LAJMI I FUNDIT:

Kraja: Në çdo letërsi mediokrët përbëjnë shumicën, por kjo s’do të thotë se e gjithë letërsia është mediokre

Kraja: Në çdo letërsi mediokrët përbëjnë shumicën, por kjo s’do të thotë se e gjithë letërsia është mediokre

Iniciativa “Letërsia dhe Qyteti”, ka vazhduar rrugëtimin edhe në Prishtinë me shkrimtarin e njohur Mehmet Kraja.

“Në Prishtinë kam ardhur ndoshta para 50 viteve dhe sigurisht që kam ardhur si student nga Ulqini dhe pastaj kam gjetur një rrugë jetësore të cilën e kanë ndjekur shumica e njerëzve në këtë anë, me shumë peripeci po edhe me një idealizëm do thosha”, u shpreh ai.


Mehmet Kraja në Prishtinë filloi të punonte edhe si gazetar në Rilindje, pastaj në Universitet, ndërsa është edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Prishtina më ka dhënë çdo gjë dhe për këtë i jam shumë mirënjohës, vetëm se Prishtinën gjithmonë kam dashur që ta shoh më mirë se që është. Kjo ndoshta më bën që të kem edhe një mendim kritik dhe ndonjëherë të jem edhe i pakënaqur”.

Sipas tij, shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më mirë, por kjo nuk do të thotë se ata nuk mund që të jenë edhe më mirë.

Kraja krijimtarinë e tij e ka filluar në vitin 1974 me tregime, ndërsa në vitin 1978 publikohet romani i tij i parë i botuar nga Rilindja. Ai ka botuar 11 romane, pesë vëllime me tregime, pesë vëllime me drama si dhe vëllime të shumta publicistike. Proza mbetet mishërimi më i mirë i Krajës.

Tutje, ai diskutoi edhe për fëmijërinë e tij në Krajë, një zonë pranë Shkodrës, që ka lënë shenja edhe në krijimtarinë e tij.

“Shkodra ishte kështu ëndrra jonë, refuzimi jonë, historia jonë dhe çdo gjë, sepse mbyllja e kufirit nënkuptonte një këputje të një nervi jetësor; ajo zonë nuk kishte se si të jetonte pa Shkodrën. Pikërisht ajo zonë u bë objekt i shumë tragjedive dhe i historive të dhimbshme. Kishte tragjiken brenda, absurditetin, një izolim të jashtëzakonshme e të pashembullt, në njërën anë malet, tjetrën liqenin dhe asgjë tjetër por kështu funksiononte”, u shpreh dora që shkroi “Moti i Madh”.

Në shkrimet e tij po ashtu kanë ndikuar edhe problematika të ndryshme të cilat ai i ka sqaruar, kujtojmë këtu kohën kur Shqipëria ishte atdheu i munguar për të gjithë derisa u përballën me anën reale të saj.

“Në mendjen e kosovarëve atëherë ishte projektuar një Shqipëri reale dhe sikur të shkoje dhe të shikoje gjëra që nuk të pëlqenin nuk mund ti thoje pasi që të quanin tradhtar. Kjo ndodhi deri në vitin 1990. Këtu zhgënjimi ishte i dyanshëm edhe shqiptarët e Shqipërisë u zhgënjyen me ata të Kosovës, por edhe shqiptarët e Kosovës u zhgënjyen me ata të Shqipërisë”, tregoi shkrimtari.

Ai këtë e ka diskutuar edhe në “Vitet e humbura”.

Mehmet Kraja diskutoi edhe për gjeneratën e parë të letërsisë në Kosovë, duke kujtuar edhe miqtë e tij si Azem Shkreli e Ali Podrimja.

“Nga kjo perspektivë shohim një komunitet kulturor i cili funksiononte më mirë sesa ai sot, por edhe ai kishte probleme, as aty nuk ishte çdo gjë ideale”.

Leximi i letërsisë së Shqipërisë ka qenë çdo herë intensiv edhe gjatë atyre periudhave ku të mbajturit e kontakteve me shkrimtarët në Shqipëri ishte i vështirë, theksojmë këtu vitet pas 1981-shit.

“Letërsia shqipe e them me bindje të plotë se nuk është me e dobët se ajo e Ballkanit, por nuk mund ta them me bindje më të thellë se ajo është ndër më të mirat. Koha ka ndryshuar dhe nuk është ajo kohë kur shkrimtarët afishohen si më të dijshmit e botës, nuk lexohet letërsia por lexohet diçka tjetër. Letërsia ka kohën e vet të keqe por kjo nuk ndodhë vetëm me letërsinë shqipe”, u shpreh Kraja.

Sipas tij, në çdo letërsi mediokrët përbëjnë shumicën dhe kjo është gjë normale, por kjo s’do të thotë se e gjithë letërsia është mediokre. Sipas tij çdo letërsi ka shkrimtarë të mirë, shkrimtarë përfaqësues dhe pjesën tjetër të shkrimtarëve të cilët nuk janë përfaqësues.

“Nga ato libra që sot marrin çmime të mira unë gjej shkrimtarë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri që nuk janë më keq se ata. Për shembull unë kam lexuar disa libra nga Orhan Pamuku dhe brenda letërsisë shqipe mund të gjej disa shkrimtarë të të njëjtit nivel. Është diçka tjetër që prurjet nga jashtë bëjnë çdo herë më shumë zhurmë”, u shpreh ai.

Sipas tij leximi i letërsisë nuk është problem letrar por një problem kulturor dhe i rrethanave shpesh herë edhe politike.

“Letërsia shqipe është një dhe e tërë. Ne duhet të merremi vesh dhe ta kalojmë një herë e përgjithmonë këtë problem. Ka dy përvoja letrare”, theksoi ai.

Sipas tij pamundësia që librat nga Kosova të gjenden në Shqipëri nuk është problem letrar por kulturor. /Shqip/