LAJMI I FUNDIT:

Gjykatësit e Kushtetueses të “paprekshëm”, a nevojitet ligj për këtë gjykatë? (Video)

Gjykatësit e Kushtetueses të “paprekshëm”, a nevojitet ligj për këtë gjykatë? (Video)

Deputeti, Pavle Trajanov, tha se gjykatësit kushtetues nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për vendimet e sjella. Sistemi juridik në Maqedoni nuk njeh as ndonjë Ligj e as ndonjë tjetër akt për punën e Gjykatës Kushtetuese, me përjashtim të Kushtetutës dhe Rregullores sipas së cilave bëhet procedura, gjithashtu nuk njeh as përgjegjësinë e gjykatësve. Ai theksoi se është i nevojshëm një Ligji për Gjykatën Kushtetuese, sepse deri më tani është dëshmuar se Gjykata e cila duhet ta ruaj Kushtetutën, shumë shpesh i ka mbrojtur interesat e partisë e jo të shtetit apo të qytetarëve, njofton tv21.

„E dimë se Gjykata sa i takon nismës së Lidhjes Demokratike, u shpall për jo kompetente për ta shqyrtuar. Por, më vonë kur i morën udhëzimet nga VMRO-DPMNE-dhe BDI, Gjykata Kushtetuese u shpall për kompetente, duke shpjeguar se vendimi i tyre është në interes të shtetit. Prandaj vlerësoj se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe 4 gjykatësit e tjerë, të cilët për herë të parë votuan kundër, kurse tani votuan pro, duhet të kenë një lloje përgjegjësie. Nuk mundet një gjykatës kushtetues për të njëjtën punë të votojë ndryshe”, tha Trajanov.


Gjykatësit kushtetues mund t’u ndalohet puna vetëm nëse bëjnë ndonjë vepër penale, për të cilën parashihet dënim me burg prej 6 muajve, nëse ju merret leja për punë ose nëse ata vetë japin dorëheqje. Profesori, Temelko Risteski është i mendimit se nuk duhet t’iu merret imuniteti gjykatësve, por që duhet të përpilohet një Ligj me të cilin do të rregullohet përgjegjësia e tyre.

„Me ligj do të rregullohej organizimi dhe kompetenca e Gjykatës Kushtetuese, procedura përmes së cilës vepron për çështjet e kompetencës, si dhe përgjegjësitë e gjykatësve. Gjithashtu do t’i rregullonte çështjet e statuseve të gjykatësve, si dhe të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre. Për fat të keq, ne ende nuk kemi një ligj të atillë, edhe pse shumë herë ekspertët kanë diskutuar për një propozim të këtillë. Nuk merret seriozisht nevoja për një ligj të këtillë dhe prandaj ai ende nuk është sjellë”, thoksoi Risteski.

Gjykatësit kushtetues për vendimet e tyre nuk përgjigjen as para Parlamentit, edhe pse ai i përzgjedhë. Në praktikë, Maqedonia deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast ku ndonjë gjykatës kushtetues ka dhënë dorëheqje për shkaqe morale apo të tjera. /Telegrafi/