LAJMI I FUNDIT:

Konfliktet, këta rregullatorë social

Konfliktet, këta rregullatorë social

Paqja dhe konflikti. Cili është relacioni mes tyre? A është e mundur paqja apo ajo është rezultat i konflikteve paraprake? Pse nuk ka paqe të përhershme dhe pse ka konflikte sporadike në botën reale? Apo është e kundërta: përderisa ka paqe, atëherë ka edhe konflikte.

Sigurisht se paqja është gjendje dhe cak që duhet synuar e jo konflikti, por pse atëherë prishet paqja? A mos paqja ngërthen në vetvete konfliktin? A mos paqja është konflikt i heshtur dhe konflikti paqe e parealizuar?


Gjithsesi se situata është jo edhe aq e thjeshtë, krahasuar me atë që duket në shikim të parë. Po të kishte paqe pa konflikte latente, ajo nuk do të kishte arsye që të përmbyset, sikurse edhe konflikti po të ishte opsioni i duhur i veprimit social atëherë nuk do të kishte kuptim të synohej paqja.

Filozofi Herakliti ishte në gjendje ta shihte unitetin e të kundërtave, sikurse më pas i tërë mendimi filozof dialektik. Nocionet paqe dhe konflikt në vete (per se, si aspekt metafizik i të kuptuarit) janë të vetëkuptueshëm, por depërtimi kuptimor empirik i tyre – natyrisht është fjala për sferën empirike sociale – tregon diçka tjetër. Ky depërtim tregon se paqja nuk është edhe aq paqe si dhe konflikti nuk është edhe aq konflikt. Paqja mbërthen në vete konfliktin (konflikti latent) dhe konflikti ka cak paqen (aspekti rregullativ). Konflikti social paraqet një nga fushat e interesimit të shkencave sociale ku rezultatet e hulumtimeve shpeshherë janë edhe jo konvencionale. Le t’i shohim disa aspekte fragmentare.

Cilësimi i konflikteve sociale si rregullatorë të shoqërisë së paku duket i pamoralshëm. Shikuar nga një logjikë e shëndoshë e përditshmërisë, konstatimi se konflikti “është rregullatori dhe esenca e jetës sociale” (Lewis Coser) duket absurd dhe i paargumentueshëm. Por, po të duam të jemi kritikë dhe objektivë, kjo d.m.th. të shohim të vërtetën në mënyrë racionale. Mund të mos jetë kështu, ngase shohim se një qasje e këtillë shpjeguese megjithatë nuk është e paargumentueshme dhe as e pavend. Le ta ilustrojmë këtë me një analogji e cila edhe përdoret nga Lewis Coser, kur ai merr shembullin e motorit me djegie të brendshme, e ku dihet se pas krijimit të presionit nga djegia e derivateve vjen deri te hapja e pistonit nga ku lirohen gazrat të cilat e vënë në lëvizje makinën. Shoqëria, shikuar nga qasja e të kuptuarit dinamik, është sistem i cili vazhdimisht pëson ndryshime të cilat vijnë si rezultat i antagonizmave në nivele të ndryshme të rrafshit social, apo grupeve shoqërore (klanore, shtresore, profesionale, grupeve të interesit, klasore, nacionale religjioze etj.) dhe si rezultat i kësaj kemi shpërthimin. Analogjikisht, sipas Lewis Coserit, edhe në shoqëri kur kemi konflikte sociale ngjan kjo dukuri e ndryshimit si pasojë e konflikteve. Dhe, konfliktet sjellin ndryshimin sipas tij. Konflikti si i tillë paraqet gjendjen kur shkalla e komunikimit mes grupeve antagoniste nënkupton shkallën më të lartë të aplikimit të violencës.

Fatkeqësisht, jo përherë konfliktet qojnë në rregullime shoqërore pozitive apo në ndërrimin e gjendjes paraprake e cila rezulton me ardhjen në pah të aspekteve rregullative pozitive. Sa më të mëdha të jenë dallimet mes palëve konfrontuese në aspektin e diferencës së potencialit violent, proporcionalisht ndryshmet pozitive janë më vogla.

