LAJMI I FUNDIT:

Gjermania e shpikjeve dhe e shkencës

Gjermania e shpikjeve dhe e shkencës

Ta njohësh më mirë një popull duhet ta njohësh sesi e respekton mjedisin urban, mjedisin natyror, institucionet, sistemin shtetëror dhe sesi e respektojnë njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë mund ta njohësh dhe Gjermaninë që nuk duhet paragjykuar

Gjermania e shkencës, e dijes, e luftës dhe e paqes, kudo janë të prekshme këto nocione, edhe më të dukshme janë në Berlinin e hirtë e pa rrokaqiej. Nuk dukej nevoja e tyre në atë peizazh të bukur. Në tërë atë bukuri e përparim vragat e ndarjes dhe të së kaluarës mbeten përgjithmonë aty – vija e murit dhe hija që ka lënë pas.


Behare Bajraktari – Berlin

Nga një komb shpikësish në një komb novatorësh, siç e thonë vetë gjermanët. Inovacionet, kultura dhe sistemi gjerman i punës ka ndikuar në mbarë botën.

“Toka e ideve” siç quhen prej vitit 2006 ka ndryshuar botën me produktet dhe shërbimet e saja, me kërkimet intensive të cilët kontribuojnë me 45 për qind në krijimin e vlerës në Gjermani, më shumë se në çdo vend tjetër të industrializuar.

Fuqia e një populli shtrihet po aq sa shtrihet ndikimi. Përveç ekonomisë, industrisë, teknologjisë dhe inovacioneve gjuha dhe përhapja e kulturës luan një rol vendimtar. Gjermanishten, jashtë shteteve gjermano folëse, si gjuhën e tyre amtare e flasin në 42 vende të botës me rreth 7.5 milionë njerëz që i përkasin një pakice gjermanishtfolëse. Rreth 130 milionë njerëz në mbarë botën flasin gjermanisht si gjuhën e tyre amtare. Gjermanishtja është gjuha amtare më e folur dhe gjuhë zyrtare në katër vende të Bashkimit Evropian: Gjermani, Austri, Belgjikë dhe Luksemburg. Gjuha gjermane është gjithashtu një gjuhë zyrtare në Zvicër dhe Lihtenshtajn. Gjasat janë që një ditë të zyrtarizohet edhe në Kosovë?!

Shpikjet dhe shkenca gjermane kanë formësuar botën dhe kanë ndryshuar jetën e njerëzve, siç është shpikja e motorit me djegie të brendshme apo siç është formati MP3 player nga aty kur ruhen dhe dëgjohen fajllet audio, që mbi të gjitha i shërbejnë muzikës. Një shpikje kjo, audio digjitale e zhvilluar nga Shoqëria Fraunhofer, në Gjermani, me mbështetjen nga shkencëtarët e tjerë digjitalë nga Shtetet e Bashkuara. “Vendi i ideve” ku kërkimi dhe zhvillimi janë ato që e mbajnë një ekonomi të suksesshme dhe përfaqësojnë çelësin e aftësisë konkurruese globale.

Investimet në shkencë dhe arsim

Edhe po të donim, nuk mund të krahasohet Kosova me Gjermaninë, sepse nuk do të ishte e drejtë për asnjërën nga të gjitha fushat, por në veçanti nga fusha e investimeve shtetërore mbi kërkimet shkencore. Por ajo çfarë mund të bëjmë ne është të ndjekim hapat e Gjermanisë.

Për shembull, vetëm në vitin 2019, Gjermania shpenzoi për kërkime shkencore mbi 110 miliardë euro të buxhetit të shtetit, e barabartë me 3.2% e PBB-së. Ndër të tjera, në 47,000 aplikime për patentë në mbarë botën, Gjermania e zë vendin e 5-të dhe mbase me të drejtë thonë idetë janë burimi i tyre më i vlefshëm, duke u garantuar një të ardhme për të cilën ia vlen të jetohet. Shpesh themi që Kosova ka shumë njerëz të talentuar, por gjermanët siç duket nuk janë në kërkim vetëm të ideve të mira, por edhe në kërkim të njerëzve që qëndrojnë pasë këtyre ideve.

