LAJMI I FUNDIT:

“Ikona lëvizëse e Korçës”

“Ikona lëvizëse e Korçës”

Kur koloneli Henri-Vincent Descoins hyri në Korçë më 1916 dhe përzuri nga aty forcat greke, për të thuhet se e kishte thënë këtë fjali: “Ku ka lule dhe muzikë – rri pa frikë”! Këtë thënie e pëlqen dhe përmend shpesh artisti korçar, Vaske Niço.

Vaske është lokalist, por secili që e njeh i jep të drejtë për këtë, sepse lokalizmin e bazon në traditën e qytetit të tij.


“Këtu është hapur shkolla e parë laike shqipe; shkolla e parë për vajza që kishte mahnitur edhe Edith Durhamin… Ne të parët nga të gjithë shqiptarët kemi prodhuar bankënota, e madje me Republikën Autonome të Korçës kemi dëshmuar se dimë të mbajmë edhe shtet me mirëqenie”, thotë Vaske, i cili nuk lë pa përmendur se në Vithkuqin nga e kishte origjinën nëna e tij, kishte zënë rrënjë edhe nacionalizmi shqiptar!

Por, si njëri i kulturës, i pëlqen ta citojë më shumë konsullin francez, Auguste Dozon, që mblodhi dhe botoi në frëngjisht përrallat shqiptare e që kishte kontakte dhe bashkëpunime me rilindësit tanë…

“August Dozon, kur më 1874 e ka vizituar Korçën, e quajti Parisi i Vogël në Lindje”, thotë Vaske, që në albumin e tij të dytë me serenata e këndoi këngën “Natën e mirë”. Kur kupton se kënga “Natën e mirë” është ruse dhe se me tekst tjetër këndohet në shumë gjuhë sllave, ai reagon: “Edhe po të jetë kjo e vërtetë, ne i bëjmë shqip e korçare – pra tamam të bukura”. Ndërkaq, kur pyetet se a është i sigurt nëse Dozoni është i pari që e ka quajtur Korçën “Parisi i Vogël në Lindje”, ai ta kthen: “Dikush po, sepse e tillë ishte Korça”.

Korça njihet për Muzeun e Artit Mesjetar, unik në Evropën Juglindore, ku ruhen mbi 750 objekte liturgjike e ekspozohen 400 nga tradita shqiptare e ikonografisë. Ato ikona janë statike, e Vaske është ikonë lëvizëse e Korçës, një person nga më të njohurit në Korçë. Mjafton të ecësh me të, kudo, dhe me përshëndetjet që merr bindesh për respektin që të tjerët kanë për të.

Korçarët njihen për humorin e mirë. E, Vaske që rrallë e hiç shihet i shqetësuar, veçohet edhe për origjinalitet dhe aftësinë për të dhënë përgjigje të shpejta e me thumba. Mënyra se si shprehet të bën të mendosh si t’ia kthesh, ose të vendosësh të heshtësh. Për shembull, kur dikush thotë se me Voskopojën identifikohen më shumë arumunët e me Boboshticën bullgarët, ai reagon: “Ashtu ë? E ku ishim atëherë ne shqiptarët? Mos besoni gjithçka që lexoni, sepse ne krijonim e të tjerët lakmonin”!

Vaske – gjyshi i të cilit kishte migruar në SHBA dhe është kthyer për të kontribuar në qytetin e tij – është punëtor i madh që mburret me faktin se kurrë nuk iki nga Korça, madje edhe në momentet e vështira të mbijetesës. Ai ka vullnet të fort dhe ndihet keq që rinia e sotme është paksa pasive e pa iniciativë për përparim.

“Por, nuk kanë edhe faj, sepse kanë pak mundësi për ta dëshmuar veten”, shpreh keqardhjen e tij, për qytetin që nuk është siç ka qenë e siç do të donte të ishte. “Me fatin nuk matemi dhe fëmijët po zgjedhin rrugën e tyre matanë oqeanit. Tash shpejtë për SHBA do të largohet edhe biri im Mario. Tradita e migrimit na ka ndjekur gjithmonë, por sot më shumë se kurrë. Historia familjare po përsëritet pas 100 vitesh: më 1918 në SHBA shkoi gjyshi im, më 2018 po shkon Mario”.

Vaske ka shumë role në teatër e në film. Ka luajtur në teatrin e kukullave, si aktor dhe animator, ndërsa përmes karnavaleve i afirmon vlerat e qytetit të tij e të shqiptarëve.

“Në fakt jam një çik ikonë, sepse me iniciativën time ka 15 vite që e bëjë edhe rolin e ikonës më të këndshme të Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri – Babadimrit”, thotë ai dhe qeshet, ndërsa shton se mbledh dhurata dhe i shpërndan me qindra nga to tek fëmijët e varfër.

Ai është president i Shoqatës së Karnavaleve të Shqipërisë. Me trupën e tij nga Korça ka defiluar në shumë qytete të botës nga ku është kthyer me 25 çmime. Të gjitha këto të arritura janë bërë me sakrificën e tij e të kolegëve, meqë çdo udhëtim është bërë me shpenzime vetanake.

Ai është kryetar edhe i shoqatës që mëton të mbrojë dhe të mos i lë në harresë serenatat korçare. Kënga, ndaj së cilës ka dashuri të madhe dhe një kujtesë për xhelozi, është ilaçi për stresin që mund t’ia shkaktojnë angazhimet e shumta, por që kurrë nuk e zmbrapsin. Dashurinë për serenatën e bart tek të rinjtë. Kështu p.sh., veç në vitin 2012, me 100 të rinj ka organizuar 150 koncerte falas nëpër Shqipëri.

“Prit, se nuk kemi filluar akoma…”, është fjalia e njohur e tij kur interpreton serenatat korçare në ambiente të ndryshme, kudo në Shqipëri. Dhe, kjo thënie është si pasqyrë e jetës së tij: në lëvizje, përherë në lëvizje. Për të miqtë thonë se duke qenë përherë në lëvizje, ai e “zbërthen” edhe relativitetin e Ajnshtajnit: “nuk” plaket, mbetet përherë i njëjtë. “Pritni, se akoma nuk keni parë asgjë nga unë”, ua kthen ai.

“Çdo grimcë e Korçës, sikur qarkullon në gjakun tim. Ndaj, çdo natë mendoj se çfarë të mire nesër mund të bëj. Mendimet e mira patjetër se krijojnë vitalitet”, thotë Vaske, ikona pozitive e Korçës. /Telegrafi/

KANALI I KËNGËVE TË VASKE DHE MARIO NIÇOS NË YOUTUBE: KËTU