LAJMI I FUNDIT:

Ku është dhe kah shkon Maqedonia? Ju tregojnë analistët!

Ku është dhe kah shkon Maqedonia? Ju tregojnë analistët!

Duke u nisur nga ngjarjet e fundit politike në Maqedoni ku ende nuk janë përmbushur kushtet e Marrëveshjes së Përzhinos dhe përkeqësimi i situatës politike me vendimin e kryetarit Gjorgje Ivanov për faljen e 56 personave të paditur në gjykatat e Maqedonisë, Telegrafi Maqedoni ka kontaktuar analistë për të gjetur përgjigjet e pyetjeve
‘kah shkon Maqedonia’ dhe ‘ku është zgjidhja?’.

Ramadan Ramadani në këto dy pyetje është përgjigjur ”Maqedonia gjatë kohë ndodhet në krizë politike që po kalon në krizë të thellë shoqërore të ndarjes së mëtejshme të një shoqërie edhe ashtu elementarisht e ndarë. Pjesa “maqedonase” tani është në papajtueshmërish e shpërndarë në dy pjesë. Njëra që përbëhet nga iluzioni i sajuar me mashtrimet dhe rrena për hajvarin, identitetin antik dhe stabilitet inekzistent. Pjesë kjo e shoqërisë që udhëhiqet nga PDUKM(DPMNE) dhe në thelb është kundër proceseve euro-atlantike të Maqedonisë. Dhe pjesa e dytë që më shumë sheh realitetin e migrimit definitiv të të rinjve dhe të kualifikuarve, mungesën e insulinave, vdekjen e foshnjave, që udhëhiqet nga opozita që është politikisht e dobët dhe nuk mund këtë të ndërlidhë me proceset euro-integrative si procese forcuese të përpjekjeve për një shtet të së drejtës. Shqiptarët këtu mbeten në mes dhe duke qenë politikisht të paartikuluar përtej “mbjelljeve të sallatave” nuk kanë qëndrim të mbledhur shoqëror. BDI, si ish forca e parë politike politikisht i ka kastruar shqiptarët e Maqedonisë duke u marrë vetëm me konstatime të situatës dhe duke mos bërë asnjë iniciativë politike. Kurse në rastin e krizës së tanishme duke i fryrë qëndrimit se kjo është krizë vetëm brendamaqedonase dhe duke u munduar ti mbajë anash shqiptarët, për llogari të klikës udhëheqëse pasi shihet se këtë qëndrim anash nuk e bën për kuadrot e veta prej policisë e deri tek ministrat që aktivisht janë anë dhe palë në konfliktet politike përgjatë krizës. Pritet që krejt këtë qëndrim shqiptar në një farë mënyre ta ndryshojë opozita shqiptare, por ajo mund të ndodhë vetëm pas ndonjëfarë zgjedhjeve politike që njëkohësisht do jenë edhe zgjidhje e kësaj krize.” tha mes tjerash Ramadani për Telegrafi Maqedoni.


Mersel Bilalli gjithashtu është përgjigjur duke e cilësuar Maqedoninë si një anije pa kompas ”Maqedonia që moti i gjason një anije që lundron pa kompas, të cilën madje e drejtojnë piratë e gusar. Bashkësia ndërkombetare luan në letrën e lodhjes, pasi energjia nacionaliste që ka mbjellë Gruevski akoma shkrin çdo fakt se falja nuk është për patriot por për udhëheqës të futur thellë në megakrim. Tani mbetet protesta masovike nga të gjithë partitë, shoqatat, intelektualët etj, pa dallim kombi e feje që të bllokohen të gjitha institucionet të cilat që moti funksionojnë si institucione private të disa personave udhëheqës. Pastaj besoj edhe bashkësia ndërkombëtare do të jetë më efikase në aso pozicionesh bllokade. Alternativë tjetër nuk ka.” përfundon Bilalli.

