LAJMI I FUNDIT:

“Kafe me nënën”, “Me zemër në qese najloni” dhe “Burri që lozte me engjëj”)

“Kafe me nënën”, “Me zemër në qese najloni” dhe “Burri që lozte me engjëj”)

Vështrim mbi tri vëllimet e fundit me poezi të Xhevdet Bajrajt

Nga: Zyrafete Shala

Para disa vitesh kur rastësisht e njoha poezinë e Xhevdet Bajrajt, pata përshtypjen se hyra në një univers të ri, në një botë ku ekzistenca merr përmasa të reja, ku fjala shfaqet me tërë madhështinë e saj dhe arrin t’i kthejë në tablo edhe ndjesitë më të fshehura të qenies. Që nga ai çast, nuk kam reshtur së ndjekuri me pasion çdo intervistë dhe krijim të tij, sepse e shihja si një shteg që e nxjerr letërsinë shqipe nga shtjella që e mban të izoluar brenda kufijve kombëtarë. Nëse i hedhim një vështrim librave të tij të botuar në gjuhën shqipe, duke filluar nga viti 1988 (“Nënë prej guri”, Rilindja) e deri më sot, shohim se gjatë këtij harku kohor tridhjetë e tre vjeçar, Bajraj në veprën e tij ka arritur të krijojë portretin gjithëpërfshirës të ndjenjave më sublime të njeriut, portretin e dhimbjes, trishtimit, mallit e dashurisë, krahas hartografisë së vuajtjeve të popullit të tij. Poezia e Xhevdet Bajrajt mishëron etalonin e krijuesit që poezinë e ka domosdoshmëri, aleat për ta përballuar jetën dhe përgjigje për dilemat substanciale që shtron ajo.

Gjatë vitit të fundit, Xhevdet Bajraj ka botuar tri vëllime me poezi: “Kafe me nënën” (2020), “Me zemër në qese najloni” (2021) dhe “Burri që lozte me engjëj” (2021), që të tria botuar nga Armagedoni. Nuk janë thjesht tre tituj, tre libra, janë tri rrugëtime brenda vetes, brenda vetëdijes e pavetëdijes, brenda reales e sureales, brenda historisë dhe ngjarjeve tronditëse që zakonisht mbeten jashtë faqeve të saj, brenda përjetimeve të botës reale dhe asaj shpirtërore, brenda një universi pa fund. Secili libër ka një strumbullar që i bashkon motivet, për t’u zgjeruar më tej deri atje ku arrijnë krahët e imagjinatës së bujshme të poetit dhe deri në thellësitë më të fshehta të ndjenjave. E të gjitha këto artikulohen me mjeshtëri, saktësi e elegancë në fjalë, në vargje e në poezi që arrijnë deri te shijet e stërholluara estetike të lexuesve.

Poezitë e librit “Kafe me nënën” të shkruara gjatë gjysmësemestrit sabatik, derisa poeti qëndronte në atdhe, përkojnë me një periudhë të veçantë të jetës së tij, periudhë kjo që shënjohet nga një humbje … një humbje e veçantë, nga ato që e nxisin te njeriu, më shumë se kurrë më parë, nevojën për t’u strehuar në të kaluarën, atëherë “kur bota ishte tepër e madhe”, të kujtojë kohën “kur luante me këmbë të zbathura”. Humbja e determinon shfaqjen e një realiteti të ri, kur në vend se t’i lësh lamtumirën nënës dhe të marrësh uratën e saj deri në takimin e radhës, të duhet të pranosh lamtumirën e saj dhe ta përcjellësh atë drejt botës së panjohur. Kjo situatë e nxjerr nënën si protagonist lirik të librit dhe vdekjen si lajtmotiv të tij.

