LAJMI I FUNDIT:

Hoti komenton marrëveshjen për projektin e tunelit Prizren-Tetovë: Kosova në pozitë të pafavorshme

Hoti komenton marrëveshjen për projektin e tunelit Prizren-Tetovë: Kosova në pozitë të pafavorshme

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancim për “Përgatitjen e projektit të tunelit në rrugën Prizren-Tetovë”, marrëveshje e cila ka ardhur në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.

Lidhur me këtë, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se kjo marrëveshje sipas nenit 5 nuk i siguron Kosovës rol vendimmarrës, por vetëm monitorues, pavarësisht që mjetet i paguan buxheti i Kosovës.


Me anë të një postimi në Facebook, Hoti ngre pyetjen se a është kjo qasja “sovraniste që po e promovojnë këta mashtrues”?

“Marrëveshja si e tillë është e natyrshme, pasi dy vendet duhet të përshtatin parametrat teknik të tunelit. Palët e bashkëfinancojnë projektin e tunelit në proporcion me gjatësinë e tij në territorin përkatës.  Deri këtu marrëveshja është e pranueshme.  Por nenet 4 dhe 5 e vendosin palën kosovare në pozitë të pafavorshme dhe vetëm si palë mbikëqyrëse”.

Në nenin 4 thuhet: Kriteret për përzgjedhjen e operatorit për përgatitjen e projektit të tunelit zhvillohen nga “Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup”; Procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e operatorit për përgatitjen e projektit për tunelin kryhen nga “Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore” e Maqedonisë së Veriut. Në nenin 5 thuhet: Pala kosovare e transferohen buxhetin e saj në “Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore” të Maqedonisë së Veriut; Pala kosovare ka rol monitorues në këtë proces”, shkroi ai.

Rruga Prizren-Tetovë, nënshkruhet marrëveshja për bashkëfinancim të projektit për ndërtimin e tunelit
Lexo po ashtu Rruga Prizren-Tetovë, nënshkruhet marrëveshja për bashkëfinancim të projektit për ndërtimin e tunelit

Hoti ka shtuar se kriteret për përzgjedhjen e operatorit dhe procedurën e prokurimit i kryen pala, respektivisht “Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup” dhe “Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore” e Maqedonisë së Veriut.

“Marrëveshja nuk i jep asnjë rol Fakultetit të Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës, apo inxhinierëve të ndërtimtarisë në Ministrinë e Infrastrukturës të Republikës së Kosovës. Mjetet i paguajmë nga buxheti i Kosovës, por projektin na përzgjedh pala maqedone”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe, marrëveshja për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, ka nxitur debat të ashpër mes deputetit të PDK-së Ferat Shala dhe deputetëve të grupit parlamentar të LVV-së, Haxhi Avdyli e Artan Abrashi, në seancën e mbajtur të enjten e javës së kaluar.

E gjithë përplasja nisi pas deklaratës së deputetit Shala, i cili adresoi një serë kritikash lidhur me këtë projekt.

Sipas tij, marrëveshja për ndërtimin e tunelit përmban tetë nene të shkruara keq dhe të paqarta.

Ai e quajti të dyshimtë edhe mënyrën si parashihet të realizohet projekti.

Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren - Tetovë
Lexo po ashtu Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren - Tetovë

“Më habit marrëveshja sepse një investim kaq kapital i ka tetë nene të cilat janë të shkruara keq e të paqarta. Kjo marrëveshje përcakton mënyrën dhe metodologjinë e një projekti dhjetëra milionësh. Gjithçka u lihet dy grupeve të punës. Në asnjë nen të marrëveshjes nuk kemi qartësi juridike. Për më keq, as zgjedhjen eventuale të kontesteve nuk e definon. Nuk ka auditim. Jashtëzakonisht e dyshimtë mënyra se si ka me u realizu ky projekt”, ka thënë Shala.

Në kundërpërgjigje deputeti nga GP i LVV-së, Haxhi Avdyli akuzoi PDK-në se me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ka bllokuar mbi 300 milionë euro.

“Derisa PDK ka vendim partiak që nuk merr pjesë në votime të marrëveshjeve dhe i bllokon ato, del kolegu ynë e na i shet këto- jo neni, projekti, tuneli, krejt kjo është demagogji. Prandaj i bëj apel qeverisë të lobojnë në BE për heqje të sanksioneve ndërsa Shala të loboj në partinë e tij t’i heq sanksionet me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Janë mbi 300 milionë euro që i ka blloku PDK-ja”, tha ai.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë janarit në Shkup njoftoi se është nënshkruar marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren-Tetovë.

Aliu kishte thënë se financimi i këtij projekti, përfshirë ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, do të ndahet proporcionalisht në përputhje me gjatësinë e tij në secilën anë, ndërsa projektimi i secilës pjesë para dhe pas tunelit do të jetë i financuar nga palët përkatëse.

“Kjo rrugë krijon një lidhje të sigurt dhe të qëndrueshme mjedisore të transportit për njerëz dhe mallra, duke forcuar edhe ndërlidhjen midis parqeve kombëtare, destinacioneve turistike dhe korridoreve rrugore në mes Republikës tonë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar ai./Telegrafi/