LAJMI I FUNDIT:

Çfarë është hernia inguinale?

Çfarë është hernia inguinale?

Hernia është një ënjtje që paraqitet poshtë lëkurës për shkak të daljes së organeve të brendshme nga një çarje ose vrimë në murin e barkut. Kjo ënjtje që shkaktohet nga hernia herë-herë është më e shprehur, herë-herë zhduket.

Prof. Dr. Ugur Gozalan
Kirurg i Përgjithshëm

Gjatë ngritjes në këmbë kur kollitemi shtrëngohemi, hernia bëhet më e dukshme, ndërsa në pozicionin shtrirë ajo zhduket. Në këtë rast, organet që gjenden brenda qeses së hernies kthehen brenda në bark. Më shpesh brenda qesës së hernies gjenden zorrët. Në fazat më të përparuara të hernies enjtja është persistente dhe pacienti përpiqet ta shtyjë këtë hernie brenda për t’u qetësuar.

Të gjitha herniet e murit të barkut janë ose të lindura, ose krijohen më vonë nga një pikë e dobët. Shembull të hernieve që krijohen nga një pikë e dobët ekzistuese që nga lindja janë hernia e ijeve (hernia inguinale), hernia e kërthizës dhe përreth kërthizës. Pika të dobëta që krijohen më vonë janë zakonisht vendet e operuara: prej këtu krijohen hernie nga zona e incizionit (prerjes). Herniet që krijohen në këto zona që janë operuar më përpara quhen hernie incizionale. Rritja e menjëhershme e presionit intrabdominal (brenda barkut) si psh: ngritja e peshave të rënda, kapsllëku kronik, kollitja, shtrëngimi, vështirësia në urinim shkaktojnë krijimin dhe lehtësojnë shfaqjen e hernieve.

Pse krijohet hernia inguinale?

90% e hernieve të murit të barkut janë hernie inguinale. Ato shihen më shpesh tek meshkujt. Disa hernie inguinale krijohen për shkak të mos mbylljes së kanalit inguinal që normalisht duhet të mbyllet pas lindjes dhe një pjesë tjetër krijohen për shkak të hapjes së kanalit inguinal në një periudhë më të vonë të jetës (hernie inguinale indirekte). Një lloj tjetër i hernieve krijohet për shkak të dëmtimit çarjes) të muskulit të barkut: herniet direkte. Herniet e kërthizës janë herniet që dalin nga gropëza e kërthizës. Edhe gropëza e kërthizës ashtu sikurse kanali inguinal është një pikë e dobët e murit të barkut që nga lindja; më shpesh shihet tek femrat. Herniet përreth kërthizës shihen rrallë dhe duhet të menaxhohen si herniet e kërthizës. Herniet incizionale shfaqen në zonën e incizionit (prerjes) nga operacioni i menjëhershëm. Terapia e të gjitha hernieve të murit të barkut është kirurgjikale.

Mekanizmi i krijimit të hernieve është i ngjashëm me atë të çarjes së gomës së makinës.

Si diagnostikohet hernia inguinale?

Çdo mjek mund ta diagnostikojë hernien inguinale me një ekzaminim të thjeshtë fizik. Një pjesë e madhe e pacientëve gjithashtu mund ta kuptojnë edhe vetë që kanë hernie. Enjtja që krijohet për shkak të hernies është shumë tipike: në pozicionin në këmbë ose gjatë proceseve që e rrisin presionin intraabdominal (brenda barkut), kjo enjtje bëhet më e dukshme, kurse në pozicionin shtrirë ajo zhduket.

Në disa raste herniet inguinale mund të shkaktojnë dhembje barku dhe fryrje. Këto dhembje që zakonisht shfaqen pas ushqimit janë në formën e ngërçeve të lehta dhe mund të nxisin edhe kapsllëkun. Këto ankesa shkaktohen për shkak të ngecjes së zorrëve herë pas here brenda qeses së hernies.

Herniet inguinale në fazën fillestare sidomos tek sportistët shfaqin simptomat e para me dhembje kronike, por pa ënjtje. Në këtë situatë preferohet të bëhet ultrazëri i zonës inguinale dhe të vizualizohet nëse zorrët hyjnë në kanalin e hernies apo jo, si dhe të përjashtohet ndonjë patologji tjetër që mund të shkaktojë dhembjen.

