LAJMI I FUNDIT:

Ilaç i ri që shënjestron sklerozën e shumëfishtë

Ilaç i ri që shënjestron sklerozën e shumëfishtë

Shkencëtarët në Qendrën për varësi dhe shëndet mendor (CAMH) e kanë zbuluar një qasje të re premtuese për trajtimin e sklerozës së shumëfishtë (MS).

Në një studim të ri, ata e kanë identifikuar një ndryshim të panjohur më parë në palcën kurrizore që lidhet me MS, dhe një mënyrë për ta ndryshuar këtë ndryshim për ta zvogëluar dëmtimin e qelizave nervore që ndodh me sëmundjen.

Ky hulumtim, i cili mund të çojë në zhvillimin e llojeve të reja të barnave për trajtimin e MS, u drejtua nga dr. Fang Liu, shkencëtar i lartë në Campbell Family Mental Health Research Institute të CAMH-së dhe profesor në Departamentin e Psikiatrisë në Universitetin e Torontos.

Studimi publikohet në Annals of Clinical and Translational Neurology.


Skleroza e shumëfishtë (MS) është një sëmundje e cila shpesh shkakton paaftësi progresive neurologjike, dhe e cila diagnostikohet më shpesh në mesin e të rriturve të rinj mes moshës 15 dhe 40. Ndërsa shkaku i saktë i MS është i panjohur, në të është i përfshirë reagimi imunitar i trupit, dhe ajo është objektivi i të gjitha barnave aktuale të përdorura për trajtim. Këto medikamente nuk e shërojnë sëmundjen, por ato ndihmojnë në lehtësimin e simptomave dhe ngadalësimin e përparimit të sëmundjes.

Fokusi i hetimit të ekipit të saj ishte një ndryshim i palcës kurrizore që e përfshiu një proteinë, e cila bashkangjitet në një receptor specifik qelizor për neurotransmetuesin glutamat. Ky kompleks i lidhur receptor-proteinë ishte i pranishëm në nivele më të larta në indet e shtyllës kurrizore të pacientëve të vdekur me MS dhe në modelet e MS në kafshë.

Potenciali për një trajtim të ri të MS është bazuar në atë që ekipi i dr. Liu ishte në gjendje ta tregonte pas këtij zbulimi. Duke i përdorur teknikat e zhvilluara në laboratorin e tyre, studiuesit e krijuan një peptid të ri – një copëz të vogël të proteinave – në përpjekje për ta penguar këtë ndryshim në modelet e MS në kafshë.

Në MS, inflamacioni e dëmton mielinën në sistemin nervor qendror (CNS), gjë që mund t’i dëmtojë nervat themelore dhe ta ndërpresë transmetimin e impulseve nervore, transmeton Koha.net. MS lidhet me një shumëllojshmëri të gjerë të simptomave, varësisht nga vendi se ku ndodh dëmtimi në CNS.

Ajo që është e rëndësishme është se peptidi i ri nuk duket se e pengon në mënyrë të drejtpërdrejtë reagimin e sistemit imunitar të trupit, dhe nuk e dëmtoi transmetimin fiziologjikisht thelbësor të neuroneve në tru – një efekt i shpeshtë anësor për ilaçet që e vënë në shënjestër sistemin glutamat, vë në dukje dr. Liu.

“Prioriteti ynë tani do të jetë ta zgjerojmë këtë hulumtim dhe të përcaktojmë se si ky zbulim mund të kthehet në trajtim për pacientët”. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Çfarë është hernia inguinale?

Çfarë është hernia inguinale?

Kalo në kategori