LAJMI I FUNDIT:

Katharsis

Filloi si një muhabet për gjuhën, por degjeneroi në një polemikë banale, ku më nuk përpiqeshim ta bindim, por ta mposhtim tjetrin. Dy gjermanët m’u vërsulën me kritika, të cilat kurrë nuk do t’i besoja se dalin nga mendje të hapura si janë ato të perëndimit. Duke treguar paragjykim të thellë, më thanë se gjuha shqipe nuk është gjuhë “tamam” dhe unë u mbrojta se shqipja është një gjuhë e vjetër dhe një degë e veçantë e trungut indoeuropian (dhe këtë e kishin thënë edhe mendimtarët e mëdhenj gjermanë). Më thanë se nuk kishim histori dhe civilizim, e unë me sedrën e fyer, u thashë se kur kemi pasur ne civilizim, ata as nuk kishin parë një të tillë. Dukshëm të nxehur, më thanë se shqiptarët nuk i kishim dhënë asgjë kësaj bote dhe unë, jashtë kontrolli, u thashë se bile ne nuk e kishim shkatërruar atë botë me anën e një turpi si nazizmi. Atëherë, e prerë si me thikë, polemika pushoi. Ata nuk folën më asnjë fjalë. Kisha shkelur në pikën e ndjeshme. Gjermanët kanë kaluar nëpër një katarzë, që i detyron të ulin kokën kur flitet për nazizmin, por që i ka futur ndër kombet më të përparuara, më të qytetëruara e më të forta botërore.

Sipas fjalorëve enciklopedikë, Katarza është zbrazje dhe purifikim i emocioneve me anën e artit. Termi rrjedh nga greqishtja katharsis (zbrazje, dëlirje), që është një term mjekësor i përdorur nga Aristoteli si metaforë për përshkrimin e efekteve që tragjeditë e luajtura në skenë kishin në spektatorin: me anën e keqardhjes dhe llahtarit të përjetuar, tragjedia nxjerr jashtë ankthet e vetë spektatorit dhe përmes identifikimit dashamirës me protagonistin tragjik, i zbraz, i pastron ato. (http://www.reference.com/browse/Katharsis)


Mbrëmë, në një ritransmetim të emisionit “Opinion” të Blendi Fejziut, pashë prapë Liljanën, të renë e Enver Hoxhës. Në një intervistë të gjatë dhe plot emocion, ajo vazhdonte të fliste me gjuhën e vjetër. Ajo argumentonte sikur mos të kishte ndodhur asgjë. Regjimi i vjehrrit të saj kishte ngritur rrenën në virtyt dhe ajo e shfrytëzonte atë për t’i lënduar edhe më shqiptarët. Me një lehtësi të padurueshme, arsyetohej se ata nuk kishin qenë të informuar se çfarë po ndodhte jashtë Bllokut (sic!). Më tej, përpiqej që të arsyetonte vjehrrin e dashur. Të tjerët kishin pasur faj, jo ai, thoshte e reja e tiranit. Pa iu dridhur qerpiku, e reja e diktatorit më antinjerëzor që ka prodhuar marksizmi, fliste e argumentonte për një periudhë të zezë të jetës së shqiptarit. Dhe nuk kërkonte falje, nuk pendohej, nuk i vinte keq. Dhe pse ndodh kjo në Shqipëri dhe me shqiptarët?

Shqiptarët kurrë nuk kaluan nëpër një katarzë aristoteliane të përshkruar më lart. Ata kurrë nuk i shkuan punës deri në fund, në demaskimin e vërtetë, shkencor e moral të një ideologjie që e ka degraduar jetën e shqiptarit në mënyrë të pashembullt. Kurrë, nuk u bë një prerje e historisë, që ka krijuar një shkretëtirë shpirtërore dhe e ka vendosur shqiptarin në mesin e saj. Kurrë nuk u gjykua ajo dhunë e shqiptarit mbi shqiptarin, zakonisht mbi atë që përpiqej të klithte në atë shkretëtirë vetmie. Deri më tani, as nuk është aprovuar ndonjë ligj që sanksionon, në çfarëdo mënyre, mohimin e dhunës enveriste. Bashkë, në një shtet, në një shoqëri “të re”, në një dysheme ku ende shihen njolla gjaku, vazhdojnë të jetojnë e punojnë viktimat e xhelatët, shpeshherë të dytët shumë më mirë dhe shumë më rehat se të parët.