Në të gjitha institucionet shtetërore në Berlin tregonin se, “Gjermania është një destinacion kryesor për studentët e doktoratës, post-doktorët dhe shkencëtarët e lartë”, madje duke i mbështetur kandidatët me prurjen e familjarëve në Gjermani, ku ata do t’i ndihmonin t’i merrnin edhe kafshë shtëpiake. Kur jemi te kafshët shtëpiake Berlini me rreth 4 milionë banorë strehon mbi 126 mijë qen, tregonte udhërrëfyesi shumë i këndshëm Mikael Rost, i cili e prezantonte Berlinin me shumë dashuri dhe argëtim e të cilin mund ta gjeni edhe te kanali i tij në YouTube” Experience Berlin”. Gjermania i ka vendosur vetes synimin që deri në vitin 2025 të shpenzojë 3.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për kërkim dhe zhvillim, një nga proporcionet më të larta të çdo vendi në mbarë botën. Ndër të tjera, programet e kuadrit, si Strategjia e Teknologjisë së Lartë përcaktojnë se cilat fusha do të kenë prioritet dhe si do të investohen paratë. Se sa e interesuar është Gjermania për ‘trurin’ global tregojnë edhe të dhënat se si janë mbështetur rreth 33 mijë studiues ndërkombëtarë. Në prezantimin dhe bisedën me Engelbert Beyer, Drejtor i Kërkimeve të Aplikuara për Inovacione, Ministria Federale e Arsimit dhe Kërkimit e kupton rëndësinë e edukimit të mirëfilltë.

Ta njohësh Gjermaninë nga brenda përmes sistemit shtetëror

Në secilin institut shkencor theksohet rëndësia e pavarësisë kërkimore e shkencore, e cila luan rol vendimtar në zhvillimin e Gjermanisë dhe e bënë atë që quhet Gjermani me fuqinë dhe pozitën e saj në Evropë por dhe në botë. Zyrtarët gjermanë thonë se “përparimi i Gjermanisë varet veçanërisht mbi dijen” (Gjermania ka themeluar Ministrinë e Arsimit dhe të Kërkimit në vitin 1955). Gjermanët janë shumë të përkushtuar që dijen e botës ta sjellin në Gjermani ashtu siç bën Shërbimi Gjerman i Shkëmbimit Akademik (DAAD) që është organizata më e madhe financuese në botë, dedikuar promovimit të shkëmbimit ndërkombëtar të studentëve dhe studiuesve siç e prezantoj para gazetarëve dhe shkencëtarëve të vendeve të ndryshme të botës zonja Silvia Schmid, Shefe e Seksionit të Kërkimit Ndërkombëtar të Marketingut në Shërbimin Gjerman të Shkëmbimit Akademik. Buxheti i saj operativ, në vitin 2021 arriti në rreth 634.7 milionë euro. Një mundësi shumë e madhe për ata të huaj që duan të bëhen pjesë e studimeve dhe kërkimeve shkencore. Sa më shumë njerëz të vendit tonë të marrin përvojë gjermane, me rikthimin e tyre Kosovës do t’i ndihmonin shumë.

SPRIND – Një shtëpi për njerëz me ide të reja radikale

Peizazhi kërkimor i Gjermanisë është shumë specifik, ku gjithçka është e pavarur, por çdo gjë mbështetet nga shteti, ashtu siç është Agjencia Federale për Inovacionin SPRIND e cila krijon hapësira për inovatorët, ku ata mund marrin rreziqet duke menduar rrënjësisht ndryshe.

