LAJMI I FUNDIT:

Grantet që fitohen me skenar të Kësulëkuqes

Grantet që fitohen me skenar të Kësulëkuqes

Në partneritet me organizatat e ndryshme ndërkombëtare, institucionet shtetërore vazhdojnë të përkrahin – për çdo vit – sektorin privat. Duke pasur nevojë për përkrahje financiare dhe për infrastrukturë, sektori privat përgatitet mirë për këtë periudhe “të gjuetisë”, duke i ndezur motorët – me shpresën se do të bëhen përfitues të këtyre granteve. Në mungesë të kapaciteteve të brendshme dhe të stafit kompetent për të aplikuar për këto grante, kompanitë detyrohen të angazhojnë ekspertë apo kompani të jashtme. Dhe, nga dëshira e madhe për ta përvetësuar lekun e “huaj”, organizohet një skenar më i komplikuar se tek përralla e Kësulëkuqes.

Fillimisht, këta ekspertë e marrin rolin e ujkut. Në anën tjetër, institucionet që i shpallin këto grante – duke shprehur gatishmëri për të ndihmuar sektorin privat – e marrin rolin e Kësulëkuqes duke qenë “naivë” në kontrollin dhe përgjegjësinë e përfituesve. Dhe, klienti përfitues, në pamundësi të veprimit për nevojat bazike, është i detyruar të rri shtrirë dhe e ka rolin e gjyshes – në pritje të ndihmës nga jashtë.


Ngjashëm me fenomenin se si bëhet që shqiptarët të kenë të hyra të vogla ama shpenzime të mëdha, edhe ky shkrim paraqet një fenomen të tillë.

Duke tentuar ta krahasoj situatën me përrallën e Kësulëkuqes, këtë herë po shkruaj për ndihmat që u dhanë ndër vite për sektorin privat dhe rezultate që nuk po i shohim.

Nuk e di a ka ndonjë mekanizëm matës nga donatorët që t’i gjenerojnë rezultatet se sa implementohen vërtetë këto projekte – krahas shumave që marrin përfituesit – sepse do të vërenin edhe ata që ka diçka këtu që nuk shkon. Këtë rol e ka “gjuetari” i përrallës, por që në këtë rast nuk ekziston. Duke mos dashur t’i zbeh meritat e institucioneve dhe të organizatave ndërkombëtare për qëllimin e mirë të tyre me këto iniciativa, ndoshta një vlerësim përfundimtar i projekteve do të nxiste rishikimin e kritereve për përfituesit. Si për shembull, një raport i benefiteve që rezulton nga këto investime [benefit realization report]. Por, thash se mungon gjuetari dhe ky proces sigurisht se nuk ka një fund të lumtur.

Që të jem më i qartë se ku dua të dal me këtë shkrim, do të përshkruaj se çfarë ndodhë në prapavijë, pasi kompanitë (apo OJQ-të në rastin e projekteve kulturore) përzgjidhen si përfitues. Kështu, edhe ju mund ta gjykoni situatën.

Viteve të fundit, për një periudhe njëmujore i dërguam mbi 30 oferta për shërbime te kompanitë e ndryshme që kishin aplikuar për ndonjë grant. Disi mes rreshtave e kuptova që disa e kishin seriozisht qëllimin e ngritjes së kapaciteteve, e disa veç që t’i bëjnë tri oferta – se ashtu janë kërkesat e granteve.

Pas pritjes disamujore për konfirmim të përfituesve nga ministritë e ndryshme, me telefonojnë disa përfaqësues të disa kompanive të cilët i kanë pranuar ofertat finale nga ne dhe që tani duan që me urgjencë ta nisin implementimin e këtyre shërbimeve. Nuk mund ta mohoj se më ka marrë malli të punoj në Kosovë, për klientët vendorë, aq më shumë kur kuptuam se specifikat e projektit ishin në përputhje me kompetencat tona. Kështu, e caktuam një takim fillestar me kompanitë përfituese që t’i kuptojmë për së afërmi nevojat e tyre. Nga praktikat e sistemeve menagjuese që zbatojmë, fillimisht duhet ta kuptojmë kontekstin e organizatës. Thënë më qartë: të kuptojmë kujt po ia qepim këmishën! Dhe, granti si komponent kishte edhe ngritjen e sistemeve menaxhuese ISO. Katër kategori të shërbimeve që ne duhej t’i implementonim në këto biznese, kishin të bënin me përgatitjet e bizneseve për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe/apo produkteve, konformiteti dhe mbrojtja e ambientit, rritja e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe menaxhimi i sigurisë së informacionit. Ndër vite kemi fituar eksperiencë në auditime të kësaj fushe dhe nuk duhej shumë kohë që brenda një ore qëndrim në hapësirat e klientit, që ta kemi një pasqyrë për situatën e kompanisë.

