LAJMI I FUNDIT:

Kosova, shtet pa ditë çlirimi

Kosova, shtet pa ditë çlirimi
Foto: Ilustrim

Ka kaluar një dekadë pas shpalljes së pavarësisë dhe 19 vjet pas përfundimit të  luftës, por Kosova ende nuk ka ditë zyrtare të çlirimit.

12 Qershori që shënohet si datë kur kanë hyrë forcat e NATO-së në Kosovë, por në Ligjin për Festat Zyrtare, i miratuar në vitin 2008, nuk është festë zyrtare, as nuk njihet si ditë çlirimi. Kjo datë është futur në këtë ligji tek festat e shënuara ose memoriale.


Madje as emrin nuk e ka Ditë Çlirimi, por Dita e Paqes.

Ditët e çlirimit, shënohen  vetëm në nivelin komunal, nga komunat veç e veç, në data të ndryshme, varësisht se kur konsiderojnë se janë çliruar.

Deputetë e Kuvendit të Kosovës në pozitë e opozitë, por edhe analistë, e quajnë absurde mos futjen e 12 qershorit si festë zyrtare si ditë e çlirimit.

Madje, disa thotë se shënimi i ditës së çlirimit vjen si pasojë e mos njohjes së luftës së UÇK-së, për çlirimin e vendit.

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, i cili në vitin 2008 kur ishte miratuar ky ligj, kishte votuar kundër, duke qenë se ligji kishte shumë mangësi, thotë për KosovaPress, se është momenti i duhur tani që institucionet e vendit ta bëjnë plotësim ndryshimin e ligjit për Festat Zyrtare dhe ta fusin 12 Qershorin si festë zyrtare dhe ta shënojnë si ditë të çlirimit.

“Unë e ndaj mendimin që duhet të zvogëlohet gjithsesi ky numër kaq i madh i festave. Ideja që dita e çlirimit, në këtë rast 12 Qershori të bëhet festë zyrtare është me vend. Por megjithatë është mirë që përmes ndryshimeve në projektligj të ndodhin këto ndryshime të domosdoshme. Nuk duhet me qenë vetëm festë memoriale. Kjo duhet me qenë festë dhe në ditën e çlirimit që konsiderohet çlirimi i Kosovës duhet edhe të mos punojnë institucionet, por jo vetëm ditë memoriale”, tha Selmanaj.

Selmanaj thekson se ka pasur kërkesa nga disa komunitete, veçanërisht nga komuniteti serb që ta fusin si festë të tyre zyrtare edhe atë që njihet si Beteja e Kosovës (28 qershori), për të cilën thotë se është e papranueshme dhe nuk ka kurrfarë logjike që të barazohet e as pranohet kjo kërkesë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se mungesa e ditës së çlirimit është si pasojë e mos njohjes së luftës çlirimtare të UÇK-së.

“Shembull nuk ka festë të çlirimit, nuk është pse këta nuk konsiderojnë se Kosova nuk është e çliruar, por nuk e njohin luftën për çlirim. Sepse po ta njihte luftën për çlirim siç ka qenë dhe siç do duhej, atëherë do të vinte si rrjedhojë edhe dita e çlirimit të Kosovës. Pra, nuk e kanë këta problem ditën e çlirimit, mos përshkrimi i ditës së çlirimit në ligjin për festat zyrtare ka të bëjë me luftën çlirimtare, jo me Ditën e Çlirimit. Lufta e UÇK-së nuk është trajtuar as përafërsisht, as historikisht, e as në aspektin e dinjitetit në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Pra, problemi është të lufta çlirimtare, jo të dita e çlirimit”, tha Selimi.

Sipas, Selimit me këtë klasë politike që udhëheq me Kosovën nuk mund të ndryshohet ligji për festat zyrtare dhe ta fusin 12 qershorin si ditë të çlirimit, meqë ju mungojnë dy gjëra bazike, vullneti dhe përkushtimi ndaj kombit.

Futjen e 12 Qershorit si festë zyrtare të Çlirimit të Kosovës, e sheh të domosdoshme edhe analisti Imer Mushkolaj.

“Edhe Kosova si secili shtet në botë duhet ta ketë ditën e vet të çlirimit. Në fakt kur është marrë vendimi që kjo ditë të quhet si ditë e paqes është marrë me idenë se mos po cenohen të drejtat e ndonjë komuniteti tjetër, respektivisht komunitetit serb, me idenë se mos ata po irritohen nëse quhet dita e çlirimit. Mirëpo, asnjë term tjetër nuk mund ta zëvendësoj ditën e çlirimit dhe nuk mund ta falsifikojmë historinë. Në atë ditë Kosova është çliruar dhe kjo duhet të jetë dita e çlirimit. Nëse ky ligj është miratuar në një kohë megjithatë institucionet e Kosovës nuk i kanë pasur kompetencat e plota kjo nuk do të thotë se institucionet të mos e ndryshojnë ligjin. Ligji domosdo duhet të ndryshoj, tash institucionet e Kosovës vendosin për gjithçka në vend dhe Kuvendi i Kosovës gjithsesi duhet ta marr iniciativën që Kosova ta ketë ditën e vet të çlirimit”, theksoi Mushkolaj.

Sipas Mushkolajt, dita e çlirimit nuk është dita e çlirimit vetëm e shqiptarëve nga okupimi serb, por ardhja e forcave të NATO-s në Kosovë dhe sjellja e lirisë, i cili ka qenë lajm i mirë edhe për komunitetet tjera.

Ai po ashtu ka theksuar se 12 Qershori – Dita e Çlirimit nuk duhet të barazohet me festat e tjera memoriale, sepse ajo i kalon këto përmasa.

Kosova sipas ligjit për festat zyrtare ka 11 festa zyrtare. Ato janë, viti i ri 1 dhe 2 janari, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti, Dita e Kushtetutës së Kosovës, 9 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji, Dita e Evropës, 9 Maji, Bajrami i Madh, dita e parë, Bajrami i Vogël, dita e parë, Krishtlindjet Katolike, 25 dhjetor, Krishtlindjet Ortodokse, 7 janar, Pashkët Katolike, E hëna e Pashkëve dhe Pashkët Ortodokse, E hëna e Pashkëve.

Ndërsa, festat memoriale sipas këtij ligji janë, 28 Nëntori – Dita e Shqiptarëve, 12 Qershori – Dita e Paqes, 6 Marsi -Dita e Përkujtimit dhe e Respektit për Veteranët, 23 Prilli – Dita e Turqve, 8 Prilli -Dita e Romëve, 15 Shkurti – Dita e Ashkalinjve, 28 Shtatori – Dita e Boshnjakëve dhe 6 Maji – Dita e Goranëve. /kp/Telegrafi/