Shumë syresh në Kosovë mendojnë se janë ndryshe dhe se kanë ide ndryshe, prandaj nga SPRIND ishin të interesuar për këtë kategori speciale. Me që ‘ata’ ishin ndryshe edhe djali që e prezantonte punë e kësaj agjencie, zyrtari i Sfidës tek Agjencia Federale për Inovacione të Përparuara Jano Costard, dukej ndryshe, i veshur bukur, elegant e me një theks të anglishtes amerikane. Kjo agjenci kërkon përgjigje për sfidat sociale, ekologjike dhe ekonomike të kohës sonë. Në agjenci kishin një qëllim, e kjo ishte të krijojnë risi përçarëse. Për ta arritur këtë, ata bashkojnë mendimtarë të rinj nga shkenca dhe biznesi, njerëz me ide të jashtëzakonshme, ekspertizë dhe pasion të veçantë. Pra, SPRIND financon dhe ndihmon në krijimin e ekipeve dhe i lidhin ato me rrjetet e duhura nga shkenca, biznesi dhe politika. Sfidat aktuale gjeopolitike për sigurimin e furnizimit me energji dhe diversifikimin energjetik. Pra, aspekti mjedisor ishte si një çështje kryesore, e kush do të ketë ide ‘përçarëse’ mund të merr fonde nga rreth 500 000 deri në 3 milionë euro.

Shoqata Helmholtz mban dyert e hapura për shkencëtarët e huaj

Kërkimet shkencore mbeten të rëndësishme për Gjermaninë, me vetë faktin sesa investime bën në këtë aspekt, siç është buxheti vjetor i Shoqatës Helmholtz me rreth 5.8 miliardë euro (sa gati buxheti 3 vjrçar i Kosovës). Përafërsisht, 70 përqind e fondeve të shoqatës sigurohen nga qeveritë federale dhe shtetërore të Gjermanisë. Helmholtz bën kërkime në emër të shtetit dhe shoqërisë siç janë kërkimet për burimet e energjisë, çështjet mjedisore dhe shëndetësore. Vetëm në vitin 2021 u publikuan gjithsej mbi 20 mijë punime në revista shkencore. Kërkimet e tyre më sfiduese janë mbi çështjet urgjente: teknologjia kuantike e cila sipas tyre mund të ndryshojnë botën tonë. Sfida e radhës është teknologjia e hidrogjenit, ku luan një rol qendror në sistemin energjetik të së ardhmes dhe temë e rëndësishme e Helmholtz janë kërkimet shkencore për klimën për të identifikuar zgjidhjet në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Ajo që mbetet e rëndësishme për institucionin gjerman është t’i mbajë dyert e hapura për shkencëtarët e huaj duke iu mundësuar zhvillimin e tyre profesional dhe individual përmes financimit të kërkimeve shkencore individuale dhe institucionale.

Diskutim me Mechthild Köhler për Çështjet Ndërkombëtare në Fondacionin Gjerman të Kërkimeve, Hedda Riedel, Menaxhere e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Publike në Helmholtz Association, Christoph Herbort-von Loeper, Zyrtar shtypi dhe Zëvendës Shef i Komunikimit dhe Dr Samuel Krug, Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shoqatën Leibniz dhe Christian Kobsda, Shef i Zyrës së Berlinit në Shoqërinë Max Planck ishin jashtëzakonisht mbresëlënëse se çfarë prioriteti i kanë dhënë kërkimeve shkencore.

Partneriteti Publiko – Privat i “Einstein Center Digital Future”

Një qendër fantastike si për nga fushat e kërkimit po ashtu edhe mënyra se si bashkëpunojnë me kompanitë private shfaq funksionimi i qendrës “Qendra Ajnshtajn e ardhmja digjitale”. Koha kur është themeluar nuk është e largët, viti 2017, por ajo çfarë bëri qendra në pak vjet është mahnitëse, sidomos kur i parapriu digjitalizimit të infrastrukturës, inovacionit, shëndetit dhe industrisë. Siç na tregoj edhe zyrtari i qendrës Tim Kawalun, Einstein Digital Futur (ECDF) është një projekt i bazuar në një partneritet publiko-privat në shkallë të gjerë (PPP) me më shumë se 30 kompani, organizata të katër universiteteve të Berlinit, Charité – Universitätsmedizin Berlin dhe më shumë se dhjetë institucione kërkimore nga shkenca e Berlinit. Kjo qendër ka një buxhet prej 38.5 milionë euro, ndërsa projekti synon të krijojë më shumë lidhje në fushën e digjitalizimit në Berlin, të provojë forma të reja bashkëpunimi, të përqendrohet në kërkime inovative ndërdisiplinore dhe të tërheqë talentet e rinj shkencorë të trajnuar në mënyrë të shkëlqyer. Edhe në këtë qendër mjedisi mbetet thelbi i zhvillimit dhe shkencës.

