PDK edhe sot para Qeverisë: Albin eja në Kuvend dhe hapi rrugë rikthimit të rendit kushtetues

Partia Demokratike e Kosovës edhe sot ka mbajtur një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës.
Deputetë dhe anëtarë të PDK-së kanë kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti që t’i hapë rrugë rikthimit të rendit kushtetues.
“Edhe sot, bashkë me Rininë Demokratike të Kosovës, jemi para Qeverisë: Albin, eja në Kuvend dhe hape rrugën për rikthimin e rendit kushtetues. Mos e mbaj peng shtetin, institucionet dhe interesin e qytetarëve për kalkulimet e tua individuale dhe partiake”, thanë nga PDK-ja.
Ndryshe, edhe të rinjtë e Rinisë Demokratike të Kosovës i janë bashkuar sot protestës dhe thirrjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar zhbllokimin e institucioneve dhe rikthimin e rendit kushtetues.
I riu nga Hani i Elezit, Resul Suma, në deklarimin e tij para Qeverisë së Kosovës, tha se të rinjtë nuk mund të qëndrojnë indiferentë përballë një situate në të cilën institucionet mbahen të bllokuara dhe interesat politike vendosen mbi interesin e shtetit.
“Sot, si i ri i këtij vendi, i jam bashkuar protestës para ndërtesës së Qeverisë, sepse nuk mund të qëndroj indiferent kur institucionet e vendit mbahen të bllokuara. Për ne të rinjtë, kjo bllokadë shtetërore ka pasoja reale në jetën dhe të ardhmen tonë”, deklaroi Suma.
Ai theksoi se mungesa e funksionimit të institucioneve po dëmton besimin e të rinjve në perspektivën e tyre në Kosovë. /Telegrafi/



































