LAJMI I FUNDIT:

Katër javët e luftës kanë dëmtuar rëndë ekonominë e Rusisë, qytetarët po përjetojnë krizë financiare

Katër javët e luftës kanë dëmtuar rëndë ekonominë e Rusisë, qytetarët po përjetojnë krizë financiare

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt solli sanksione gjithëpërfshirëse që e përjashtuan këtë të fundit nga struktura botërore financiare dhe që tronditën ekonominë e këtij vendi.

Një muaj më vonë, rubla ka humbur një pjesë të madhe të vlerës së saj, ndërsa obligacionet dhe aksionet e Rusisë kanë dalë nga të gjitha indekset financiare. Populli rus po përjeton dhimbje ekonomike që me gjasa do të zgjasë edhe në vitet në vijim.


Sipas Bankës Botërore, në vitin 2020, Rusia ishte ekonomia e 11-të më e madhe në botë, por deri në fund të këtij viti, ajo mund të renditet jo më lart se në vendin e 15-të, bazuar në kursin e këmbimit të rublës në fund të shkurtit

Ish-ekonomisti në Goldman Sachs, Jim O’Neill i cili krijoi akronimin BRIC për t’iu referuar Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës dhe Afrikës së Jugut tha se recesioni duket i pashmangshëm.

Ekonomistët vendor parashikojnë një tkurrje prej 8 për qind për këtë vit dhe presin që inflacioni të arrijë deri në 20 për qind. Parashikimet nga ekonomistët jashtë Rusisë janë edhe më të zymta.

Instituti i Financave Ndërkombëtare parashikon një rënie ekonomike prej 15 për qind në vitin 2022, e ndjekur nga një tjetër rënie prej 3 për qind në vitin 2023.

“Në përgjithësi, parashikimet tona nënkuptojnë se zhvillimet aktuale po fshijnë të gjitha përfitimet ekonomike të pesëmbëdhjetë viteve të fundit”, deklaron Instituti.

Shpërthimi i inflacionit

Që nga marrja e detyrës në vitin 2013, “triumfi” më i madh i guvernatorës së Bankës Qendrore të Rusisë, Elvira Nabiullina ishte reduktimi i inflacionit nga 17 për qind në vitin 2015 në pak më shumë se 2 për qind në fillim të vitit 2018. Teksa presionet e çmimeve u rritën në muajt pas pandemisë COVID-19, ajo sfidoi industrialistët duke rritur normat e interesit për tetë muaj radhazi.

Nabiullina i rezistoi gjithashtu thirrjeve në periudhën e viteve 2014-2015 për të frenuar rrjedhjen e kapitalit pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Ukraina. Por të gjitha këto arritje u shkatërruan në më pak se një muaj.

Rritja vjetore e çmimeve ka shkuar në 14.5 për qind dhe pritet të kalojë shifrën 20 për qind, pesë herë mbi objektivin e vendosur. Pritshmëritë e konsumatorëve familjarë për inflacionin për vitin në vazhdim janë mbi 18 për qind, niveli më i lartë në 11 vitet e fundit.

Megjithëse blerjet e panikut kanë pasur një ndikim tek inflacioni, dobësimi i rublës mund të vazhdojë të ushtrojë presion për rritjen e çmimeve.

Pasi rezervat e Rusisë jashtë vendit u ngrinë nga Perëndimi, Nabiullina u detyrua të dyfishonte normat e interesit më 28 shkurt dhe të vendoste masat për kontrollin e kapitalit. Banka tani pret që inflacioni të rikthehet tek objektivi në vitin 2024.

Nxjerrja nga tregjet ndërkombëtare

Sanksionet po i detyrojnë kompanitë e indeksimeve që të përjashtojnë Rusinë nga standardet e përdorura nga investitorët për të derdhur miliarda dollarë në tregjet në zhvillim.

JPMorgan dhe MSCI kanë njoftuar se do të përjashtojnë Rusinë nga indekset e tyre, përkatësisht për obligacionet dhe për aksionet.

Pozicioni i Rusisë në këto indekse ishte goditur fillimisht pas grupit të parë të sanksioneve të Perëndimit të vendosura në vitin 2014 dhe më pas prej atyre të vendosura në vitin 2018, si rrjedhojë e helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal në Britani të Madhe dhe e hetimeve për dyshimet në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016.

Përkeqësimi i vlerësimit të kredisë

Kur trupat ruse hynë në Ukrainë, vendi i tyre kishte një vlerësim shumë të mirë të kredisë nga tre agjencitë kryesore S&P Global, Moody’s dhe Fitch. Kjo i jepte mundësi Rusisë që të merrte hua me norma relativisht të favorshme, ndërsa pamundësia për të paguar borxhin sovran dukej një perspektivë e largët.

Në katër javët e fundit, Rusia ka pasur rënien më të madhe në historinë e vlerësimeve të kredive sovrane. Tani ajo ndodhet në fund të shkallës së vlerësimit, duke shtuar rrezikun e menjëhershëm të pamundësisë për të paguar borxhin e saj.

Problemi me rublën

Një muaj më parë, kursi mesatar njëvjeçar i këmbimit të rublës ishte 74 rubla për një dollar. Tregtimi i monedhës në platforma të ndryshme ishte një tregues i likuiditetit të mjaftueshëm, ndërsa diferencat mes çmimit të kërkesës dhe të ofertës ishin të vogla, siç pritet për një monedhë të rëndësishme të një tregu në zhvillim.

Pot tani, situata ka ndryshuar. Duke qenë se Banka Qendrore është privuar nga një pjesë e madhe e rezervave të saj valutore, rubla ra në nivele rekord, me 120 rubla që nevojiten për t’u këmbyer me një për dollar në nivel lokal. Në tregtinë ndërkombëtare, një dollar këmbehet me 160 rubla.

Teksa likuiditeti ra dhe diferencat mes çmimit të kërkesës dhe të ofertës u zgjeruan shumë, çmimi i rublës është bërë tepër i paqëndrueshëm. Kursi i këmbimit nuk ka gjetur ende një ekuilibër, as brenda dhe as jashtë vendit. /Telegrafi/