Berlini – Një qytet i ndryshimit dhe një qytet i shkencës

Rruga për në qendrën Instituti për Studime të Avancuara të Qëndrueshmërisë (IASS) Potsdam

Prej Berlinit deri në Postdam me autobus merr rreth 30 minuta sipas shpejtësisë së lejuar, por edhe nëse do të zgjaste më shumë nuk do ta ndjesh fare kohën për shkak të pamjeve të mahnitshme, përreth dy liqeneve “Heiliger See” dhe “Tiefer See”, shtëpi të bukura mënjanë liqeneve dhe anijet të cilat presin në breg për një lundrim ( buzë liqeneve do të jetoje me kënaqësi). Qyteti Potsdam i ka disa vende të mrekullueshme të përfshira në trashëgiminë botërore, siç është Parku Babelsberg dhe Kopshti i Ri.

Përveç bukurisë së natyrës është edhe ajo njerëzore kur me shumë dashuri e prezanton institucionin dhe punën shkencore të kolgëve Matthias Tang, shef i Shtypit dhe komunikimit te Instituti për Studime të Avancuara të Qëndrueshmërisë. Për t’i vënë kapakun se sa e hapur është Gjermania për shkencëtarët ndërkombëtar ne njohëm aty shkencëtarin e ri i cili ishte nga Brazili Dr Bernardo Jurema, bashkëpunëtor kërkimor.

Instituti për Studime të Avancuara të Qëndrueshmërisë kryen kërkime me synimin për të kuptuar, avancuar dhe udhëhequr proceset e ndryshimeve shoqërore drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Aktivitetet e kërkimit dhe të konsulencës organizohen në pesë fusha kërkimore: Demokracia dhe Qëndrueshmëria, Implikimet Globale të Ndryshimit Social -Teknik, Metodat transformuese, Proceset dhe Praktikat, Tranzicionet e Energjisë dhe Ndryshimi shoqëror, si dhe Ndryshimet Mjedisore dhe Shoqërore.

IASS u themelua, zyrtarisht në vitin 2009, si një nismë e përbashkët e Qeverisë Federale Gjermane, Shtetit Federal të Brandenburgut dhe organizatave kërkimore të Aleancës Gjermane të Shkencës. Potsdami u zgjodh si lokacion për institutin për shkak të peizazhit të tij të shkëlqyer kërkimor, me institucione të klasit botëror si Instituti i Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit Klimatik (PIK) dhe Qendra Helmholtz Potsdam – Qendra Gjermane Kërkimore për Gjeoshkencat GFZ, si dhe afërsi me politikën, medien dhe organizatat joqeveritare në Berlin. Asgjë nuk bëhet pa u përfshirë mjedisi.

Krejt bota në Helmholtz-Zentrum Potsdam

Parku shkencor “Albert Einstein” në Telegrafenberg në Potsdam, i formuar nga Helmholtz Center Potsdam – GFZ e Qendra Kërkimore Gjermane për Gjeoshkencat, Instituti Alfred Wegener për Kërkimet Polare dhe Detare dhe Instituti Potsdam për Kërkimin e Ndikimit Klimatik (PIK) është një nga vendet për shkencën, ndër më të pasurat me traditë, në Gjermani. Por, rregulli, pamja përrallore, infrastruktura, ndërtesat dhe gjithçka brenda nuk mund të përshkruhen me fjalë.