Xhenis Sulimani ka bërë një listë të fajtorëve për këtë krizë ”Kriza politike në Maqedoni e ka lënë Maqedoninë anash në shumë procese, por ana pozitive e krizës është se ka nxjerrur shumë leksione. E para, kriza u vulos me mungesën e dialogut politik. Dialogu politik u zhvillua mes katër partive më të mëdha dhe faktorit ndërkombëtarë, që do të thotë se ishte përjashtuese për subjektet tjera relevante në politikbërje. Leksioni, cdo marrëveshje tjetër eventuale pas Përzhinës duhet të jetë gjithëpërfshirëse, pjesëmarrja e shoqërisë civile, partive jashtëparlamentare dhe gazetarëve duhet të jetë i patjetërsueshëm. E dyta, ndërkombëtarët u besuan tejmase krijuesve të krizës u dhanë shans të dytë. Leksioni, ata që kanë cenuar integritetin e institucioneve për interesa personale s’mund të jenë përfaqësues legjitim edhe nëse pas tyre qëndron një elektorat numerikisht i madh. E treta, nxorri në rrugë disa qytetarë të revoltuar me politikën aktuale- vendimin e Ivanovit, dështimin e Përzhinës, obstruksionet ndaj PSP-së, …që na mëson se regjimi me 5 mijë veta të revoltuar nuk mund të ndryshohet. Leksioni, duhet masë më e madhe në rrugë për të dëshmuar se ne jemi kundër këtij regjimi, se ne e duam sundimin e ligjit, se ne qëndrojmë dhe përkrahim punën e Prokurorisë speciale. Bindja ime është se janë këto 3 leksione që do e nxjerrnin Maqedoninë nga kriza dhe do e shpienin drejt demokratizimit.” thotë Sulimani.
Sulimani jep mendimin e tij edhe për atë se ku është zgjidhja ”Dialogu politik i jep kuptim politikës dhe e bën më kredibil. Zgjedhja e përfaqësuesve që nuk kanë qenë të përfshirë nëpër afera të ndryshme krijon besim tek institucioni i politikanit, ndërkaq puna e mirëfilltë institucionale do ta kthente besimin te institucionet shtetërore.” përfundon Sulimani për Telegrafi Maqedoni.

Xhelal Neziri flet për atë se çka na solli krizën dhe si rregullohen kundërthët dhe përplasjet. Ai thotë ”Maqedonia është në një udhëkryq të rrezikshëm. Me institucione jokredibile, sistem shtetëror të partizuar dhe me një klientelizëm të instaluar në shoqëri, gjendja bëhet aq e komplikuar saqë çdo zgjidhje e krizës pamundësohet që në start. Maqedonia definitivisht shkon drejt një përkeqësimi të gjendjes, gjë që mund të sjellë rreziqe serioze për stabilitetin jo vetëm të këtij vendi. Zgjidhja mendoj se është reforma rrënjësore e sistemit, duke u bazuar në Raportin e Pribesë, e që nënkupton depolitizimi i gjyqësorit, departizimi i institucioneve dhe dekriminalizimi i partive dhe shoqërisë. Kjo nënkupton një prezencë më të shtuar ndërkombëtare që do të përmbushin atë vakum të krijuar nga zhbërja e institucioneve dhe do të krijonin parakushte që në një periudhë të caktuar vetë qytetarët e Maqedonisë të vendosin për fatin e tyre në zgjedhje të lira dhe demokratike.” përfundon Neziri.

Sefer Tahiri thotë se pyetja e Telegrafit është pyetje si në kuiz për 1 milion dollarë, duke e ditur realitetin dhe krizën e rëndë politike ”Një pyetje për 1 milion dollarë. Kah shkon Maqedonia tashmë nuk e dinë as ata që drejtojnë me të në aspektin formal0 juridik. Mendoj se Maqedonia po ec drejt një rruge pa krye, është në një kaos, luftojnë mes vete drejtësia dhe padrejtlsia, liria dhe kontrolli i mendjes, demokracia dhe diktatura. Maqedonia nuk është në rrugë të mbarë, or është në një rrugë me shumë të panjohura. Zgjidhja do ishte tek organizimi i zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, por pasi të krijohen kushtet optimale për mbajtjen e tyre.” thotë Tahiri për Telegrafi Maqedoni.

Gazetari Nazim Rashidi thotë ”Kriza e Maqdonisë për momentin është e ngrirë. Sa do që kjo të duket një lloj normaliteti, qoftë edhe për pushtetin, në fakt situata po gërryen institucionet. Pikërisht kjo situatë por edhe presionet e ndryshme ato nga opozita që pritet të rriten por duke përfshirë dhe ato ndërkombëtare do të çojnë në lëvozje të tjera. Një ide që përflitet është një qeveri e gjerë, por edhe kjo që të realizohet do të kalojë në turbulenca të forta. Do të vërtetohet vetëm papërgjegjshmëria e politikës që mbetet konstante kurse e vetmja gjë që është e qartë, edhe pse shumë e dëmshme për të gjithë shoqërinë, kriza, e ngrirë ose jo, do të vazhdojë edhe për një kohë.” thotë Nazim Rashidi.

Përndyshe, faktori ndërkombëtar është angazhuar në mënyrë intensive për të zgjidhur krizën në Maqedoni. SHBA, BE dhe së fundmi edhe Gjermani nëpërmjet ndërmjetësuesit Johannes Haindl i është futur punës për të zgjidhur krizën politike në Maqedoni, e cila cilësohet si kriza më e rëndë që nga ekzistimi i Maqedonisë./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Kronika e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit

Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori