LAJMI I FUNDIT:

Jo më kot quhet KODI I VESHJES

Jo më kot quhet KODI I VESHJES

Gjatë një eventi mode në kryeqytet, më erdhi në mendje një thënie e jona popullore “Si është vendi, bëhet kuvendi”; dhe këtë ma solli në mend veshja e disa të ftuarve në atë event...

Nga: Getoarbë Mulliqi

Para se të nisesha konsultoheshim më një shoqe nëpërmjet telefonit se çfarë do të ishte më e përshtatshme, të vishnim në një revy mode. Natyrisht, se është e vështirë të vendoset, aq më tepër në një event të tillë, ku moda është mbi gjithçka. Pas shumë kohë konsultime, një dollap të tërë të hedhur në tokë, shkëmbim i rreth 50 fotografive dhe shumë pyetje se “Si po të duket?”, “A mos është thjeshtë?”, “A përshtatet kjo qafore, apo ky fascinator?” vendosëm që të hyjmë në sallë. Ishim pothuajse të parat aty, edhe pse eventi duhej të fillonte në ora 20:00, ndërsa të tjerët erdhën në vazhdimësi deri në ora 20:40 – e komenti, ishte “TIPIKE NE”. Kemi dëshirë të biem në sy, me vonesa! Mirëpo, nuk duhet harruar, se përshtypja përpos e mirë, mund të jetë edhe e keqe. E vonesa, nuk është asnjëherë shenjë e mirë. Mirëpo, prapë po them “TIPIKE NE” më një fatkeqësisht, pas kësaj (por problemin e vonesës, do ta trajtojmë në kolumnen e radhës)!


Gjatë “parakalimit” të mysafirëve të vonshëm, arrita të identifikoj njerëz që madje as nuk e kishin marrë mundin të dukeshin se po vinin në një revy MODE – ku ajo që duhet të dominoj është MODA, dhe jo MODESTIA! Natyrisht se kishte edhe përjashtime, mirëpo të rralla.

Nikoqirja e natës dukej sikur posa kishte dalë nga Vogue. Modelet padyshim se dukeshin bukur, aq më tepër në ato kreacione shumëngjyrëshe, që i paraprijnë asaj se çfarë do të shohim këtë sezon – ndërsa, unë mendoja, se kush nga këta MODESTË, do të vishte diçka të tillë, kaq glamuroze… duke gjykuar në atë se si dukeshin tani.

DISA LIGJE JANË TË PASHKRUARA
Kemi dëgjuar për ligjet e shkruara dhe ato hyjnore. Më vonë, janë edhe ligjet e pashkruara, të cilat i bën rrethi ku jetojmë. E KODI I VESHJES, nuk është përjashtim. Nëse ka diçka të cilën ma ka mësuar jeta është kjo “Të dukesh bukur nuk e respekton vetëm veten, mirëpo edhe vendin në të cilin ke shkuar”. Dhe nëse mendojmë për gjithë ato herë që kemi shkëlqyer, të gjithë do e kuptojmë se ky është një ligj i pashkruar mirëpo, nuk do të mund ta kontestojë askush!!!

Në një funeral nuk mund të shkosh e veshur sikur në një dasmë. Në një dasmë nuk mund të shkosh sikur do të shkojë në dyqan. Në një dyqan nuk mund të shkosh ashtu siç do të shkoje në ndonjë aheng familjar. Në një aheng familjar nuk do të mund të shkosh, ashtu siç është etike të vishesh në një funeral. Pra, të gjitha këto sillen në një rreth imagjinar, të cilin secili prej nesh e ka. Të gjithëve na ka ndodhur të shkojmë në së paku dy nga këto më lartë; sigurisht, në dyqan të gjithë. Mua një dita posa dola nga shtëpia për t’u nisur në dasmën e shoqes sime m’u kujtua se kisha nevojë për faculeta. U ndala tek dyqani i parë i lagjes, ndërsa tre personat që ishin në te më shikuan çuditshëm. Nuk i isha përshtatur vendit me fustanin me kosh, flokët e ngjitura për koke, qerpikët e stërgjatë e aq më pak me grimin e ngarkuar. E përshëndeta njërën, pasi që e njihja. Shikimet më përcollën deri sa dola jashtë, ndoshta edhe ndonjë fjalë aty-këtu. A u ndjeva keq? Pak. Kam mund t’i blej faculetat paraprakisht – mirëpo, nuk është se isha aty për të bërë pazarin e javës, dhe sigurisht as nuk dukesha se isha rregulluar ashtu për të shkuar në dyqan. Më vonë, kur arrita në vendin ku bëhej dasma (ku përsëri ndodhi të isha në mesin e mysafirëve të parë), pas më shumë se gjysmë ore me vonesë, erdhi edhe ajo fqinja ime që e takova tek dyqani. Ajo kishte veshur një këmishë dhe një palë xhinse. E tash, isha unë ajo që do të gjykoja – edhe i dhashë vetes të drejtë. Ishte pikërisht ajo këmisha, me të cilën e kisha atë tek lokali i lagjes ku takohemi shpesh, ajo që e kishte të veshur një ditë në sheshin e qytetit kur po e shëtiste qenin e saj – po, po, pikërisht me një këmishë, në një dasmë ku kishe përshtypjen se je në njërën nga ballot parisiene të Coco Chanel-it. Edhe pse dorën në zemër, kishte edhe nga ato, që kishin veshur fustane të bardhë; ku po të mos e njihja nusen, do të pandehja se ishte ndonjëra nga ato. Pra, edhe një herë ndesh me “ligjin” e pashkruar!