Përreth 150 vjet, Telegrafenberg është një vendndodhje e institucioneve kërkimore, ku vendosen dhe përhapen impulset në botë. Këtu u ndërtua Observatori i parë Astrofizik në botë, djepi i gjeodezisë shkencore dhe matjes sistematike të fushës magnetike të Tokës, dhe këtu është njëra nga vendlindjet e meteorologjisë gjermane.

Shkencëtarët e qendrës në dukje të thjeshtë, por që puna dhe dija e tyre të ngazëllen të rrish më gjatë aty për të eksploruar natyrën e bukur, një rregull të papërshkrueshëm bukurie.

Rëndësia e shkencës peshon me fonde, prandaj edhe këtë qendër Gjermania e financon me 67 milionë euro, fonde institucionale të siguruara nga qeveria federale (90%) dhe shteti i Brandenburgut (10%) 30 milionë euro, nga financimi i palëve të treta.

Shkencëtarët deri në vitin 2027 kanë si qëllim të punojnë në pesë tema në programin e përbashkët të shtatë qendrave Helmholtz në fushën e kërkimit “Toka dhe Mjedisi”. Në kuadrin e këtij programi, “Ndryshimi i Tokës – Mbajtja e së Ardhmes sonë”, do të hulumtojnë themelet natyrore të jetës – duke u shtrirë nga sipërfaqja e Tokës dhe oqeanet në rajonet më të largëta polare, e nga brendësia e thellë e planetit Tokë në atmosferë. Kjo qendër fillon që herët duke inkuadruar të rinjtë në shkencë duke tërhequr talente të reja kërkimore që të shkojnë dhe të punojnë në Gjermani.

Përveç shkencëtarëve që ligjëruan për kërkime mbi gjeo-rreziqet dhe paralajmërimin e hershëm (p.sh. tërmetet, cunami), gjeoenergjinë dhe burimet minerale ishte mjaft i këndshëm prezantimi nga gazetari dhe shef i marrëdhënieve me publikun në Helmholtz-Centre Potsdam – Qendra Gjermane Kërkimore për Gjeoshkencat GFZ Josef Zens.

Instituti Fraunhofer për Sistemet e Prodhimit dhe Teknologjinë e Dizajnit

Ndërtesa e madhe, e bardhë dhe në dukje e thjeshtë nga jashtë, ndërsa me shumë shkallë nga brenda dhe korridore si labirinthe iluminon me produkte botën digjitale, teknologjike dhe inovative. Fraunhofer IPK në Berlin prej 40 vitesh në botën e shkencës së prodhimit. Instituti kryen kërkime dhe zhvillime të aplikuara në të gjithë spektrin e proceseve të industrisë prodhuese. Tendencat e Kërkimit dhe Zhvillimit 2022/2023 në këtë institut janë: Menaxhimi i të dhënave, rrjetëzimi dhe analiza, Sistemet e prodhimit dhe kontrolli i prodhimit, Teknologjia Inteligjente e Sistemeve Mekatronike, Qëndrueshmëria dhe pajtueshmëria mjedisore.

Ata thonë se një shoqëri që shfrytëzon mjedisin e saj përtej kapacitetit të saj rigjenerues nuk është ekonomikisht e qëndrueshme në terma afatgjatë, e lëre më e aftë për të mbijetuar. Prandaj, më shumë qëndrueshmëri arrihet para së gjithash përmes veprimit ekologjik. Rëndësia e veprimit ekologjik aktualisht po njihet më fuqishëm se kurrë më parë. Ky institut zhvillon produktin, planifikimin dhe kontrollin e makinerive e të sistemeve, duke përfshirë teknologjitë për prodhimin e pjesëve, deri te automatizimi dhe menaxhimi gjithëpërfshirës i operacioneve të fabrikës.

Prezantimi dhe biseda me Dr Kai Lindow, Shef i Divizionit të Krijimit të Produkteve Virtuale në Institutin Fraunhofer për Sistemet e Prodhimit dhe Teknologjinë e Dizajnit u bë shumë interesante dhe e këndshme me thjeshtësinë dhe dijen mbi punën.