Janë një mori shkencëtarësh social të cilët i shohin proceset shoqërore të këtilla, andaj edhe e theksojnë rolin e konflikteve sociale duke e nënvizuar anën rregullative të tyre. Në shikim të parë absurde, apo jo? Le të përmendim në këtë kontingjent autorët si Karl Marks, Maks Weberin, Ralf Dahrendorf, Lewis Coser, Randal Collins etj. Duhet theksuar se konflikti si i tillë, në vetvete (per se) është i keq, ai nuk është zgjedhja e preferuar për asnjërin nga sociologët e përmendur, sikurse që nuk do të duhej të ishte për as një njeri normal. Aspekti humanist autorëve të përmendur nuk vihet në pikëpyetje.

Por, observimet e tyre lidhur me fakticitetin dhe objektivitetin e ndikimit rregullativ të konflikteve në shoqëri, është emëruesi i përbashkët i cili nënvizohet nga ta.

Te Marksi kjo interpretohet si luftë klasash, e cila sipas tij paraqet forcën motorike të zhvillimit të formacioneve ekonomiko shoqërore përgjatë historisë (sipas tij progresive) njerëzore, histori kjo e cila rezulton me krijimin e formacioneve ekonomiko-shoqërore më të avancuara se ato paraprake, dhe krejt kjo vjen si pasojë e zhvillimit të forcave prodhuese të cilat reflektojnë ndikime në marrëdhënie në prodhim. Me gjithë faktin se marksizmi si teori në planin praktik ka pësuar fiasko, Karl Marks vazhdon të mbetet ende të jetë një ndër teoricientët më interesant të mendimit social në botën perëndimore.

Edhe Maks Weberi ka një interes të madh lidhur me studimin e konflikteve dhe dominimit. Ai kishte mësuar rusishten në mënyrë që të kishte mundësi të përcillte revolucionin rus. Interesin e tij lidhur me konfliktet sociale ai e ka të orientuar në mjetet metodologjike të quajtura “tipat idealë” të realizimit të pushtetit, ku identifikon atë tradicional, karizmatik dhe racional. Konstatimi i Weberit se “ne do të jemi përgjegjës se çfarë territori do u lëmë pasardhësve tanë”, që është fjala për popullin gjerman, flet se sa një përfaqësues tipik i mendimit liberal demokratik, siç ishte Weber, ishte i preokupuar për aspektet territoriale, gjë që sot e kësaj dite nuk ka humbur nga aktualiteti si burim i konflikteve moderne.

Sociologu Ralf Dahrendorf ka një orientim kryekëput në studimin dukurisë të konflikteve shoqërore, duke u fokusuar në format e konfliktit social në shoqërinë industriale dhe identifikimin e grupeve të ndryshme në kuadër të saj, të cilat janë bartësit e këtyre konflikteve, ku koncepti i kuazi-grupeve dhe interesit latent dhe manifestues janë shtresimet që i vë në pah. Sigurisht se ka edhe autorë të tjerë të papërmendur sa i përket konflikteve shoqërore, por autorët të cilët ekskluzivisht u morën me studimin e fenomenit të konfliktit në shoqëri janë sociologët amerikan Randal Collins dhe Lewis Coser.

T’i kthehemi tani analogjisë që bëmë më motorin me djegie të brendshme. Shoqëria në këtë rast analogjikisht do ta zinte vendin e motorit, përderisa konflikti do ta luante rolin e pistonit, pasi që duke ndodhur konflikti ndodhë edhe ripozicionimi mes palëve të cilat duan të zënë vend tjetër në kuadër të realitetit ekzistues shoqërorë. Zhvillimi i konfliktit sipas Coserit qet në shesh aspektet disfunksionale që janë konsoliduar në shoqëri, të cilat si të tilla i mbajnë të ngrira apo statike raportet shoqërore dhe si të tilla nuk lejojnë zhvillimin progresiv të saj.