Llojet e hernisë inguinale

Herniet inguinale anatomikisht ndahen në tri grupe: herniet direkte, indirekte dhe femorale. Këto tre lloje kanë origjinën nga tri zona shumë afër njëra tjetrës dhe në ekzaminimin fizik mund të ngatërrohen. Për shkak se vendet e origjinës janë shumë afër njëra tjetrës, edhe ekzaminimi me ultrazë mund ta ketë të pamundur të bëjë ndarjen ndërmjet llojeve të hernies inguinale. Herniet inguinale direkte dhe indirekte e kanë origjinen mbi ligamentin inguinal. Ndërsa herniet femorale e kanë origjinën poshtë ligamentit inguinal.

Nëse operacioni bëhet i mbyllur pra laparaskopik, teknika që përdoret është e njëjtë për të tri llojet. Rrjeta vendoset në mënyrë të tillë që të mbulojë të tri pikat e dobëta. Kurse nëse operacioni bëhet i hapur, pra me metodën klasike Lichtenstein, rrjeta mbulon vetëm pikat e dobëta nga ku marrin origjinën hernia direkte dhe indirekte. Nëse ka hernie femorale, kjo mbyllet me qepje ose me një rrjetë tjetër.

Meqenëse në operacionin klasik, zona femorale nuk mbulohet me rrjetë, risku për shfaqjen e hernisë femorale më vonë nuk është i shmangur, prandaj mund të nevojitet të bëhet ndonjë manovër kirurgjikale shtesë për të siguruar edhe zonën femorale, sidomos te gratë. Kurse në operacionin e mbyllur shmanget risku për shfaqjen e hernisë femorale më vonë. Ky avantazh i operacionit të mbyllur merr një rëndësi të veçantë tek gratë, meqenëse shumica e hernive femorale shihet tek gratë.

Herniet inguinale indirekte janë kongjenitale (nga lindja), krijohen për shkak të mos mbylljes së kanalit inguinal që normalisht duhet të mbyllet pas lindjes dhe një pjesë tjetër krijohen për shkak të hapjes së kanalit inguinal në një periudhë më të vonë të jetës. Më shumë shihet tek fëmijët dhe tek të rinjtë.Herniet direkte shkaktohen nga çarjet e muskulit shihen më shumë tek sportistët dhe tek të moshuarit.

Herniet femorale e kanë origjinën nga vrima femorale, janë të rralla dhe shihen më shumë tek femrat. Herniet femorale paraqiten 1-2 cm më poshtë se hernitë e tjera dhe e kanë origjinën poshtë ligamentit inguinal.

Cilat janë rreziqet që mbartin herniet inguinale?

Për herniet inguinale vjen një ditë kur është i pamundur reduktimi (kthimi mbrapsht) i tyre me dorë apo në pozicionin shtrirë (hernie e inkarceruar). Zorrët bllokohen brenda defektit të hernies. Në këto raste simptoma e parë që shfaqet është dhimbja. Në këtë situatë mund të nevojitet ndërhyrje kirurgjikale urgjente. Tek meshkujt herniet e inkarceruara mbartin rrezikun e dëmtimit të testiseve.

Herniet inguinale të mëdha tek meshkujt mund të shoqërohen me probleme seksuale. Pjesa më e madhe e këtyre problemeve lidhet me pamjen e jashtme dhe ka origjinë psikologjike. Nëse herniet inguinale nuk trajtohen për një kohë të gjatë, ato mund të shoqërohen me mungesë të dëshirës për marrëdhënie seksuale si dhe impotencë.

I vetmi trajtim efikas për herniet inguinale është kirurgjia. Zgjidhja e vetme është riparimi mekanik i defektit në murin e barkut që ka shkaktuar hernien. Disa pacientë referojnë se qetësohen me mbajtjen e korseve, por kjo metodë nuk mundëson shërimin e hernies, si dhe nuk shmang rreziqet që mbart ky defekt. /Telegrafi/
 


Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dr. Bujar Berisha, Psikiatër me qasje psikoterapeutike

Dr. Bujar Berisha, Psikiatër me qasje psikoterapeutike

Pyet Mjekun
Kalo në kategori