Siemens qyteti personal i ëndrrave digjitale

Simens-i nuk është thjeshtë një kompani, por as një qytet i thjeshtë. E ardhmja e afërt do ta gjejë të transformuar digjitalisht Simensin me ndërtesa shumë katrore dhe ngjyra të vjeshtës. Dikur në këtë zonë të Berlinit prodhohej energji nga qymyri dhe gjurmët akoma shihen përmes oxhaqeve të mbetur si dëshmi.

Por ky qytet po transformohet furishëm ku sheshi Siemensstadt – distrikti i së ardhmes në Berlin po zhvillon një zonë të hapur urbane të së ardhmes duke ndërthur punën, kërkimin dhe jetën. Deri në vitin 2035, këtu në një sipërfaqe prej mbi 70 hektarësh do të krijohet një mjedis jetese dhe pune moderne dhe urbane në vendin ku po zhvillohen dhe prodhohen teknologjitë e së nesërmes. Kjo fillon me planifikimin digjital dhe do të shtrihet në një ndërtim veçanërisht me efikasitet të burimeve dhe më vonë në funksionimin neutral ndaj CO2.

Në mes të qytetit shtrihej një lum i bukur ku në zonat e banimit rrethohej me rrjeta për sigurinë e fëmijëve sigurisht. Ndërsa brenda vetë kompanisë Siemens e kupton pse teknologjia dhe inovacioni ka transformuar jo vetëm Gjermaninë.

Në dukje shumë serioz dhe pakëz i tërhequr drejtori menaxhues në Qendrën Werner-von-Siemens për Industrinë dhe Shkencën z. Erik Wiegard, por komunikimi i tij ishte shumë profesional dhe gjithashtu i afërt në prezantimin e projekteve të përzgjedhura nga bashkëpunimi i shkencës dhe industrisë në Laboratorin e së Ardhmes.

Përveç zyrtarët e kompanisë që e prezantojnë punën e tyre është një robot i vogël i lezetshëm që kryen punët e tij në mënyrë të pavarur. Më të drejtë ata thonë se “Shpikja bëhet risi kur del me sukses në treg”. Roboti i vogël po testohej akoma. Qendra Werner-von-Siemens për Industrinë dhe Shkencën është bashkëpunimi i parë aktiv kërkimor midis organizatave shkencore dhe industriale në Sheshin Siemensstadt.

Një Gjermani e bukur nga brenda

Aleanca e Universitetit të Berlinit ku akoma ndjehet prezenca e Einstein

Në hyrje të universiteti ke mundësi të zgjedhësh ngjitjen majtas apo djathtas? Këto janë shkallët si të pallateve mbretërore jo vetëm nga dukja. Mbase në fund të diplomit apo arritjeve shkencore të pret ‘kurora mbretërore’ universitare. Qetësia që e karakterizonte përkundër numrit të madh të studentëve si dhe aroma e vjetërsisë së ndërtesës shekullore sikur e një libri, është diçka unike. Universiteti i Berlinit aty ku qëndronte me krenari fotografia e Albert Einstein ku në vitin 1914 Max Planck arriti ta bindë Albert Einstein të bëhej anëtar i Akademisë Prusiane të Shkencave në Berlin, dhe më 1 prill 1914 Ajnshtajni u emërua drejtor i Institutit të Fizikës Kaiser Wilhelm. Nga semestri veror 1915 deri në semestrin dimëror 1928/29 ai dha leksione në Berliner Universität. Një shembull që Kosova duhet ta ndjekë në mbështetje të universitetit publik (Por çfarë mund të thuhet më shumë për universitetin publik, kur i merret hapësira për një parking mu në mes të Prishtinës) siç bën qeveria gjermane me nga 10 milionë euro në viti për secilin prej katër partnerëve të Berlinit – Freie Universität Berlin, Humboldt-Universität zu Berlin, Technische Universität Berlin dhe Charité – Universitätsmedizin Berlin.

