LAJMI I FUNDIT:

Jeto për të rrëfyer: Drenusha nga Çabiqi

Jeto për të rrëfyer: Drenusha nga Çabiqi
Drenusha gjatë luftës (atëherë gjashtë vjeçe), pasi granata e hedhur nga forcat serbe ia vret nënën e vëllain e atë e la pa njërën dorë

Nga: Sebahate J. Shala

(Bazuar në mbamendjen teme dhe e vërtetuar e plotësuar nga Dr. Fadil Beka)


Fillimprill, 1999. Sapo kishte rënë terri. Doktor Fadili na njoftoi për një rast të rëndë me disa të plagosur dhe kërkoi që njëra nga ne, Hyra, Arifja, Valbona ose Vjollca, ta shoqëronim. U vendos që unë të shkoja. Naseri (Gashi), pjesëtar i UÇK-së, e që e kuptova se ishte familjar i të vrarëve dhe të plagosurve, po na priste. Ishte me urgjencë. Nuk e di saktësisht a kemi qenë në Tërdevc apo Vuçak meqë Sektori i Shendetësisë i SHP të UÇK-së – në krye me Dr. Fadil Beken – ishte tërhequr nga Likovci dhe po operonte ndërmjet Obrisë, Tërdevcit e Vuçakut.

U pajisëm dhe morëm rrugën. Naseri, si prijës, na tha: Një; keni me ecë gjatë. Dy; kujdes dhe qetësi! Kjo e fundit për shkak se gjatë gjithë rrugës do të ecnim në rrafsh (lendinë), nëpër hekurudhë, dhe mund të shiheshim nga të katër anët – si në pasqyrë. Forcat serbe tashmë ishin stacionuar te Fabrika e Municionit në Skenderaj, në Fabrikën e Ferronikelit në Gllogovc, në Mokne të Runikut, në Likovc, në Obri. Me një fjalë ishte rrezik të udhëtoje në ato zona.

Si tri hije kemi ecur, herë-herë njëri pas tjetrit, dhe gjithnjë hekurudhës: unë dikur dola përpara, ata dy mrapa. Heshtje. Vetëm zhurma e këpucëve tona, e të cilat dukej se tingëllonin si çizme ushtarake, dëgjohej. Si për sherr hëna ndriçonte atë natë dhe kur rastiste të kalonim në zona më të rrezikshme, Naseri na paralajmëronte me gisht në buzë. “Shttttt. Rrezik!” E ndalje frymëmarrjen. E, si për inat bash qat’herë ty të vinte një e kollitur, e cila merrte hov dhe sikur trimërohej sa më shumë që ti përpiqeshe ta frenoje. Khë, khë, khë, kha, kha, kha. Zemra t’u nalke. Çdo moment prisje që të dëgjoje të shtëna. Kur kalonte rreziku, shliroheshim, ugh huh, ugh huh, ugh huh, dhe vazhdonim rrugën. Ata dy rifillonin bashkëbisedimin. Zërat e tyre dëgjoheshin si nga distanca. Pas 3-4 orësh ecjeje mbërrijmë tek vendi i quajtur “Tunelat e Murges”, ku ishte strehuar popullata civile e Çabiqit të Klinës, siç ma rikujtuan emërtimin Dr. Fadili dhe Bedri Gashi.

Tenda të bardha të improvizuara. Na drejtojnë tek pacienti ynë, Drenusha (Gashi), 6 vjeç. Dora e saj deri tek bërryli ishte zhdukur pothuasje e tëra nga granata. Kishte mbetur vetëm lëkura, e kacavjerrur. E bukur, sy gështenje në formë gëzhoje, lëkurë ngjyrë kafe. E zajfët. Me një pamje pikëlluese na vështronte, dhe përmes një buzqeshjeje me gjysmë buze, sikur komunikonte me ne. Filluam intervenimin: Unë ia mbaja dorën ndërsa doktori ia pastronte plagën: fillimisht, ia hoqi pjesën e vdekur të lëkurës që të parandalonte infeksionin, më pas ia vendosi një shinë (hekur), si zëvendësim për pjesën e humbur, dhe në fund, e fashuam. Doktori, siç ma konfirmoi rishtazi, kishte qenë i drejtpërdrejtë: Drenusha e ka humbur dorën. Unë po e vendos këtë shinë vetëm përkohësisht.

