LAJMI I FUNDIT:

Gani Kryeziu duhej të futej ne Shqipëri dhe ta shpallte territorin e lirë

Gani Kryeziu duhej të futej ne Shqipëri dhe ta shpallte territorin e lirë
Kolonel Gani Kryeziu

Nga: Haqif Mulliqi

Nga fundi i vitit 1942 dhe me fillim në vitin 1943, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe (FO) nisi që me seriozitet ta shqyrtonte edhe çështjen e Ballkanit, e ne këtë kuadër edhe atë shqiptare. Në atë periudhë, FO-ja, përpos se po merrej me shqyrtimin e materialeve të arkivuara dhe atyre që po arrinin nga terrenet nga misionarët që i kishte shpërndarë nëpër tërë Ballkanin, materiale këto që po ekzaminoheshin nga ekspertët më të shquar britanikë, ajo ngjeshur e shqyrtonte dhe analizonte edhe materiale nga proveniencat e ndryshme, për çështje të ndryshme të hapura, ndër të cilat, mbase, çështja shqiptare ishte më delikatja. Kështu, kjo ministri në mënyrë intensive është marrë edhe me studimin e vizioneve, koncepteve dhe pikëpamjeve të shqiptarëve lidhur me heshtjet e të shkuarës por edhe të të ardhmes së Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që mund të konsiderohet edhe si një përpjekje mbase që qeveria e këtij vendi të madh dhe me influenca ndërkombëtare ta kristalizojë një qëndrim të qartë. Ky vend dhe diplomacia e saj lidhur me çështjen e cila vazhdon të jetë më të ndjeshmet edhe sot e kësaj dite.


Ekspertët e Baliolit i rekomandonin Qeverisë së Londrës se Kosova duhej të mbetej në Shqipëri

Paralajmërimet e lëvizjes amerikane drejtë Evropës, si dhe më pas edhe futja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftë, faktikisht ishin paralajmërim se Lufta e Dytë Botërore po e niste fazën finale të saj drejt përfundimit. Diplomacitë e mëdha Perëndimore dhe Lindore nisën të bëheshin shumë më aktive, veçanërisht në analizimin dhe eksplorimin e çështjeve të ndërlikuara siç ishte Ballkani. Çështjet e pazgjedhura territoriale dhe hasmëritë etnike paralajmëronin një ndërlikueshmëri të madhe e mbase joqëndrueshmëri në Ballkan ngase, shumë popuj, siç ishin edhe shqiptarët, por edhe kroatët, sllavomaqedonasit etj., tashmë e kishin krijuar idenë e shtetit dhe lirisë së tyre. Në këtë kuadër, veçanërisht e ndërlikuar ishte çështja e shqiptarëve. Shqiptarët kishin pësuar në dy konferencat e fundit (të Londrës dhe të Versajës) si dhe në Kongresin e Berlinit. Tokat shqiptare ishin bërë copë-copë, ndërsa shqiptarët pikë e pesë. Shqipëria (ashtu sikundër është edhe sot) ishte i vetmi vend në botë që rrethohej nga tokat e saja të ndara dhe popullatë shqiptare e cila vazhdonte t’i dominonte demografikisht ato.

Siç edhe doli për dekada të tëra më pas, çështja shqiptare ishte sfidë dhe preokupim i diplomacive perëndimore. Në këtë kuadër, Ministria e Jashtme e Britanisë së madhe ishte veçanërisht e interesuar dhe azhure sa i përket Shqipërisë dhe shqiptarëve, aq më tepër kur tashmë në realitet ata që njihen si kufij etnik të Ballkanit ishin shndërruar edhe në kufijtë etnik, pasi që, të thuash, pjesa më e madhe e shqiptarëve po jetonte në një shtet të vetëm, pavarësisht nga kushtet dhe rrethanat në të cilat ndodhej Ballkani dhe Evropa në atë kohë. Është interesant të vihet në pah ky përkushtim britanik gjë të cilën e ka synim edhe ku shkrim.

