LAJMI I FUNDIT:

Ku jeton Eva?

Ku jeton Eva?
Ilustrim

Nga: Eva Sinanaj

… Eva, shkruaj shkurt se jetojmë në kohën ku ka humbur durimi dhe sidomos ai i të lexuarit. Po përmblidhem me vend për interpretim, hamendjesim dhe reflektim. Po jetojmë në një shoqëri të sëmurë me diagnozë, ku kërkohen zgjidhje dhe jo gjetje fajtori (fajtor jemi të gjithë nga pak, në një formë ose në një tjetër). Shoqëria ime dhe e jotja, pra kjo shoqëria jonë, e jona se i përkasim dhe na përket po njësoj si në të drejta, si në detyra, po vuan nga një kleptomani kolektive.


E jona shoqëri vuan nga pandëshkueshmëria. Vuan nga dukja. Vuan nga idetë pa ide dhe nga ato që nuk marrin jetë. Vuan nga institucioni i mikut që duket me rrënjë të thella shekullore. Shoqëria jonë vende-vende ia hedh vetës. Ky fshat i madh digjital e ka shumë qejf spërdredhjen e fjalës, jargosjen, servilizmin. Herë është individualiste, cinike, koprace, herë kolektiviste, bujare. Burra që tundohen nga pushteti dhe nga gratë (me të gjitha format që vjen dhe që prekin). Gra që tundohen nga shumëçka që ju vjen falas dhe qyl. Vende-vende ecim, vende-vende ngecim.

Në kohën e zgurdullepsur, kur të duash të jetosh në vendin tënd, të rrisësh brezat këtu po duket si “mëkat”. Po jetojmë atë kohën ku duket se prindërit janë shumë të lumtur se fëmijët e tyre po flasin anglisht kur nuk dinë mirë shqip. Po jetojmë në atë kohën e vrarë kur secili nga pak e vret në një formë a në një tjetër. Po jetojmë në një tragjedi-komedi kolektive. Mendësia se nëse jam mirë unë dhe të mitë, pak më duhet ai tjetri, është ajo primitivja, joqytetarja që zhduk vazhdimësinë.

Disa të zilepsur e disa të nepsoqur për atë që hamendësojnë. Gjithë kjo tahma për një stomak aq të vockël. Nuk di kush janë më të vogla zemrat, të ndjerit, truri, të menduarit apo shpirti. Edhe shoqëria ka shpirt sikur trupat njerëzorë. Jetojmë, shikojmë dhe përjetojmë sjelljet e vogla të njerëzve “të mëdhenj”. Shikojmë se si tak-tak një nga një bien, shiten e blihen mes veti për kocka edhe ata që duhet të mbesin të pangjyrosur dhe përlyhen si ylberi. Jetojmë në kohën ku brezi i sapunit “Duru” të deh me parfum, botoks dhe lëkurën e krokodilit apo të leopardit. “Më thuaj se nga vjen, të të them se cili je”, thotë populli. Unë “luftoj” e punoj çdo ditë me të paudhin, me të paaftin e fuqishëm të një miku, me një mulli ere.

Unë besoj te ndërgjegjësimi i secilit individ, unë besoj te kauza e madhe (idealiste budallaqe), po ne pse jemi të ndryshëm në formë e përmbajtje. Disa duan vetëm të frymojnë. Nuk më duhen ofiqe e pushtete për të diagnostikuar dhe ndihmuar shoqërinë. Si të luftojmë korrupsionin? Mos u korrupto. Si të t’ia bëjmë të paligjit? Respekto ligjin, edhe nëse ka kosto me vendin e punës. Si t’ia bëjmë padrejtësisë shoqërore? Bëhu ti i drejti dhe mos u intimido nga askush dhe nga asgjë.

E keni menduar ndonjëherë se çdo të ndodhte sikur institucionalistët e mirë e të ndershëm të atdheut apo punëtorët nëpër firma private të dorëhiqen nga detyra se nuk pajtohen me padrejtësinë, mungesën e meritokracisë dhe dhunën psikologjike që ushtrohet mbi ta? Këtë pak e bëjnë, se ndoshta janë në zhdukje. Zinxhiri nis që nga poshtë. I keni parë tabelat që kërkojnë kamerierë, banakierë etj.?

