid ndaj ukrainasve. Më duhet t’jua bëj një gjë me dije. Kur gjenocidi vjen në tokat tuaja, lehtësisht do të njihet.

Gjenocid është kur nga ajo që ke parë, gjithçka ngrihet brenda teje, gjunjët të dobësohen dhe mbetesh pa fjalë. Është kur e kupton se ligësia e kryer do të ketë pasoja të pakthyeshme.

Gjenocid është kur armiku për çdo ditë e ndryshon peizazhin e ndërgjegjes tënde dhe psikika jote – thelbi i asaj që je – detyrohet të formojë reagime të reja, zakone dhe modele të thyera të sjelljes.

Gjenocid është kur shkalla e katastrofës nuk përshtatet me kutinë e fundme të imagjinatës tënde. Është kur e kupton se zemërimi i ditës së mëparshme nuk është i mjaftueshëm. Dhe, e kupton se je i aftë të ndjesh zemërim edhe më të fortë ndaj armikut.

Kjo është ajo, kur e gjithë jeta lufton për të ardhmen. /Telegrafi/