Së bashku, partnerët eksplorojnë sfidat kryesore shoqërore, rrisin shtrirjen e publikut, promovojnë trajnimin e studiuesve të rinj, adresojnë çështjet e cilësisë dhe standardeve në kërkime dhe ndajnë burimet në fushat e infrastrukturës kërkimore, mësimdhënies, diversitetit, mundësive të barabarta dhe ndërkombëtarizimit. Aleanca e Universitetit të Berlinit financohet nga Ministria Federale e Arsimit dhe Kërkimit (BMBF) dhe shteti i Berlinit nën Strategjinë e Ekselencës të Qeverisë Federale dhe Landeve.

Me një elegancë dhe mprehtësi e prezantuan universitetin Dr Yoan Vilain, Përfaqësues i Presidentit për Çështjet Ndërkombëtare dhe Evropiane dhe Shef i Departamentit Ndërkombëtar dhe Dr David Glowsky, Shef i Komunikimeve dhe Statistikave, Departamenti Ndërkombëtar në Humboldt-Universität zu Berlin si dheDr. Alexander-Gwyn Paetz, Drejtor Menaxhues i Aleancës së Universitetit të Berlinit, dhe Daniela Rings, Udhëheqësi i Ekipit të Menaxhimit të Inovacionit dhe Shërbimeve IP, Humboldt Innovation GmbH.

Për të mos harruar kafet dhe ushqimet e shijshme që u servuan në universitet dhe në çdo institucion tjetër, përveç dhuratave identifikuese të institucioneve përkatëse.

Falling Walls Science Summit – Dita e Përparimit

Nuk mund të përshkruhet me fjalë bukuria shkencore dhe organizative e Falling Walls Science Summit. Në ditën përkujtuese të rënies së murit të Berlinit të vitit 1989 Falling Walls është qendra unike globale që lidh shkencën, biznesin dhe shoqërinë.

Gjithçka filloi, më 9 nëntor të 2009 me konferencën e parë për t’i mbledhur mendjet më ambicioze nga e gjithë bota.

Pyetje fantastike: Cilat janë muret e ardhshme që do të rrëzohen? Cilat janë muret e radhës që do të bien në shkencë dhe shoqëri?

Përgjigjet shkencore vijnë në Falling Walls Science Summit me disa nga studiuesit dhe mendimtarët më të rëndësishëm të kohës sonë ku mblidhen çdo vit në Samitin e Shkencës së Mureve në rënie nga 7-9 nëntor për të diskutuar përparimet me liderët globalë në shkencë, politikë, biznes dhe media.

Vetë themeluesi i Falling Walls Science Summit Sebastian Torner është botues i të përditshmes kryesore të Berlinit, Tagesspiegel.

Programi tre-ditor i 2022 përfshinte fjalime frymëzuese, diskutime dhe fjalime emocionuese dhe shumë më tepër mbi tema që lidhen me shkencën, komunitetet e saj dhe mundësitë që lidhen me shkencën dhe shoqërinë.

Përveç fjalimeve të bazuara në punën shkencore të pjesëmarrësve të ndryshëm nga bota për samitin e 2022, ndër thirrjet kryesore ishin ato për mjedisin, ndryshimet klimatike dhe ndryshimi i stilit të jetës. Ushqimi vegan u shërbye për mysafirët për të promovuar të ardhmen e ushqimit me bazë bimore sepse bujqësia e kafshëve është një burim masiv i emetimeve të metanit. Nëse bota do të bëhej vegane, emetimet nga ushqimi do të bien me rreth 70 për qind, sugjeron një studim nga Universiteti i Minesotës. “Mishi” i hamburgerit i bërë nga kërpudhat kishte shije fantastike dhe të gjitha ushqimet e tjera me bazë bimore. Në këtë edicion gjithçka matej me metër, të shohim çfarë prurjes do të ketë samitit i 2023 në të cilin thjeshtë nuk duhet të mungoni. Walls Science Summit organizim ndër më të bukurit dhe ku shkenca duket shumë atraktive.