Koncepti poetik i vdekjes, i trajtuar edhe në krijimtarinë e mëparshme të Xhevdet Bajrajt, në vëllimin “Kafe me nënën” kthehet fuqishëm duke krijuar kontrast mes vdekjes si akt i natyrshëm i përmbylljes së jetës dhe vdekjes si akt i dhunshëm. Nëse vdekja e natyrshme, siç u tha, nxit nevojën e ripërjetimit të së kaluarës ku në njëfarë mënyre kujtesa arrin ta ruajë të gjallë njeriun e dashur, vdekja e dhunshme, krahas tmerrit, ngjall “turpin e të qenit njeri”. Kjo e fundit konkretizohet nëpërmjet imazheve që shfaqen si reminishenca të kujtesës kolektive: Tre të rinj vriten nga tre njerëz të uniformuar, një paramilitar e zien kokën e një shqiptari të vdekur, tjetri pi qumësht nga gjinjtë e gruas që përdhunon … Sekuencat e tilla krijojnë një sërë derivatesh semantike të cilat konvergjojnë në dilemën: Është më e tmerrshme vdekja apo vetë njeriu që fshihet prapa saj? Në këtë mes edhe më shqetësues del fakti që: “Njerëzit pa lëvizur / si në kinema / shikojnë qetë / të mësuar tashmë ta shohin një të kryqëzuar”. Indiferencën e njerëzve ndaj të keqes si dukuri, poeti e sheh si rrjedhojë të të jetuarit në një treg të lirë, ku mediat çdo ditë promovojnë dhunën, ushqejnë publikun me frikë për ta bërë atë pjesëmarrës në krimin kundër njerëzores.

Të jetuarit në një ambient të tillë, gjithnjë e më të kontaminuar, bëhet motiv i disa poezive të librit tjetër, “Me zemër në qese najloni” që ka një strukturë prej shtatë ciklesh. Nga cikli i parë “Vatër” e deri tek i fundit “Rruga që kurrë nuk humbet” vërehet intenca e përvijimit të tërësisë ideo-tematike të librit, por edhe të ëndrrës kosovare për liri dhe shtegtimit drejt jetësimit të saj. Edhe pse në shikim të parë duket si i izoluar nga pjesa e tjetër e librit, cikli “Vatër”, vjen në cilësinë e prologut dhe shfaq bërthamën e idesë që përbën sfondin e poezive të tjera. Dashuria ndaj atdheut këtu manifestohet përmes forcës që tejkalon botën materiale, ajo merr kuptim kur sendërtohet mbi imazhet që shihen me sytë e zemrës, sepse vetëm si e tillë mund të kthehet “në një zjarr që ngroh tërë jetën”. Por, synimi i poetit nuk është të vazhdojë me glorifikimin e kësaj ndjenje që është trajtuar deri në shterim në letrat shqipe. Ai shkon më tutje, duke shpalosur dramën tragjike që ka përjetuar populli ynë në emër të kësaj dashurie dhe së fundi, nëpërkëmbjen e saj pikërisht atëherë kur erërat e historisë krijojnë klimën e përshtatshme për të vënë themelet e ngrehinës së ëndërruar.

Brenda librit “Me zemër në qese najloni” janë një varg poezish që shpalosin realitetin e dhimbshëm kosovar që vjen si produkt i errësirës dhe disfatës morale të qenies njerëzore. Është kjo një temë që e preokupon poetin në vazhdimësi, tash e dy dekada. Në poezitë e kësaj natyre, Bajraj përmes ironisë, sarkazmës e alegorisë demaskon realitetin e shpërfytyruar. Në zërin e tij ndjehet dhimbja e thellë për tokën dhe njerëzit që e prisnin pranverën që nuk erdhi, por edhe mllefi ndaj atyre që “në këmbët e shëndosha të lirisë u nxituan të fusnin gjembat, që atdheun e duan qençe dhe lirinë e shohin si asht të vetin”. Peneli i Bajrajt pikturon imazhe brenda të cilave çdo lexues e ndjen veten si në shtëpi sepse ato shpërfaqin sekuenca të aktualitetit dhe kanë shijen e hidhur të tij. Si gjithmonë, Bajraj vjen i kursyer në fjalë, por i saktë në ndërtimin e figurave mjeshtërore të fjalës. Ai vazhdon të jetë i pakursyer në fshikullimin e deformimeve të shoqërisë; guxon të futet në peizazhin e errët të përditshmërisë shqiptare, të heq maskat e paturpësive që e kanë ngulfatur lirinë dhe të nxjerrë në dritë të vërtetën e molepsur nga intrigat e elitës politike.

