LAJMI I FUNDIT:

Kosova, Vatikani dhe diplomacia shqiptare

Kosova, Vatikani dhe diplomacia shqiptare
Ilustrim

Shkasë për këto radhë u bë qëndrimi i shprehur në shkrime të veçanta, sipas të cilëve Shqipëria në marrëdhëniet me Vatikanin gati ka qenë indiferente në njohjen e shtetit të Kosovës nga ky i fundit. Kështu, për vizitën e këtyre ditëve në Selinë e Shenjtë të Presidentit të Shqipërisë, kërkesa e tij për njohjen e Kosovës në bisedimet me Papa Françeskun e Dytë, shikohet si e tillë, që bëhej për herë të parë dhe pa hezitim.

Jam i sigurt që kolegët e mi diplomatë nuk mund të pajtohen me këtë lloj vlerësimi. Sigurisht që ai bëhet më shumë nga pozita të ndryshme. E them këtë se kërkesa për njohjen e Kosovës nga shtete të tjera ka qenë prioritare në punën e qeverive, që kanë pasuar njëra-tjetrën, pavarësisht spektrit që përfaqësonin ato. Dhe për rrjedhojë – në veprimtarinë, sidomos të Ministrisë së Jashtme, shprehur kjo në punën e diplomatëve, të përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore. Nga ana tjetër, jo se ka shkëlqyer gjithmonë. Në tezat sugjeruese, përgatitur për këtë qëllim, me rastin e vizitave zyrtare, kontakteve të drejtpërdrejta me Selinë e Shenjtë, çështja e Kosovës, rëndësia e njohjes së saj, krahas ecurisë së marrëdhënieve konkrete me Vatikanin, kanë zënë vend të rëndësishëm.


Pavarësisht sa më lart, po shkojnë rreth katërmbëdhjetë vjet dhe Vatikani ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, kur 115 vende e kanë njohur atë dhe kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, mbi dymbëdhjetë vjet më parë, e ka vlerësuar pavarësinë e Kosovës në përputhje me ligjet ndërkombëtare. Në Selinë e Shenjtë nuk kanë munguar as takimet e herëpashershme të Papës apo të Sekretarëve të Shtetit me zyrtarë të lartë kosovar. Republika e Kosovës ka përfaqësuesin e vet në Vatikan.

Po atëherë çfarë pengon në këtë njohje? Në tërë këtë tablo tërheq vëmendjen roli aktiv i diplomacisë serbe, i drejtuesve kryesorë serbë për të penguar këtë njohje dhe nga Vatikani. Mjafton të shfletosh faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Serbisë të para pak muajve, ku, sipas saj, nënvizohet “dhënia nga Beogradi-vëmendje të veçantë këtij shteti, që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, që mbështet shtetin tonë, megjithëse i është ekspozuar presionit për ta ndryshuar këtë qëndrim”. Kjo kërkesë e serbëve në takimet zyrtare dhe jashtë tyre ka qenë vazhdimisht e pranishme, duke pasur dhe zërin e Kishës Ortodokse të Serbisë, por dhe atë të Rusisë.

Dhe, sikurse vihet re, këto përpjekje, pavarësisht arsyeve që Vatikani vazhdon të mos e njohë shtetin e Kosovës, janë më rezultative nga ato tonat, por dhe të vet politikanëve kosovarë. Çuditërisht, në këto ujëra kanë qenë dhe syre kardinalësh të Vatikanit, si të ishin promovues të qëndrimeve serbe dhe që të krijojnë përshtypjen se janë më shumë të injektuar.

Të ndikojë në këtë mosnjohje problemi i religjiozitetit, sikundër mund të gjendet e shprehur aty-këtu, kur popullsia e Kosovës në mbi 95 për qind është myslimane dhe mbi 2 për qind është katolike? Mendoj se kjo ka shumë më pak hapësirë, është larg realitetit, më tepër e stisur nga qarqe antishqiptare dhe jesmenët e tyre. Vatikani njihet edhe si mbështetës i fuqishëm i harmonisë fetare, garantues i ushtrimit të kësaj lirie.

Njohja duket se ende do të vonohet kur duhej të kishte ndodhur me kohë, përkrah shteteve të fuqishme perëndimore, anëtarë të Bashkimit Europian dhe të NATO-s. Megjithatë, ky është problem i vetë Vatikanit, pavarësisht interesimit, dëshirës sonë. Ndoshta, ai pret arritjen e një marrëveshje të përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Duke e njohur autoritetin, rolin e madh të Vatikanit, e shohim atë me të drejtë si aktor real potencial, me impakt në këto marrëdhënie, që i shërbejnë stabilitetit të rajonit tonë në tërësi. Kontributi i Vatikanit për Shqipërinë dhe Kosovën nuk është i panjohur, duke qenë pranë shqiptarëve në momentet më të duhura për ta.

Në këto kushte, diplomacia në Tiranë dhe Prishtinë, me një angazhim më të thellë, kërkohet të mos mbetet në vendnumëro për zgjerimin e njohjeve ndaj pavarësisë së Kosovës, duke parë dhe dobësitë e veta. Një dukuri tepër e habitshme nuk mund të mos të të bjerë në sy: Shqipëria, prej gati nëntë vjetësh, në mënyrë të njëanshme vazhdon të mbajë të ulur nivelin e përfaqësimit diplomatik me Vatikanin(?!). Në marrëdhëniet shumë të mira me të, është i papranueshëm ky qëndrim, i cili me të drejtë ka krijuar shqetësim në Vatikan. Çfarë pengon që Shqipëria të ketë Ambasadorin e saj të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë?

Nëse presidenti i vendit, para disa vitesh nuk e miratoi kandidaturën e propozuar, edhe pse bëhej fjalë për një kandidaturë serioze, kjo nuk do të thotë që ambasada të lihej dhe të lihet me Të Ngarkuar me Punë a.i. Mungesë kuadri? Aspak. Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme nuk i mungojnë diplomatët e karrierës apo më të rinj me kulturë e përvojë të admirueshme. Ndoshta, mungesë, përfytyrim jo i drejtë për rolin e ambasadorit. Ambasadori ka rol të pazëvendësueshëm. Ai është përfaqësuesi më i lartë i shtetit të tij atje ku është i akredituar. Dhe, siç thuhet dhe në Ligjin e Shërbimit të Jashtëm, drejton, udhëzon, vlerëson tërë veprimtarinë e misionit diplomatik, merr kontaktet e nevojshme në nivelet më të larta zyrtare apo me homologët e tij e të tjera. Pra, dashur, pa dashur, ky paradoks krijon një ngërç në marrëdhëniet shumë të mira me Vatikanin.