Më 7 prill, 1999, forcat serbe të pozicionuara në Obri, sipas dëshmitarëve, kishin gjuajtur granata dhe minahedhës në drejtim të popullatës civile, e strehuar në Çabiq. 12 civilë ishin vrarë, në mesin e tyre edhe nëna e Drenushes, Fatimja dhe vëllai Mirgeti, 4 vjeç, të dy të hasretit. Dhjetëra tjerë ishin plagosur, përfshirë gjyshen dhe gruan e axhës së Drenushes.

Kemi qenë shumë të kujdesshëm që të mos i shkaktojmë dhimbje, por Drenusha, çuditërisht, as nuk qante, as nuk ofshante. Ishte stoike!!! E mu tanë kohën zemra um ka kajtë. Kurre s’e harroj fytyrën e saj, atë shikim të pafajshëm fëmijëror. Të mallëngjyeshëm. Atë ditë e pata kuptu që Drenusha ishte mbesa e Jahir dhe Fadil Demakut, eprorë të lartë të UÇK-së dhe vëllezër të dëshmorit Xhevat Demaku. Ndërsa, së fundi, që Bedri Gashi, me të cilin kisha bashkëpunuar si gazetare sa ishte drejtor për informim i Qeverisë dhe më pas zëdhënës, ishte djali i axhës së Drenushës. Faleminderit shumë Bedri që më ndihmove në verifikimin e disa informacioneve! Nga familja e Drenushës kishin shpëtuar vetëm babai Agimi dhe motra Diana.

Pasi i kemi trajtuar edhe të plagosurit tjerë duhej të ktheheshim nga kishim ardhur. Para se të zbardhej. Ka qenë ende ftohtë, sidomos natën, dhe unë, siç ma kujtoi doktori, i kam dathë këpucat, çizme të shkurtëra me taka të rrafshta, dhe kam ecur zbathur. (Nejse, Dr. Fadili ma kujtoi qe m’u kishin pase prish thembrat e kpucave ☹️😂, prandaj). Vetëm në hunihopke që u shkyen gjatë rrugës. Ndërkohë, kalimthi jemi ndalur në fshatin Gollubovc ku edhe kemi hangër bukë në një shtëpi të zbrazët. Mish pule.

E pashë këto ditë një dokumentar të Nusret Pllanes kushtuar Drenushës. E kuptova, që në ndërkohë, pjesa e mbetur e dorës së Drenushes ishte amputuar nga Dr. Gani Halilaj, koleg i yni, dhe ishte varrosur në Tërdevc në maj të vitit 1999. Intervenimi duhet të ketë ndodhur në kohën kur ekipi i Dr. Fadilit kishte lëvizur në Berishë, respektivisht në Novasellë e Divjakë.

Me Drenushën jemi takuar edhe një herë, në fillim-qershor, në Zonën e Nerodimes, kur një ekip i UÇK-së i kryesuar nga daja i saj, Fadili, udhëtonte për në Shqipëri për trajtimin e disa ushtarëve të plagosur, në mesin e tyre Çukurrukin, dhe për të marrë pajisje mjekësore e ushtarake. Çlirimi i Kosovës, siç më pati tregu Fadili, na kishte zënë rrugës. Para se të hynim në Maqedoni, kemi ecë 3 ditë e 3 net (Drenushën e mbante babai i saj në qafë), duke kaluar Malet e Jezercit e Lubotenit, ndërsa natën e fundit kemi ecë 12 orë për ta kaluar kufirin para agimit që t’i shpëtonim ushtrisë maqedonase. Në ora 4:00 të mëngjesit, kemi mrri në Oder, fshat në Tetovë. Nga aty, Drenusha ishte marrë nga Kryqi i Kuq dhe ishte dërguar për shërim në Francë. Drenusha është 27 vjet. Është martuar dhe ka një djalë.

(Fotot e huazuara nga dokumentari i Nusret Pllanes. Një falënderim shkon për gazetaren Nexhmije Ahmeti)