LAJMI I FUNDIT:

Gjithçka rreth vendimit të Kushtetueses, që s’ia prish Thaçit festën në shesh (Video)

Gjithçka rreth vendimit të Kushtetueses, që s’ia prish Thaçit festën në shesh (Video)

Bie poshtë edhe opsioni i fundit që do t’ia prishte festën Hashim Thaçit, për t’u ngjitur në krye të shtetit.

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë legjitimitet të plotë procesit të zgjedhjes së tij president më 26 shkurt, duke e shpallur të papranueshme kërkesën e opozitës që fiks një muaj më herët e kishte deponuar atë në kushtetuese, raporton KTV.


Për Gjykatën, parashtruesit nuk kanë paraqitur ndonjë argument në lidhje me përmbajtjen e vendimit të kontestuar.

Derisa parashtruesit kanë kontestuar ligjshmërinë e zgjedhjes së Hashim Thaçit president, meqë në sallë nuk kanë qenë të gjithë 120 deputetët, Gjykata thotë se në të tri rundet e votimit pati kuorum.

Gjykata ka vërejtur se ankesa e parashtruesve në mënyrë specifike ka të bëjë me çështjen e kuorumit që, sipas tyre, i referohet numrit minimal të deputeteve që duhet të jenë të pranishëm për marrjen e një vendimi në mënyrë të vlefshme.

Gjykata thekson që për të qenë e vlefshme procedura për zgjedhjen e Presidentit në rundin e parë dhe të dytë të votimit, duhet të jenë të paktën 2/3 e deputetëve dhe të votojnë, ndërsa në rundin e tretë, të paktën shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë.

Kësisoj, në rastin e tanishëm sipas kushtetueses kishte kuorum në rundin e parë e të dytë e në të tretin shumica e nevojshme e të gjithë deputetëve të Kuvendit ishte e pranishme dhe votoi.

Në mendimin e tyre, parashtruesit e kërkesës konsiderojnë se paragrafi 85 i Aktgjykimit në Rastin K029/11 i njohur si rasti Pacolli, lë të kuptohet që, nëse që të gjithë 120 deputetët nuk janë të pranishëm ose nuk janë formalisht të lejuar nga Kryetari i Kuvendit të mungojnë në seancë, atëherë Presidenti nuk mund te konsiderohet i zgjedhur nga 2/3 dy të tretat e të gjithë deputeteve të Kuvendit

Por, Gjykata rikujton se në Aktgjykimin në Rastin Pacolli kishte gjetur se në raundin e parë dhe në raundin e dytë të votimit nuk kishte numër të mjaftueshëm të deputetëve të pranishëm për të formuar të paktën shumicën prej 2/3 të nevojshme sipas nenit 86.

Për kushtetuesen kërkesa e parashtruesve nuk korrespondon me vlerësimin e Gjykatës në aktgjykimin e rastit Pacolli.

Në vendimin e saj kushtetuesja ka thënë se nuk është as parakusht dhe as kërkese kushtetuese për vlefshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nenit 86, paragrafët 4 dhe 5, që të gjithë 120 deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë, siç është pretenduar në kërkesën e parashtruesve.

Gjithashtu, sa i përket asaj se parashtruesit po ashtu kanë kërkuar që Gjykata t’i drejtoje një sere pyetjesh Kuvendit, Gjykata gjen se kjo kërkesë nuk hyn në fushëveprimin e kërkesave të dorëzuara sipas nenit 113.5 të Kushtetutës.

Kështu Gjykata e ka cilësuar si të papranueshme si dhe qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, pasi që parashtruesit e kërkesës nuk i kanë dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tyre se vendimi i Kuvendit “për zgjedhjen e Presidentit është në kundërshtim me nenin 86, paragrafët 4 dhe 5 të Kushtetutës.

Për Gjykatën, kërkesa është e pabazuar dhe e papranueshme, prandaj sipas tyre kërkesa për Mase të përkohshme nuk mund të jetë objekt i shqyrtimit dhe, rrjedhimisht, duhet të refuzohet.

Njëjtë kanë ardhur në përfundim edhe për seancën dëgjimore që gjithashtu ka qenë kërkesë e opozitës, duke thënë se nuk është e nevojshme.

Kështu Gjykata ka vendosur që ta deklarojë kërkesën të papranueshme, ta refuzojë kërkesën për masë të përkohshme si dhe ta refuzoj kërkesën për dëgjim publik.

https://vimeo.com/161500434