Në njërin rast, me të hyrë në objektet e klientit, u thyen shpresat se mund ta ndryshojmë gjendjen e organizatës. Tashti do t’i jap arsyet. Nëse nisemi nga fakti se standardi i parë që duhej implementuar kërkonte rritjen e kapaciteteve për të ofruar shërbime dhe produkte cilësore, kjo kompani nuk me bindi fare se e kishte atë përkushtim. Sepse, në bisedë e sipër – përveç ndarjes së profitit mes nesh – menexhmenti i asaj kompanie nuk reflektonte fare përkushtim për rritje të cilësisë së shërbimeve.

Standardi i dytë që duhej implementuar ishte ai për mbrojtjen e ambientit. Me apo pa vetëdije, kjo kompani ishte një prej nxitësve të mëdhenj të shpyllëzimit në Kosovë, duke u furnizuar me lëndë të parë nga prerësit ilegalë të pyjeve. Duke mos u besuar syve se çfarë shihja, të vetmen këshillë që mund t’ia jepja këtij klienti, në atë moment, ishte që t’i rekomandoja shuarjen totale të biznesit. Sepse, veprimtaria e tij binte ndesh me parimet e biznesit tim për një zhvillim të qëndrueshëm [Sustainable Development Goals – SDGs].

Standardi tjetër që kishin propozuar në këtë projekt ishte shëndeti dhe siguria në punë. Kur e vizituam sektorin e prodhimit, fillimisht nuk besova se mund të jetë ndonjë punëtor në atë fabrikë. Dëgjoja vetëm zhurmat e makinerive por, me t’u afruar, dendësia e pluhurit zbehej dhe ia dola t’i shoh punëtorët që vetullat dhe qerpikët i kishin të mbuluar me pluhur druri. As maska, as dorëza, as mjete mbrojtëse nuk përdornin. Kur vendosa të pyesja për këto masa sigurie, pronari ma priu duke shprehur pakënaqësinë me performancën e punëtorëve të vet! E çfarë t’i thosha në ato momente të zhgënjimit tim? U mendova pak dhe … u përpiva disi.

Dhe, standardi i fundit për çfarë kishin kërkuar përkrahje në implementim ishte sistemi menaxhues për sigurinë e informacionit. Krejt infrastruktura e rrjetit kompjuterik te ky klient përbëhej nga vetëm një kompjuter i lodhtë personal dhe një pajisje për ofrim të shërbimeve te internetit. Kjo i bie sikur ta nisim prej kulmit ndërtimin e një shtëpie.

Ua them me sinqerisht se pasi e përfundova atë takim torturues me klientin, nuk më zuri gjumi gjithë natën. Ai më kishte nderuar duke më përzgjedhur mua për zbatimin e kësaj komponente të projektit, e në anën tjetër e gjithë veprimtaria e tij binte ndesh me parimet dhe zotimet e kompanisë tonë për zhvillim të qëndrueshëm. Si përfundim, në këtë situatë na shpiu ujku i cili e kishte kurdisur skenarin e tij që t’i përgjigjej kërkesave të grantit. Një skenar perfekt për t’i vënë në kurth donatorët dhe për ta dërguar prenë në vendin e vet. Duke i menduar alternativat, kërkova takim me “ujkun” i cili ishte ndërmjetës për ne dhe nisa t’ia tregoj shqetësimin tim dhe se nuk mund t’i përkrah më tutje në këtë projekt. E kuptova që isha pjesë e lojës së një skenari ku roli im do të ishte të ndriçoja skenën e shfaqjes së Kësulëkuqes që të duket sa më reale. Si arsyetim për tërheqje nga kjo përgjegjësi, ujkut i tregova se rolin e vetëm që mund ta pranoj është ai i gjuetarit.

(Autori është themelues/CEO i kompanisë “Be Consulted”)