Vetë akti i rebelimit që manifestohet në poezinë e Bajrajt demonstron lirinë intelektuale e humane të tij, sepse siç do të thoshte Orwelli “liria është e drejta për t’u thënë njerëzve atë që ata nuk duan ta dëgjojnë”. E vërteta askund nuk mund të thuhet më fuqishëm se në poezi, në vargjet që lindin si ekstrakt i dhimbjes kolektive që materializohet në ciklin e poezive të luftës e burgut. Cikli “Qengjat që nuk do të rriten” është një homazh për viktimat e pafajshme që dergjen nëpër varrezat masive të ujit apo në tokën e huaj, ndërkohë që në atdhe i priten krahët lirisë. Poeti jo vetëm që i përjetëson viktimat dhe të zhdukurit brenda poezisë, por i kthen ata sërish në aktualitet për të zgjuar ndërgjegjen e fjetur. Shtëpia me një lule në dritare, e vizatuar në fletoren e vajzës tri vjeçe që u gjend në mesin e viktimave në një varrezë masive, është klithma e poetit kundër harresës që ka vrarë të tashmen dhe rrezikon ta vrasë edhe të ardhmen. Poeti klith nga dhimbja për të ardhmen, sepse e ndjen: “se nesër / të gjithëve kanë për të na vrarë / oh / sytë e fëmijëve tanë”.

Në vëllimin e tretë “Burri që lozte me engjëj” na shfaqet një botë krejt e veçantë, një botë që ngjan me fëmijërinë e njerëzimit. Një rrëfim lirik ku shfaqet protagonisti si paradigmë e njeriut që ndjen, sheh e flet me zemër, që jeton në harmoni të plotë me natyrën dhe që përjeton edhe dhimbjet e saj. Burri që lozte me engjëj, sado që nga të tjerët konsiderohet me mangësi, është një version më i avancuar njeriut, atij vërtet “zogu ia hëngri fjalët”, por ia dhuroi krahët e tij që të fluturojë përtej peizazhit të populluar me njerëz që flasin; vërtet ishte një lumë që nuk e dëgjoi kurrë gurgullimën e vet, por në zemrën e tij kishte aq shumë dashuri, sepse aty ishte ulur vetë Zoti. Te “Burri që lozte me engjëj” poeti Bajraj krijon alteregon e tij, një personazh unik brenda gjeografisë shpirtërore të të cilit ruhen të gjitha virtytet që njeriu posedonte përpara se të bëhej shërbëtor i së keqes. Përmes këtij libri poeti na ofron një version të përkryer të të jetuarit, një botë ideale pa zë, pa fjalë që vrasin, por me lëvizje që sinkretizohen me zërin e natyrës, me zërin e dashurisë.

Me këto tri vëllime me poezi zgjerohen edhe më tej kufijtë e universit poetik të Xhevdet Bajrajt, univers ky që qëndron si një ishull në ujërat gjithnjë e më të turbullta të letërsisë bashkëkohore shqipe. Përmes poezive që përfshihen brenda këtyre titujve, Bajraj edhe një herë arrin që mungesën e gjatë në atdhe ta kthejë në prani të pakontestueshme, në ekzistencë aktive e vrojtim të detajuar të dukurive me të cilat përballen tash e dy dekada bashkëkombësit e tij. Të jetuarit në një skaj aq të largët të botës nuk e pengon që të vazhdojë t’i hapë rrugë letërsisë shqipe për t’u integruar në letërsinë e përbotshme, t’i veshë preokupimet tona me petkun universal të shqetësimeve të njeriut mbi botën. Ai nuk rresht së përpjekuri ta bëjë vendin e tij një vend më komod për të jetuar dhe që gjenerata tona të tëra të mos çalojnë rrugëve të botës.