Shumë shqiptarë, jo që nuk janë penduar apo kanë kërkuar falje, por vazhdojnë dhunën (me mjete tjera, që vetëm enverizmi stalinist i di) kundër shqiptarit. A s’është ushtrim dhune, paraqitja e çdoditshme e stalinistave shqiptarë në media? A nuk është dhunë kundër poetëve, intelektualëve dhe të gjithë atyre që kanë vuajtur në gulagun enverist, kur përditë shohin njerëz që nuk e mohojnë regjimin antinjerëzor? Sigurisht se është dhunë kur njerëzit e pafajshëm që kanë kaluar dhjetëra vite në burgjet e tmerrshme enveriste, në fletëvotim shohin pasardhësit politikë të tiranit si njërin nga opcionet për t’u zgjedhur.

Shumë nga kosovarët do të më thonë: po ç’lidhje ka krejt kjo me ne? Do t’u thosha: ka, edhe shumë bile! Derisa të ndodhë një katarzë në Shqipëri, nuk do të ndodhë një e tillë në Kosovë. Enverizmi nuk ka vdekur në Shqipëri dhe as që duket se do të vdesë në Kosovë. Ai shihet, preket, ndjehet çdo ditë në jetën e sfilitur të shqiptarit në Kosovë. Enveristët kanë ende ndikim në një pjesë të painformuar të popullatës. Për këtë dhe për shumë arsye, na nevojitet një katarzë, matanë së pari dhe këtu së dyti. Një e tillë që do të na ftonte të gjithëve që me një dashamirësi dhe dhembshuri ta lëmë pas një aksident historik dhe ta dënojmë, moralisht dhe me ligj, çdo manifestim të ndonjë relikti nga kjo histori e dhimbshme. Atëherë eshtrat e të pushkatuarve do të pushonin të qetë dhe viktimat do të kishin një varr të vetin, jo gropat e humbëtirave. Të vuajturit nuk do t’i shikonin torturuesit e tyre në këmisha të mëndafshta, ende të pajisur me forcë ndikuese në jetën e tyre. Atëherë, ne do të ishim të sigurt se gjeneratat e reja nuk janë në rrezik nga një regjim antihuman. Atëherë dhe vetëm atëherë do të kishte shpresë për shqiptarët.

Në një shkrim të poetit Ali Podrimja, më 1999, pata lexuar se një vajzë gjermane (15 vjeçe) kishte bërë vetëvrasje kur kishte parë kolonat e shqiptarëve të Kosovës, që nën një dhunë të tmerrshme, po deportoheshin nga shtëpitë e tyre. E tmerruar nga fakti se njeriu mund të sillet me njeriun në atë mënyrë, në një fatalizëm rinor, ajo ia kishte prerë vetes jetën, e lemeritur se mund të jetë dëshmitare e një kohe të tillë. Gjeneratat që po rriten tani, me ndihmën që u jep neutraliteti i largësisë kohore, do të kenë rastin ta kuptojnë kohën dhe produktin enverist. A mund të më thoni se si do të ndihen ata kur ta kuptojnë se disa shqiptarë ende ruajnë fotot dhe ende festojnë ditëlindjen e tij? Si do të ndihen kur ta vërejnë se ata që nuk e kanë mohuar gjakderdhjen, kanë ndikim në jetën e tyre? A do të rriten ata me frikë të llahtarshme për dinjitetin e tyre, për lirinë e tyre?

Prandaj, kur do ta fillojmë katarzën? Ne në Kosovë, kemi edhe tragjedi të tjera, në të cilat nuk kemi shkuar deri në fund dhe për të cilat do të na ndihmonte një katarzë e thellë. Nga kjo, do të dilnim të larë e të purifikuar. Të lehtësuar nga një barrë, që po na e zë frymën, do të kishim rastin të hyjmë në rrugën e demokracisë, qytetërimit e përparimit. Në rrugën, ku kombet tjera po krijojnë vlera të vërteta. Në rrugën, në të cilën nuk mund të hyjmë pa folur më parë me vetveten.