LAJMI I FUNDIT:

Kritikë për një politikë të jashtme zhbiruese – autoritative

I.
Politika e thellimit të njohjes së Republikës së Kosovës nga vendet e ndryshme, nisur nga prioritetet është e rëndësishme t’i thyej klishetë e deritashme vepruese-lobuese. Qysh pas 17 shkurtit 2008, kjo politikë (bazuar në rëndësinë fundametale për vendin), nuk e ka arsyetuar vetën në masën e duhur, pavarësisht nga dëshirat e mira apo edhe nga pengesat e njohura dhe të panjohura. Koha e humbur apo e shtjerrë e mosefikasitetit të duhur dhe mungesa e numrave të dëshiruar njohës kanë prodhuar dobësi: që prej konstituimeve institucionale-shtetërore, e deri te politikat menaxhuese-diplomatike të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit. Pra zbrastësia e qasjeve dinamike, apatia disa herë e pakuptueshme, reflektimi i brishtë menaxhues i resurseve institucionale duket që e kanë mbajtur politikën e jashtme të vendit (në faza të ndryshme), në konfuzion dhe përgjumje. Thënë ndryshe, fusha e politikës së jashtme-fokusi i saj institucional, ishte kthyer (ende pa u konsoliduar mirë) në një fushë neglizhente-joefikase. Thjeshtë, gjërat kanë vajtur disi zbehtë. Ministria e Jashtme për çudi të zotit, ka lënë një përshtypje të një institucioni të zhytur në komoditet provincial përball detyrave dhe aktiviteteve tepër urgjente, përballë përgjegjësive kruciale, e ku ndoshta cilësia kryesore e dallueshme aty ka qenë fakti se disa nga kuadrot e saj e kanë njohur me elegancë gjuhën angleze, ose ndonjë gjuhë tjetër.

Gjuhët, cilado qofshin ato dhe sado të preferuara e globale, nuk e zgjidhin gjithë problemin. Janë strategjitë, segmentet e interesave, determinimet e politikës së brendshme, informacionet, institutet, metodat, aktivitetet ato që e strukturojnë institucionin dhe i japinë frymë politikës së jashtme, si dhe i japin kahje të saktësuara asaj. Në këtë ministri, duket se që prej fillimit s’pati ide të qarta-kompetente. S’pati sa duhet invencion të planifikuar, kooperim të duhur të brendshëm ndërinstitucional, s’pati politika strategjike etj. Ajo që do theksuar këtu, ishte mungesa permanente e vullnetit dhe e dinamikës politike-institucionale për ta quar përpara domosdoshmërisht, subjektivitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. E ndërkaq, koha pas 17 shkurtit 2008, ishte jo vetëm çështje e interesit krucial, por ishte edhe kohë brilante për angazhime të theksuara të shtetit të sapolindur, gjithnjë në drejtim të forcimit ndërkombëtar të subjektivitetit politik dhe juridik të tij. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, nuk arriti të organizojë ndonjë aktivitet ndërkombëtar (takime, seminare, konferenca), e ku do të silleshin në Prishtinë nivele të larta zyrtare-ndërkombëtare. Së paku, ka mundur të organizohet një pritje e gjerë diplomatike falënderuese (ose diçka e ngjashme), për përfaqësuesit e vendeve që deri më tani e kanë njohur Kosovën.


Ajo që bie në sy që prej së largu, ishte strukturimi ministror ad-hok. Pak njerëz adekuat, u angazhuan të bënin detyrat e këtij dikasteri absolutisht strategjik për shtetin tonë të ri. Pavarësisht se kush mund të ketë qenë fajtor, njerëzit që u dërguan në misione diplomatike jo vetëm që nuk i plotësuan kriteret politike-profesionale, por nuk i plotësuan as kriteret diplomatike. Në anën tjetër, u injoruan dhe u ndrydhën edhe vullnetet qytetare, mediale, arsimore, publicistike që ishin gati (aq sa ishin), të bëheshin pjesë e lobimit (aq sa do të bëheshin), gjithandej. Epo ashiqare, politika e jashtme jona, nuk arriti të çlirohet nga tradita provinciale-partiake. Politika jonë e jashtme, edhe më keq, tentoi të krijonte një “oborr diplomatikë” prej miqsh partiakë dhe “ilakesh” nga më të tërthortat! Thjeshtë, ajo nuk arriti të bëhet e zonja dhe mbeti disi apatike-disi e izoluar.