Shtëpia 200 vjeçare e kulturës berlineze ta pushton krejt qenien

Që nga korridoret dhe shkallët e bukura që të shpijnë në disa drejtime brenda në sallë, dyer të mëdha që hapen fiks në kohë, ndërsa ti pret në radhë për madhështine e sallës së parë e më pas të vetë artit që do të shfaqet aty. Kori dhe orkestra e ‘Berlin Bach Academy’ i cili është themeluar në vitin 1991 në një kohë riorganizimi politik dhe kulturor në Berlin solli ndjesi të veçantë në atë sallë të mahnitshme me koncertin “Wolfgang Amadeus Mozart ‘Mass in C Minor KV 427’” dhe ky koncert nuk do të përsëritet më. Çdo natë nga një koncert i ri, prandaj edhe nuk bëhet monotone shkuarja në shtëpinë më muzikale të Berlinit ku përfshihen koncerte të mëdha simfonike e deri te muzika bashkëkohore e digjitale. Aq e pasur dhe e madhe është kultura dhe muzika klasike gjermane sa që nuk përsëritet i njëjti koncert. Me të drejtë ‘Konzerthaus Berlin’ përparësi i ka dhënë publikut të gjerë që t’i japë mundësinë për t’u njohur me muzikën klasike ose për të ndjekur pasionin e tyre pavarësisht nga arsimimi apo prejardhja shoqërore. Ashtu edhe ishte me njerëz të thjeshtë që ndiqnin koncertin e kësaj nate magjike.

Konzerthaus Berlin, shtëpia më e madhe kulturore në Berlin brenda me ngjyrë dielli (ari) ka një histori të pazakontë arkitekturore. E ndërtuar mes viteve 1818 dhe 1821, konsiderohet si një nga veprat kryesore të Karl Friedrich Schinkel, arkitekti i klasicizmit në Evropë në atë kohë. Sidoqoftë, Schinkel projektoi vetëm pjesën e jashtme. Është rikonstruktuar në detaje gjatë rindërtimit pas dëmtimit të Luftës së Dytë Botërore.

Lifti që nuk ndalet kurrë, është vetë treguesi që Gjermania nuk pushon asnjëherë

Imazhi i Gjermanisë formësohet nga një sërë faktorësh ekonomikë, gjeografikë dhe kulturorë. Si çdo vend, megjithatë, ai përcaktohet kryesisht nga njerëzit e tij. Njerëzit e Gjermanisë, idetë dhe aktivitetet e tyre janë themeli i shoqërisë së saj dhe ofrojnë kohezion. Ata janë ambasadorët tanë për një Gjermani të qëndrueshme dhe me mendje liberale, thonë gjermanët. Qëllimi i tyre është të bashkojnë mendjet krijuese dhe të nderojnë angazhimin e tyre për të ardhmen e Gjermanisë. Gjermania mbështet një shkëmbim idesh me vendet e tjera për të nxitur dialogun ndërkombëtar.

Nisma ‘Gjermania – Toka e Ideve’ është bashkuar me partnerë të ndryshëm për të nisur disa projekte që ndjekin një qëllim të përbashkët: të rrisin dukshmërinë ndërkombëtare të Gjermanisë si qendër idesh dhe inovacioni, cilësie dhe kreativiteti – me pak fjalë, një vend që është duke ndihmuar për të formuar të ardhmen në një mënyrë pozitive. Nga konkurset e ideve dhe iniciativat rinore te botimet që portretizojnë personalitete me ndikim. Gjermania ju fton të eksploroni shumëllojshmërinë e projekteve që organizojnë dhe të shihni vetë pse Gjermania është me të vërtetë një “Toka i ideve”.

Ky lift ndodhej në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme dhe që puna e tij është përtej simbolikës, ndërsa vetë ndërtesa e ministrisë ku kishte lartësinë e duhur për ta parë Berlinin, dhe vetë dreka e një niveli të lartë shtruar nga po kjo ministri tregon se çfarë rëndësia ka mikpritja dhe prezantimi i Gjermanisë tek të huajt. /Telegrafi/