SOT EDHE ME 10 EURO MUND T’IA DALËSH
Në epokën e internetit, dyqaneve nga 1-1000 euro, të rrobaqepësve e disenjatorëve të gjithë mund të dukemi bukur, edhe duke mos shpenzuar shumë të holla.

Ana financiare është shpesh (mos të themi gjithmonë) ajo që na e determinon atë se si do të dukemi kudo dhe kurdo. Mirëpo, në fakt është shija ajo që duhet të jetë përcaktues i kësaj. Medoemos më duhet ta përmend një ish-kolegen time, e cila bënte jetë mesatare. Me një rrogë “normale” për kushtet e Kosovës. Çdo ditë merrte komplimente nga të gjithë ne për dukjen e saj, unike dhe trendi! Nuk i frekuentonte brendet e njohura, dyqanet më ekskluzive apo edhe disenjatorët si kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar; ajo e dinte se çfarë donte. Kishte raste kur tregonte se si një çantë apo një këmishë e kishte blerë tek rrobat me kilogram, dhe ende menaxhonte të dukej UOU!

Pra, vetëm nëse nisemi nga rrethi i madh në hyrje të kryeqytetit e deri në fund të sheshit, mund të gjejmë rroba nga 1-1000 euro; krejt çfarë na duhet është shija, dhe të vendosim nëse vërtetë duam të respektojmë vendin dhe veten, apo vetëm do të vishemi dhe dalim, me MODESTI të tepruar… madje do ta quaja të panevojshme!COCO CHANEL
Disa nga thëniet që janë si nene të këtij ligji të pashkruar, janë pikërisht nga ajo që i dha formë modës, Coco Chanel;
Moda nuk është diçka që gjendet vetëm në fustane. Moda është në qiell, në rrugë, ka të bëjë ide e se si e jetojmë atë që po ndodhë.
Ashtu që të jeni të pazëvendësueshëm, gjithmonë duhet të dukeni ndryshe!
Vishu ashtu sikur do visheshe në takim me armikun tënd.
Moda ndryshon, stili mbetet i vetëm.
Unë nuk e praktikoj modën, unë jam moda vetë!

E shumë të tjera, të cilat përpos që janë shumë inspiruese, janë edhe të mençura. Andaj, duke e respektuar KODIN E VESHJES, qoftë edhe i pa kërkuar, mendoni se sa shumë do të thotë, për nikoqirët. Është bukur nëse e dimë se në një ballo femrat veshin fustanin e gjatë, ndërsa meshkujt frakun dhe një flutur. Në ftesë nuk shkruan, por ashtu siç e thash më herët, edhe kjo i përket ligjit të pashkruar, e që duhet të dihet edhe pa u përmendur!

Duke mos dashur të paragjykoj as më lart e as në këtë që do e them për fund, me shumë dëshirë do të doja ta mbyllja edhe këtë kolumne më një thënie të ikonës së modës dhe inspirimit të shumë disenjatorëve e gjithsesi edhe shumë femrave, Coco Chanel “Çdo ditë është si një revy mode, ndërsa bota është pasarela jonë”. /Telegrafi/