E kuptoj që puna më e lehtë është të kritikohet. Absolutisht, është korrekte të thuhet se puna më e mirë është të kritikohet me kohë, dhe që problemet dhe difektet të shihen e të thuhen me kohë. Megjithatë, thonë që në punën e tjetrit s’duhet ndërhyrë…! Dhe thonë që kur s’të pyet kush, heshtë…! Por, punët publike kanë një kosto: janë interes i përbashkët. Fundja, janë taksat tona ato që shpenzohen nga institucionet, kurse qeveritarët, asnjëherë nuk mund të sillen me komoditet dhe papërgjegjshëm: me një fjalë, padijshëm! Sepse, pse ekziston norma e revokimit, e dorëheqjes, e sanksionit…?

II.
Në kontekst të kësaj analize, e theksoj që politika e jashtme është themelore sidomos për një shtet në evoluim, por edhe për një shtet me çfarëdo moshe. Në komparacion, bazat e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, ende nuk janë vënë si të mirëfillta. Kapacitetet zyrtare-menaxhuese, kanë vuajtur qoftë për nga efikasiteti dhe qoftë për nga cilësia. Po e marrë shembull stafin e ambasadorëve, pavarësisht që vendimin lidhur me nominimin (zgjedhjen) e tyre, e bënë presidenti i vendit. Pra, cili është ky staf? Tjetra: çfarë kursi është ndjekur për ta pasur një politikë të jashtme dinamike-aktive, serioze, zhbiruese? Ç’farë përvojash janë ndjekur për ta instaluar një diplomaci fleksibile, efikase, mbresëlënëse? Ç’farë kriteresh janë përdorë në vendosjen e një kuadri me etikë të lartë morale, të një kuadri të besueshëm, të edukuar, elegant, të përgjegjshëm, me përvojë jetësore dhe arsimore-intelektuale? Si ka funksionuar zinxhiri i përgjegjësive politike dhe diplomatike: brenda-jashtë, dhe anasjelltas…? Ju garantoj që kriteret në vendosjes së bazave politike dhe diplomatike-shtetërore, në këtë rast të përzgjedhjes së ambasadorëve tanë kanë qenë më të përfillshme dhe më të rrepta, madje më elegante ta zëmë në Indinë e lashtë, në Romën e lashtë para mijëra vjetësh. Mos përtoni, shihni njëherë këto kritere…! Të mos flasim se çfarë hapash gjigant sot, e përthekojnë politikën e jashtme dhe diplomacinë e shteteve moderne. Bile, edhe politikën e jashtme dhe diplomacinë e atyre shteteve që konsiderohen si mjaft të pazhvilluara, dhe me njëmijë probleme.

Pashmangshëm, politika e jashtme pak a shumë është pasqyrë e aktivitetit dhe e funksionimit të politikës së brendshme. Ky relacion, ky fakt që prodhon përgjegjësi direkte në qeverisje, është pasqyrë e institucioneve të ndryshme që lidhen me një zinxhirë përgjegjësish reciproke, pavarësisht se kush është pushtet dhe kush është opozitë! Politika e brendshme dhe politika e jashtme, absolutisht janë interes i përbashkët shoqëror dhe shtetëror. Këto dhe shumë pyetje të tjera të domosdoshme për t’u bërë sot, nuk janë çështje të fokusuara në drejtim të një organizate, të një partie, të një komisioni, të një institucioni, të një udhëheqësi etj. Suksesi i munguar në cilindo aspekt, imazhi i beftë, neglizhenca dhe difektet e tjera vijnë zinxhirë dhe janë gjithandej, përgjegjësi e gjithanshme: diku më shumë e diku më pak. Ndërkaq, ideja antilogjike se “17 shkurti 2008” e ka mbyllur sakrificën e bërjes së shtetit, jo pak e ka ndrydhur vetëdijen tonë të përgjithshme, e ka ndrydhur rrugën e fuqizimit të subjektivitetit të shtetit, respektin dhe veprën për shtetin etj. Mendoj që kjo ide, sikur është kthyer në mentalitet, kurse jo pak është kthyer në mjet me të cilin pokerizohet lufta politike që në stadin më të ashpër të konfliktualitetit të saj arrin të gërryej jetën e organizuar, shoqërinë dhe pse jo, shtetin vetë. Njësoj, si ajo parulla e prapaskenës: të marrim ç’të mundim nga shteti, dhe jo që t’i japim shtetit për të marrë pastaj prej tij…!