Sigurisht se konflikti është i keq dhe sjellë viktima, ku humbja e jetëve njerëzore nuk mundë të justifikohet me asnjë rrethanë. Konfliktet shoqërore sjellin tragjedi, ato sjellin shumë dhimbje në jetët tona. Por, le të paramendojmë se si do të ishte dukur bota pa kryengritjen e Spartakut, pa revolucionin borgjez francez, pa rezistimin ndaj racizmit dhe kolonializmit, pa rezistencën ndaj fashizmit, apo luftën ndaj okupatorëve. Sigurisht se pas këtyre përparimeve në të pushtuarit e lirisë ka shumë humbje jetësh, kryesisht të pafajshme, dhe këto humbje nuk mund të kompensohen assesi, bile as të shpjegohen dhe interpretohen nga asnjë teori e cila do të pretendonte të jetë konsistente dhe të ngërthente në vete premisa morale të justifikueshme.

Por, shkenca është e tillë, ajo gjithherë është objektive, apo së paku duhet të synojë të jetë e tillë, andaj edhe evidencimi i fenomenit në thonjëza “rregulativ” për konfliktet shoqërore, duhet kuptuar si evidencim i ndryshimit real që ndodhë shoqëri, si pasojë e konflikteve, të cilat me sa duket, së paku bazuar në historinë e deritanishme të njerëzimit, duken të pashmangshme nga vet natyra inherente e njeriut. Por, kjo assesi nuk duhet kuptuar si justifikim i luftës dhe justifikim i humbjes së jetëve.

Le të e konkretizojmë këtë qasje shpjeguese në realitetin kosovar, si një shoqëri e dalë nga një konflikt shoqëror, duke e eleminuar në këtë rast interpretimin me konotacion politiko-juridik se ishte luftë apo konflikt. Nga aspekti sociologjik kjo edhe nuk ka ndonjë rëndësi substanciale (dallimi luftë-konflikt). Nga aspekti sociologjik, konflikti apo lufta në Kosovë paraqet antagonizëm mes dy grupeve shoqërore, të cilat dallohen nga dallimet kulturore dhe pretendimet diametralisht të kundërta territoriale. Fakti se njëri grup ishte dominant ndaj tjetrit, në këtë rast serbët ndaj shqiptarëve, nuk e zbeh faktin se nga aspekti social strukturor që të dy këto grupe shoqërore ishin në faza të fillestare të industrializimit dhe rrethanat konkrete politiko ushtarake ndikuan që serbët të arrijnë të jenë dominues nga aspekti ushtarak dhe gjeopolitik.

Dominimi serb i cili zgjati afro një shekull, me gjithë zhvillimet partikulare pozitive, arriti që të mbajë pistonin e mbyllur, pra presoni social nuk lejoi ndërrimin e status quos. Kjo mbajtje e status quos u manifestua me ngrirje të raporteve shoqërore dhe ngecje thuajse në të gjitha aspektet sociale. Se çfarë ishte situata kur një grup ishte në trysni maksimale, shembull më ilustrues ishte Kosova para hyrjes së trupave të NATO-s, të cilët ishin faktori vendimtar i cili e hapi pistonin e presionit social të cilin e mbante të mbyllur Serbia (pasi UҪK e kishte filluar e vetme këtë proces).

Do ta anashkalojmë aspektin ushtarak dhe do të përqendrohemi në ndërrimet cilësore të cilat kanë ndodhur, të cilat ndërrime assesi nuk janë as të mjaftueshme e as më të mirat të mundshme. Jemi shumë vite pas shpërthimit të këtij konflikti dhe pas ndërrimit të situatave socialo-politike (ndërrimi i pushteteve në Kosovë) dhe tani flasim për ndërtime shkollash, rrugësh, autostradash, flasim për privatizim dhe akomodim me ekonominë e tregut të lirë, flasim për universitete private, e shumëçka tjetër. Gjithsesi se këto ndryshme nuk i mjaftojnë popullatës së Kosovës, por megjithatë është një gjë të cilën duhet theksuar patjetër si rezultat i arritur, e kjo është fakti se sot të rinjtë shqiptarë në Kosovë gjuhen serbe e ndiejnë aq të huaj sa edhe p.sh. rumanishten.

