LAJMI I FUNDIT:

Krijimi i partive të reja politike, pasurim apo varfërim i jetës politike në Kosovë?

Përplasja e mendimeve të ndryshme e pasuron mendimin si të tërë. Përplasja e mendimeve të njëjta e varfëron atë, sepse është përplasje shterpe. Jo rrallë, në hapësirën tonë të imponuar politike dhe jo vetëm, kemi situata ku shumica e përplasjeve politike nuk janë të tilla në të vërtetë. Përkundrazi, janë krejtësisht të njëjta në përmbajtje, bile nuk u ndryshon as forma, por vetëm emri. Them “hapësirën tonë të imponuar” sepse sjellja e politikës, duke përfshirë të gjitha nivelet e saj, si atë qeveritar ashtu edhe atë opozitar, nuk është në përputhje me interesat e shoqërisë, por të vetat. Ndoshta më me vend do të ishte të themi se politikën aktuale ia imponojmë vetes, sepse, megjithatë të drejtat ligjore të përfaqësimit ajo i siguron nga populli, duke filluar nga nënshkrimet e nevojshme për themelim partishë, e deri te zgjedhja e pushtetit përmes votimit.

Duket paradoksal një konstatim i tillë? Nëse dikush mund t’i kontestojë aktet e formimit të partive politike dhe proceset zgjedhore, që në dukje të parë duken si të pakrahasueshme dhe mund të na sjellë ndërmend fakte për nënshkrimet apo votat e keqpërdorura, mund t’i themi se nuk e ka zbuluar ujin e ngrohtë. Dihet që ato ekzistojnë, por mund të thuhet se megjithatë masa kritike e kushteve të nevojshme në të dyja rastet plotësohet. Andaj, “relievi politik” i instaluar, si ai partiak, brendapartiak dhe pushtetor, të paktën nga aspekti ligjor është legjitim (për aq sa mund të konsiderohet legjitime edhe Kushtetuta nga aspekti i saj demokratik). Se cilat janë shkaqet, shtytjet, apo bindjet që megjithatë i shtyjnë themeluesit, votuesit që ta delegojnë përfaqësimin e interesave të veta tek një politikë realisht jopërfaqësuese, e tillë çfarë është kjo jona, një përgjigje e shkurtë do na thoshte se kjo ndodhë për mungesë alternativash. Ky model i zgjedhjes së përfaqësimit politik ndoshta mund të përshkruhej si, “nëse nuk e di se cila është më e mira, bile provoji me rend”. Porse kjo nuk është objekt diskutimi i këtij shkrimi, por vetëm mund t’i shërbejë si fakt atij.


Aderimi në politikë

Në vendin tonë, për arsye tashmë të njohura, mungesës së shtetit dhe lirisë në të kaluarën, të gjithëve u është imponuar të interesohen dhe merren me politikë. Përveç kontributeve tjera, marrja me politikë konsiderohej dhe ishte obligim patriotik. Mosmarrja me të ishte injorim i gjendjes së shtypjes në të cilën ndodheshim. Dihet se, marrja me politikë kishte një motiv dhe qëllim të vetëm, ndryshimin e statusit politik të vendit, apo çlirimin e tij. Përkundrejt qëllimit të vetëm, metodat politike te njohura tashmë ishin dy të vetme, njëra paqësore dhe tjetra me luftë të armatosur.

Sot, në një situatë të re politike, kur po kërkohet konsolidimi i shtetit modern në të gjitha planet, interesimi për politikën nga të gjithë duhet te jetë më se aktiv. Por nëse të interesohen duhet dhe kanë mundësi të gjithë, edhe pse jemi në sistem demokratik, nuk do të thotë që paraprakisht të gjithë kanë aftësinë të merren me të. Ajo çka u takon të gjithëve është e drejta që së pari të konkurrojnë mirëfilli, të tregojnë rezultate konkurruese, e vetëm pas kësaj më të suksesshmit, ata që fitojnë besimin, të mirën me të. Këtë ua mundëson sistemi demokratik.

Në aktualitetin tonë politik, inkuadrimi në politikë pa plotësuar kushtet e sipërshënuara dhe marrja me të masivisht po vazhdon me inercionin e mëparshëm, atë të paraluftës. Ajo që ka ndryshuar është motivi dhe qëllimi. Një gjë është e sigurt, ky inercion dhe këto motive të sotshme, në masë të madhe po e ngulfasin zhvillimin e shëndetshëm të jetës politike. I pari, pasojë e inercionit, duke prodhuar politikanë joprofesionist meritokrat me aftësi të pamjaftueshme të njohurive sidomos teorike të politikës së kohës, kurse i dyti, motivi, duke prodhuar politikanë matrapaz, apo siç po i quan populli, hajna, sepse nuk inkuadrohen pse duan të merren me punë publike, por për motive kryekëput personale përfitimi. Instalimi i të dy këtyre grupeve nëpër partitë aktuale politike, aq më keq edhe vendosja e tyre në pozita të rëndësishme partiake, po e pengon shfrytëzimin e potencialit të vërtetë politik në vend, duke e bërë të pamundur vetërealizimin e potencialit partiak të tyre të brendshëm si dhe, që mund të konsiderohet me e rëndësishmja, aderimin e potencialit nga jashtë.