Kosova, në rajon e më gjerë veç dallimit historikë, nga pikëpamja politike dhe diplomatike dallohet si një vend me “moshë të njomë” shtetërore. Pra, ky është fakti që krijon kompleksitete dhe vështirësi të ndryshme! Por m’u ky fakt, do të duhej të kthehej në përparësi. Prandaj, strukturat udhëheqëse, institucionet dhe levat e tjerë shtetëror do të duhej t’i mbante në këmbë dashuria për shtetin, sensi për ta kthyer historinë dhe dhimbjet e saj në një fuqi kolektive me të cilën, pashmangshëm do të kishim më shumë suksese. Pse jo: edhe më shumë autoritet.

III.
Shtetin pas vitit 1945, gjermanët e ndërtuan nga hiri dhe kockat. Shtetin, pas vitit 1995, kroatët e identifikuan me vetveten e tyre. Të mos flasim se, çfarë bënë sllovenët me Slloveninë pas ndarjes nga ish RFSJ, më 1991! “Do të jem 15 orë në ditë në shërbim të punëve dhe të detyrave në ministrinë që drejtoj”, tha ditë më parë ministri i Punëve të Jashtme, z. Enver Hoxhaj. Perfekt, do të thoshim sepse ky qëndrim veç vullnetit personal të shprehur publikisht, duhet të kuptohet edhe si një gjykim serioz publik përballë pushtetit dhe qeverisjes. Përgjegjësia e akceptuar e këtij ministri, reflekton mbi të gjitha qasjen ndryshe ndaj detyrave dhe përgjegjësive zyrtare në raport me institucionin, dhe në raport me qytetarin. Pse jo: thjeshtë, në raport me shtetin. Në këtë rast, në raport me politikën e jashtme dhe zhvillimet e saj. Sot si asnjëherë, sistemi dhe qeverisja nuk akceptohen si të izoluara, moniste, të lokalizuara. Sistemi demokratikë, teknologjia e përparuar, globalizimi, lidhshmëritë politike dhe ekonomike, ato industriale, ato prodhuese kanë nxjerrë në sipërfaqe mundësi të mëdha zhvillimi, në fakt mundësi të mëdha bashkëpunimi. Një shtet i ri si Kosova, duhet ta marrë pamjen e gjallë të aktivitetit dhe të dinamikës zhvilluese, duke mos u tallur me lirinë dhe shtetësinë e fituar me gjak. Prandaj, funksionalizimi qeverisës-demokratikë që konsiston në ndarjen e pushteteve dhe të institucioneve, duhet të konsistojë fuqishëm edhe në ndarjen strikte të përgjegjësive dhe të obligimeve. Kur është fjala për politikën e jashtme, si asnjëherë tjetër, duhet të nxiten hapa të fuqishëm: aso hapa, e që të hidhen në shfrytëzim të gjitha potencialet e mundshme për t’i ndërtuar standardet e një diplomacie të qëndrueshme, si dhe për t’i rritur në masë të madhe kapacitetet e lobimit. Pse?

Njohjet e deritashme, janë të dizajnuara si mjaft kualitative në çdo aspekt. Dhe kjo është shumë “OK”. Edhe numri i shteteve që e kanë njohur Republikën e Kosovës, nuk është për t’u injoruar. Por tani, numri i njohjeve duhet të kundrohet edhe nga këndi i kuantitetit. Politika e shtimit të numrit të njohjeve, e forcon qarkun e rrugës së ecjes sonë të domosdoshme, si nevojë e ankortimit në të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, dhe edhe në Kombet e Bashkuara. Ajo që do të kishte qenë me të vërtetë strategjike në këtë drejtim, është nevoja që Republika e Kosovës ta sfidojë spektrin e shteteve që e shohin me dilema dhe me mosbesim, të ardhmen e Kosovës karshi familjes së madhe të shteteve.