Po sikur të iknit për idetë tuaja (që nuk i keni), sikur t’i mbronit pak më shumë (keni frikë t’u jepni zë), të vendosni të mos pajtoheni, bëheni palë dhe nënshtroheni me atë që nuk shkon (ju pëlqen emri që nuk e përdorni për bijtë, statusi, makina e punës e ato të tjerat që nuk po i përmend për etikë komunikimi), më mirë do të ishim të gjithë dhe shoqërinë jo të shëndoshë, porobeze do takishim nga standardi. Ky është revolucioni ideve, parimeve, vlerave.

Ne do të “luftojmë” përmes tyre për të mirën e përbashkët. Ka dalë nga moda të hapësh parti dhe të futesh në të. Në modë do risjellim të mirën, humanizmin, vullnetarizmin, disiplinën, meritokracinë dhe elitën. Shqipërinë ta lëmë me të mirë se e gjetëm, kjo është detyra jonë e parë qytetare dhe atdhetare. Shënim: Kam një keqardhje tepër të madhe për të tretin (sipas protokollit) pushtetar, të përzgjedhurin “shërbëtor” tonin, se si djalë qytetar dhe oborri, ia hedhin shokët e shoqet e veta, me të cilët ka vite që udhëton dhe përpiqet për ne, ditë e natë.

Nuk i kërkojmë dot as pse nuk i ndëshkon të gjithë ata, të cilët kanë abuzuar me mirëbesimin e tij dhe pushtetin që iu ka dhënë, se ai ua ka lënë në dorë organeve kompetente. E gjithë kjo filozofi mirëbesimi ka sjellë kosto të panevojshme dhe të paarsyeshme në jetën tonë shoqërore. Nuk na ngelet veçse të themi: “Shokët e shoqet zgjidhi më të mirë se vetja” dhe të tregojë vëmendje dhe kujdes të shtuar në përzgjedhjen e tyre (ju sugjeroj të vendosni nëpër institucione njerëz që nuk janë politik, por janë profesionist të fushave përkatëse, ata që njohin institucionin dhe e duan atë, kështu shkojmë dalëngadalë të gjithë së bashku drejt meritokracisë reale), objektiv kryesor i secilit që merr përgjegjësi publike sikur ju.

Faleminderit për emrin e Shqipërisë që e promovoni në arenën ndërkombëtare, këtu nënkuptoj kur shpërfaqni artin tuaj personal (sa më pak pjata me piktura, që të mos u lëmë vend gojëve të liga që jua kanë zilinë, se po abuzoni me pushtetin, për t’u njohur si artist dhe po merrni nga koha e punës së shtetit për t’i realizuar), se atë tjetrën e keni detyrë funksionale, kombëtare dhe qytetare. Sa më pak fasadë dhe shpenzime dekorative dhe sa më shumë përmbajtje për çdo rast. Si profesioniste e fushës së protokollit dhe shoqërisë, si pedagoge, sa më sipër për dijeni dhe vëmendjen tuaj. Në mes veti vetëm do të duhemi pa kushte e do të pranohemi, e do të bashkëpunojmë në një formë a në një tjetër, pa fyerje, pa arrogancë, pa atë gjuhën e urrejtjes dhe hakmarrjes. Më mirë të duhemi se të vet zhdukemi.

Duhet të çojmë përpara atë që na është lënë. Secili rresht është një këshillë sociologjike dashamirëse, për atë që ka dëshirë dhe vullnet për të mirëkuptuar dhe vazhduar misionet që me vullnet të lirë i kemi dhënë vetës në këtë jetë. “Më thuaj me kë rri të të them se cili je”, perifrazimi popullit, sëmundje profesionale e sociologut. Ma bëni hallall. Ju përshëndes me filmin shqiptar “Koncert në vitin ‘36″ dhe le të futemi pak në reflektim kolektiv se sa para kemi ecur. Standard jete! Eva, ke shkruar si shumë më duket. Frika iu përket gabimtarëve.

E juaja, sociologe Eva Sinanaj.