LAJMI I FUNDIT:

Komunat në Maqedoni komentojnë anketën e IRI-t

Komunat në Maqedoni komentojnë anketën e IRI-t

Në anketën e Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), i zbatuar përmes intervistave sy më sy me 1.108 qytetarë në periudhën prej datës 4 deri më 12 mars të këtij viti, u tregua se shumica e qytetarëve të Maqedonisë janë të shqetësuar lidhur me punën e autoriteteve lokale.

”Derisa shumë kujdes i është kushtuar sfidave kombëtare të Maqedonisë, shqetësimi lidhur me punën e autoriteteve lokale është qartë i dukshëm në anketën më të re. Në prag të zgjedhjeve lokale, që pritet të mbahen më së voni në tremujorin e fundit të këtij viti, partitë politike duhet të gjejnë mënyrë për zgjedhjen e problemeve të cilat janë më të rëndësishme për votuesit lokal”, thotë Jan Surotçak, drejtor rajonal i IRI-it për Evropën.


Prej të anketuarve 51 për qind kanë deklaruar se deri diku ose janë shumë pak të kënaqur nga puna e kryetarëve të tyre të komunave, ndërsa 47 për qind i kanë shfaqur qëndrimet e njëjta për këshillat e tyre komunal. Pakënaqësi nga administrate lokale kanë shfaqur 46 për qind nga të anketuarit.

Madje 37 për qind vlerësojnë se komuna e tyre lëviz në drejtim të gabuar, 35 për qind janë neutral, ndërsa vetëm 23 për qind vlerësojnë se komuna e tyre lëviz në drejtimin e duhur.

Kryetari i Komunës së Zhelinës Fatmir Izairi, për Telegrafi Maqedoni thotë se në një kohë krize ekonomike të përgjithshme në vend, normalisht se edhe puna e kryekomunarëve nuk është shumë për tu lavdëruar.

‘Anketa ishte e përgjithësuar. Kuptohet në këtë gjendje të përgjithshme varfëri-ekonomike, sigurisht se ne nuk mund të shkëlqejmë. Edhe pse 46% e të anketuarve, nuk ishin prononcuar dhe kjo për mendimin tim nuk nënkupton se gjysma nuk janë të kënaqur. Por, megjithatë është një reflektim i situatës së përgjithshme në vend’.

Kush kush mund të jetë i kënaqur në një sistem kur për dy vite me radhë ka pasur krizë permanente institucionale dhe politike, kështu e fillon prononcimin e tij zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Armend Fazliu.

”Është më së e logjikshme që në këtë ambientin tonë të tensionuar dhe të brishtë politik, qytetarët të jenë të rraskapitur nga mos zhbllokimi i proceseve të cilët vunë sistemin institucinal para një kolapsi.

Sidomos kur bëhët fjalë për Komunën e Tetovës duhet të dijmë, që ka qenë një mandat mjaftë i vështirë, kishim betejën për mbylljen e Kombinatit Jugohrom, u përballëm edhe me katastrofë natyrore siç ishte situate e Vërshimeve, një situatë emergjente e cila shqetësoi jo vetëm banorët e pollogut por edhe më gjërë.

Nga kriza politike u bllokuan totalisht investimet e huaja të cilat përfshinin edhe zonën e lirë ekonomike të Tetovës, ky fenomen krijonte nje gep buxhetorë i cili nuk kishte alternative tjetër por së të mbulohej duke e ritur borxhin e jashtëm më huamarrje, në mënyrë që mos falimentonte sistemi pensional dhe të mundeshin të paguheshin rrogat e adminisratës shtetërore dhe publike. Praktikisht në qeveri teknike është bërë vetëm menaxhimi i sistemit dhe jo zhvillimi. Sepse edhe ne bazë të kompetencave të funksionimit Qeveria që doli nga “Përzhina” ishte teknike dhe e limituar maksimalisht në ushtrimin e kompetencave egzekutive”, vlerëson Fazliu për Telegrafi Maqedoni.

Ai më tej shton se e gjithë kjo ngjarje bie drejtpërdrejtë si presion edhe mbi Komunat sidomos kur e dimë që në aspektin buxhetorë me mos impelmentimin e decentralizimit fiskal komunat janë praktikisht të varura drejtëpërsedrejti nga buxheti qendrorë i shtetit. Dhe është më se normale që qytetarët të mos I kenë pritshmëritë edhe për qeverinë lokale.

Shefi i kabinetit të kryetarit të komunës së Gostivarit Nevzat Bejta, Bashkim Hasani thekson se qytetarët çdoherë kanë të drejtë, edhe kur janë të kënaqur edhe kur nuk janë.

‘Të them të drejtën nuk e kam parë këtë anketë. Qytetarët çdoherë kanë të drejtë, edhe kur janë të kënaqur edhe kur nuk janë. Nuk e di nëse anketa është bërë në tërë qytetet e Maqedonisë, por mendoj se qytetarët e Gostivarit, nga punët që janë bërë këto katër vite, nuk besoj se nuk janë të kënaqur sepse kemi bërë punë në interes të tyre. Nëse vërtetë qytetarët janë shprehur të pakënaqur, atëherë nuk kemi çfarë të bëjmë’.

Përndryshe, mandati i kryetarëve të komunave ka kaluar para dy ditëve dhe Kuvendi tanimë është funksional dhe në njërën nga seancat e para do të duhet të bëjë ndryshime të ligjeve përkatëse që e rregullojnë mandatin e njësive të vetëadministrimit lokal, përkatësisht e kryetarit të komunave dhe të këshillave. /Telegrafi/