Forcimi i rolit të Kosovës si shtet, ka mundësi të bëhet me një imponim më aktiv ndërkombëtar nga këndi politikë dhe diplomatikë, duke pasur adutë e përkrahjes së shteteve të fuqishme që e kanë njohur Kosovën, por edhe duke përdorur levat zhbirues të bashkëpunimit rajonal dhe evropian, si dhe më gjerë. Fakti që Kosova sigurohet nga forcat e NATO-s, fakti që Kosova përdorë monedhën euro, fakti që Kosova ka një polici solide, fakti që Kosova është anëtare e FMN-së janë elemente kruciale për ta shtyrë vendin tonë edhe më afër Brukselit, këtu ku janë dy megaselitë botërore: ajo e BE-së, dhe ajo e NATO-s. Ashtu si edhe në BE, është koha që Kosova ta ketë përfaqësuesin e saj edhe në selinë e NATO-s. Po këto elemente, janë kompatibile me përdorimin e një diplomacie aktive-zhbiruese në drejtim të pesë vendeve evropiane të BE-së (Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro), të cilat vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, e në mënyrë që këto pesë vend ta ndryshojnë qëndrimin e tyre aktual. Padyshim, ajo që vlen të theksohet e të ritheksohet jo njëherë, është fakti se GJND ka krijuar rrethana faktikte (de jure), e që e dizajnojnë qartë ligjshmërinë e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Njohja e Republikës së Kosovës nga më shumë shtete (numëruesi i tyre), do të siguronte gradualisht edhe mundësinë e arritjes së kuotës së numrave të kërkuar për aplikim të anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara (OKB).

IV.
Siç mund të kuptojmë, janë hapësira të shumta dhe të ndryshme deri në Mongoli, Shirilankë, Afrikë Jugore, Argjentinë dhe në të cilat hapësira të ndryshme politika e jashtme dhe diplomacia jonë, mund të agjitojnë dhe të materializojë interesat aktuale dhe të ardhshme për vendin. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Enver Hoxhaj, ka theksuar tashmë nevojën e aplikimit të një politike dinamike, qoftë në fushën kualitative dhe qoftë në atë kuantitative.“Agresiviteti” i kësaj politike, është thënë që do të zinxhirohet drejt ndërtimit të një strategjie, e ku jo vetëm do të stisen idetë dhe dinamikat, por do të ingranohen edhe segmentet e ndryshme politike, teknike, profesionale, materiale etj. Ajo që duhet të theksohet këtu, është angazhimi i z. Hoxhaj, përfshirë qëndrimin e tij të hapur lidhur me nevojat që institucioni që ai drejton të jetë kooperues me segmentet e ndryshme të brendshme, dhe të jashtme.

Këto ide dhe shtytje të tij, po marrin përkrahje serioze nga institucionet e vendit. Ndryshe, këto ide dhe shtytje duhet të marrin edhe përkrahjen e elitave të ndryshme, të mediave, të shoqërisë civile, të instituteve etj. Dhe jo injorancën, dinakërinë, ndërkëmbëzat…! Kjo, nëse nuk do ta ndryshojmë kursin e politikës aktuale që mbisundon gjithandej, qenien fizike dhe materiale të Republikës së Kosovës. Por edhe po të jetë ndryshe, këto megjithatë janë mësime themelore dhe të dobishme lidhur me shtetin, lidhur me thelbin e shtetit. Pse? Pavarësisht dallimeve të brendshme të mentalitetit, pavarësisht dallimeve politike dhe partiake, dallimeve socio-kulturore, etnike, pavarësisht raporteve institucionale pozitë-opozitë shteti cilido qoftë, vazhdon të mbetet interes i përbashkët-themelorë. Ai (shteti), nuk mund të kundrohet si një lëndë konsumuese për përdorim të përkohshëm, ose edhe më keq: për përdorim anarkist nga vullnetet dhe dëshirat heterogjene-kozmopolite! Shteti, ende mbetet një organizëm me të cilin dhe përmes të cilit, sigurohet jo vetëm integriteti personal e kolektiv, por edhe interesi individual dhe i përgjithshëm.