Është e qartë se, si brenda ashtu edhe jashtë partive politike të tanishme ka potencial të mirëfilltë politik, por nga këndvështrimi i vendimmarrjes partiake, ky potencial përveç si dekor për imazh partiak para popullit, është kryesisht i margjinalizuar dhe pashfrytëzuar mirëfilli. Është e qartë se modeli i tanishëm i funksionimit të partive politike i ka shndërruar ato në një tip të “kompanive politike”, kurse liderët e tyre në tip “pronarësh”. Përndryshe, kur mund të presim që partitë aktuale (më të mëdhatë me vota!), me proces të brendshëm demokratik mund t’i ndërrojnë liderët e tyre? S’kanë nevojë, ndoshta do të ishte përgjigja e tyre. Ndoshta!

Andaj, dilema e madhe që mund të shtrohet për të gjithë ata që duan të merren me politikë konform rregullave të demokracisë, e jo bërrylave, është se a të aderojnë në partitë aktuale politike, të krijojnë parti të reja politike, apo t’i shfrytëzojnë hapësirat mediale për të bërë politikë të pavarur në formë OJQ-shë (jo të varur nga siguruesit e fondeve e tyre), gjë që siç u dëshmua, të tria rastet si akte janë lehtë të realizueshme, kurse si procese mjaft të vështira! Por, të gjitha sjelljet e shoqërisë sonë, jo vetëm ato politike, bazohen kryesisht në akte pa procese paraprake, e jo në procese që do duhej të përfundonin me akte. Në natyrën e akteve qëndrojnë momentet, kurse në natyrën e proceseve qëndrojnë fazat kohore dhe strategjitë.

Krijimi i partive të reja

Jemi dëshmitarë përditë për paralajmërimet që bëhen për formimin e partive të reja politike në vendin tonë. Krijimi i partive politike në sistemin pluralist demokratik shihet si pasurim i jetës politike. Kjo ndodh sidomos kur të qeverisurit, kanë nevojë për alternativa politike, e partitë e reja mund të jenë ato që do t’i ushqenin apo realizonin shpresat dhe pritjet e tyre për një qeverisje “më ndryshe”, siç dëgjohet shpesh te ne. Natyrisht se kjo “më ndryshe” nga politikanët tenton të përkthehet si “më e mirë”, në mënyrë që ta bëjnë më joshëse ofertën dhe t’i afrohen më lehtë pushtetit.

Në Kosovë numri i atyre që të paktën zyrtarisht figurojnë si parti politike, jo që është i madh, por nëse flasim me zhargonin ekonomik që s’është i panjohur për to, për madhësinë e “tregut” që ato pretendojnë t’i shërbejnë me “produktet” e tyre krejtësisht të njëjta, ky numër është ngarkesë e papërballueshme. Këtij numri i ka kontribuar shumë edhe krijimi i partive të reja të dala nga nukleusi i partive ekzistuese, që nuk ka ndodhur si pasojë e krijimit të rrymave të fuqishme dhe të dallueshme në orientime, koncepte programore politike saqë të mos mund të bashkëjetojnë më, por si pasojë e përpjekjeve për dominim të klaneve brendapartiake, e me raste edhe si pasojë e tekeve deri në padurim të ndërsjellë të lidershipit partiak.

Padyshim, se lindja e ndonjë force të re politike, të profilizuar qartë dhe rreshtuar fuqishëm konform interesave së pari kombëtare, e përbërë nga një elitë njerëzish të guximshëm, arsimuar dhe edukuar mirë, është domosdoshmëri e kohës. Si model, një ndihmesë profilizimit të saj do ia jepte gati i gjithë aktualiteti ynë politik pa përjashtim, duke filluar nga partitë aktuale se si nuk do duhej ndërtuar ato, liderët aktual se si nuk duhet të jetë lideri, që “bërrylat dhe muskujt” do përpiqeshin t’i zëvendësonin me konkurrencën, e që do tu jepte hapësirë njerëzve t’i shfrytëzonin kapacitetet e tyre politike në të mirë të zhvillimit politik.

Përndryshe, krijimi i partive të reja politike bazuar në modelet ekzistuese, nuk do të ishte pasurim, por varfërim i mëtutjeshëm i jetës politike në Kosovë!

Në trend

Më shumë
Salah dhe Klopp përfshihen në një përplasje të furishme verbale – egjiptiani duhej të qetësohej nga Nunez

Salah dhe Klopp përfshihen në një përplasje të furishme verbale – egjiptiani duhej të qetësohej nga Nunez

Premier League
Salah pyetet për përleshjen me Kloppin – jep një përgjigje të shkurtër, por të ashpër

Salah pyetet për përleshjen me Kloppin – jep një përgjigje të shkurtër, por të ashpër

Premier League
Jurgen Klopp thyen heshtjen me një përgjigje të qartë lidhur me debatin e ashpër me Salahun

Jurgen Klopp thyen heshtjen me një përgjigje të qartë lidhur me debatin e ashpër me Salahun

Premier League
Xhensila Myrtezaj rrëzohet në skenë, në nisje të performancës: Uroj të mos e keni kapur këtë

Xhensila Myrtezaj rrëzohet në skenë, në nisje të performancës: Uroj të mos e keni kapur këtë

Magazina
Pamje që tregojnë momentin kur ukrainasit 'fshijnë nga faqja e dheut' pjesë të sistemit rus që kushton 5 milionë dollarë

Pamje që tregojnë momentin kur ukrainasit 'fshijnë nga faqja e dheut' pjesë të sistemit rus që kushton 5 milionë dollarë

Botë
Parlamentari finlandez, Kiljunen: Për keqardhje mosmbështetja e Serbisë për Kosovën në Këshillin e Evropës

Parlamentari finlandez, Kiljunen: Për keqardhje mosmbështetja e Serbisë për Kosovën në Këshillin e Evropës

Lajme
Kalo në kategori