Kombi jugosllav nuk ishte projekt aq naiv, ai kishte fillesat dhe ithtarët e tij (thënë të drejtën të paktë) edhe në popullatën shqiptare të Kosovës. Nuk them se ende nuk ka ndonjë nostalgjik të tillë! Por, katërmbëdhjetë vjet pas konfliktit serbo-shqiptar është krijuar një gjeneratë e cila është kënaqshëm bilinguale, duke e pasur si gjuhë të dytë një gjuhë botërore e jo gjuhën serbe. Dhe, kjo gjeneratë pritet se do të komunikojë me bashkëmoshatarët e tyre serbë, shpresojmë për të mirë, në gjuhën angleze. Fakti se muzika serbe e Cecës është shmangur nga hapësira jonë radiodifuzive, paraqet treguesin më të qartë i cili kualitativisht tregon ndërrimin e bërë nga konflikti serbo-shqiptar dhe konsideroj se kjo është arsye e mjaftueshme për të festuar këtë Nëntor si shenjë e tejkalimit të inferioritetit të shqiptarëve.

Sigurisht se tani është e qartë se çfarë roli rregullativ ka pasur konflikti serbo-shqiptar, pa harruar faktin se ky rregullim social është rezultat i një derregullimi human. Pa pretenduar të gjejmë ndonjë teori gjithëpërfshirëse dhe konsistente lidhur me këtë, themi se kombi shqiptar (në Kosovë) po i bën hapat e vonshëm të maturimit dhe po e po merr përgjegjësinë e të qënit jo vetëm objekt, por edhe subjekt i zhvillimeve dhe historisë së tij.

Natyrisht, shpresojmë se kjo do të bëhet duke e kuptuar faktin se ndryshimi social është i pandalshëm në shoqëri, dhe e mira e të mirës do ishte të kemi konflikte permanente idesh të cilat do të rezultojnë më krijim e formave organizative sociale më të duhura për t’u akomoduar me ritmet bashkëkohore sociale globale, të cilat i sfidojnë vet kombet.

Mbarimi i një konflikti ndërnacional nuk do të thotë se nuk ka konflikte brenda nacionale. Natyrisht, nuk them se ka konflikte të përmasave violente. Në fakt as nuk konsideroj që duhet pritur kurrë një gjë të tillë. Ajo çka është me rëndësi të theksohet është fakti se duhet kuptuar se konfliktet janë pjesë përbërëse e jetës sociale (Lewis Coser) dhe trajtimi i mirëfilltë i tyre vjen nga të kuptuarit të mirëfilltë të tyre. Mbulimi dhe heshtja e konflikteve shpie në stagnacion dhe utopi sociale, apo në rritjen e presionit social, gjendje kjo e cila domosdo do të shpërthej. Në mënyrë që të kemi konflikte sa më të kontrollueshme, dhe sa më evolutive, duhet pasur një trajtim të përgjegjshëm dhe jo paragjykues, dhe hapi i parë në këtë drejtim është evidencimi dhe kuptimi i bazës së mirëfilltë të tyre e jo heshtja dhe mbulimi projektime në situata dhe periudha paraprake të cilat nuk janë referenca adekuate se çfarë duhet bërë me konfliktet sociale.

Besoj se paqja është e mundur duke i zgjidhur konfliktet (conflict resolution), e kjo është e mundur duke u ballafaquar me to e jo duke i neglizhuar apo manipuluar të njëjtat. Çka në fakt është demokracia, pos një konflikt permanent social i cili gjen zgjidhje pa violencë!?