LAJMI I FUNDIT:

Ibrahim Temo, doktori që deshi të “shërojë” kombin shqiptar

Ibrahim Temo, doktori që deshi të “shërojë” kombin shqiptar

Ibrahim Ethemi i njohur si Ibrahim Temo lindi më 1865 në Strugë, asokohe pjesë e kazasë së Ohrit në vilajetin e Manastirit, në një familje me prejardhje nga Gurabardhi i kazasë së Matit, e zhvendosur më pas në Starovë, përmendur në autobiografinë e tij si familje që brez pas brezi kishin shërbyer si ushtarakë dhe i kishin dhënë dëshmorë perandorisë. I biri i Murat Mustafa Et’hemit dhe Fatimes; i ati ishte tregtar i vogël, arsye për të cilën familja njihej edhe me llagapin Bakalli.

Mësimet e para dhe të mesme Ibrahimi i mori në vendlindje, ku mësoi disi osmanisht dhe frëngjisht, shkoi në Stamboll më 1884. Fillimisht u regjistrua në vitin e parë të shkollës së mesme (idadije) mjekësore të Ahirkapisë, më pas u transferua në shkollën e mesme mjekësore ushtarake në Kuleli të Bosforit. Në prill 1887 ndodhet në Fakultetin e Mjekësisë të Gjylhanesë në Stamboll, ku mbaroi studimet nga fundi i 1892-it dhe pasi mbrojti tezën e disertacionit “Mbi sëmundjen e Tërbimit” dhe u diplomua Mjek Ushtarak.


Në Stamboll u njoh me vëllezërit Frashëri, Samiun dhe Naimin, si dhe me “Apostol Margaritin” kryesuesin e propagandës shqiptaro-vllehe kundër grekëve në vilajetin e Manastirit. Pas një pune tre vjeçare, Temo shprehet se shumë mendje u zgjuan dhe u përgatit mjedisi për një lëvizje të matur e të jashtëzakonshme kundër qeverisjes Hamidije – Abdyl Hamidit të dytë.

Temo u dallua si njëri nga themeluesit e organizatës përparimtare “Bashkim e Përparim”(1889) bashkë me Dervish Himën. Për veprimtarinë e tij revolucionare Ibrahim Temo u burgos dhe më pas u dënua me vdekje në mungesë nga Porta e Lartë. I përndjekur nga regjimi u detyrua të largohet me gjithë familjen nga Turqia në Rumani në vitin 1895 ku vazhdoi të punojë në të mirë të lëvizjes së Turqve të Rinj dhe sidomos për lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

U shqua si veprimtar i shoqërive patriotike shqiptare të Rumanisë, ku dha një ndihmesë të madhe për luftën për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha osmane. Mori pjesë në hartimin e peticioneve e memorandumeve dërguar Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha nga shoqëritë patriotike shqiptare të Bukureshtit dhe kolonive tjera të mërgimit në vitet 1896-1906, ku kërkohej autonomia e Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë së trojeve shqiptare nga rreziku i copëtimit.

Pas shpalljes së “Hyrijetit” më 1908 iu kundërvu politikës antishqiptare të Turqve të Rinj dhe hyri në konflikt me ta. Më 1912 gjatë zgjedhjeve të reja në Parlamentin e P. Osmane qarqet atdhetare shqiptare e propozuan për deputet. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë u vu në mbrojtje të shtetit shqiptar. Së bashku me atdhetarët tjerë të kolonisë shqiptare të Rumanisë u drejtoi Fuqive të Mëdha një varg protestash për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar dhe tërësisë tokësore kundër lakmive të shteteve shoviniste fqinje.

Në vitin 1914 Temo erdhi në Shqipëri si mjek në krye të një ekipi sanitar për të luftuar malarjen. Gjithnjë aktiv në veprimet në dobi të përmirësimit të gjendjes në atdheun amë i hyri punës bashkë me Halit Bërzeshtën (farmacist) për hartimin e një projekti “Mbi organizimin e shëndetësisë në Shqipëri” dërguar princit të Shqipërisë, Vilhem Vidit (Princ Vidit).

Temoja mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris (1919) si delegat i kolonisë shqiptare të Rumanisë, ku mbrojti sovranitetin e shtetit shqiptar dhe ngriti zërin kundër padrejtësive të mëdha me copëtimin të rëndë territorial të atdheut.

Dr. Ibrahim Temoja ndërroi jetë në moshë 80-vjeçare më 5 gusht 1945./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar për rastin e plagosjes në Lupç

Ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar për rastin e plagosjes në Lupç

Drejtësi
Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Kronika e Zezë
Kalo në kategori