Por, edhe shumë më parë se kjo, madje që ne fillim të vitit 1940, para së Italia të futej në lufte WO (Ministria e Luftës e Britanisë së Madhe) mori përsipër që ta ndihmonte organizimin e rezistencës në Shqipëri. Shërbimi SIS (Shërbimi Sekret Informativ i Britanisë së Madhe) në seksionin D përfshinte Shqipërinë. Ky seksion udhëhiqej nga Julian Emery, i cili në këtë kohë gjendej në Jugosllavi, prej nga mëtohej depërtimi në Shqipërinë e okupuar nga Italia fashiste që nga prilli i vitit 1939. Ky veprim u përqendrua në tri punkte. Punkti i parë ishte Mali i Zi, prej nga depërtohej në Shqipërinë e Veriut, e i cili punkt drejtohej nga Jovan Gjinoviqi. Punkti i dytë ishte ai i Kosovës dhe udhëhiqej nga Gani be Kryeziu. Ndërsa, në Maqedoni, në punktin e krijuar vepronte kolonel Gjergj Kokoshi i cili e kishte selinë në Direr. Kështu u krijua një gjysmëhark rreth kufirit të Shqipërisë i cili ishte kusht i domosdoshëm i mbledhjes së informatave nga të cilat do të përfitonin edhe oficerët e misionit ushtarak britanik të cilët më vonë do të paraqiteshin në Shqipëri.

Por, jo vetëm kaq. Në fakt, disa dokumente britanike flasin se në fund të vitit 1940 britanikët kishin edhe një plan konkret për depërtim në Shqipëri nga ana e Kosovës. Kështu, pas ekzaminimit të situatës dhe identifikimit të gjendjes krejtësisht letargjike të shqiptarëve karshi pushtuesit (Italisë), këta, pra britanikët, kishin vendosur që të inkurajojnë këtë rezistencë nga jashtë, konkretisht nga Kosova. Sipas po këtyre dokumenteve, nuk do mend se njeriu më i afërm dhe më i besueshëm i Londrës në këtë pjesë të Ballkanit dukej të ishte Gani Kryeziu.

Kështu, ideja e Ministrisë së jashtme dhe e asaj të Luftës së Britanisë se Madhe ishte që, nga territori i Kosovës, një grup i konsiderueshëm i luftëtarëve do të duhej ta shpërthente kufirin ndërmjet Kosovës dhe të Shqipërisë, të depërtonte në territorin e Lumës dhe atje, mu në Krumë, të bënin dy shpallje: e para se Luma ishte territor i Shqipërisë së lirë dhe e dyta se ky grup kryengritësish e njihte sovranin, Mbretin Zog.

Këto dokumente gjithashtu flasin edhe për disa probleme “procedurale”, siç i quajnë ata që ta bindin në veçanti Gani Kryeziun për këtë, ngase familja Kryezi dhe ajo Zogu, edhe pse të miqësuara dikur, megjithatë kishin një kontest lidhur me dyshimet mbi vrasjen e Ceno be Kryeziut – dhëndrit më të madh të Ahmet Zogut.

Në këtë drejtim përgatitjet nisën të intensifikohen. Ky aksion nuk u realizua pasi që Kosova dhe i tërë Ballkani në pranverë të vitit 1941 u pushtuan nga gjermanët dhe Lufta e Dytë Botërore pllakosi tërë Evropën, ndërsa edhe Shqipëria ishte tashmë pjesë e këtij realiteti.

A do të ketë rëndësi parimi etnik në fund të kësaj lufte

Gjatë po këtij viti në FO nisën të arrinin lera të shumta nga personalitetet e shumta të cilat sugjeronin qeverinë e këtij vendi së do të duhej të bëhej të paktën një deklaratë nga e cila do të inkurajoheshin shqiptarët. Mirëpo, qeveria e Lartmadhërisë së Tij nuk ndërmori ndonjë veprim që t’i kënaqte sadopak ata që i shkruanin. Gjatë po të njëjtit vit (1941) ishte e hetueshme edhe një formë e presionit e cila i bëhej Londrës për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe sovranit të saj, Mbretit Zog. Por, Londra nuk u nënshtrohej këtyre formave të trysnisë dhe nuk e përfillte dot asnjërën nga këto dy kërkesa.

Mirëpo, sipas dokumenteve të FO-s, duket së çështja e pavarësisë së Shqipërisë nga ana e qeverisë së Britanisë së Madhe nisi të lëvizë diku nga muaji tetor i vitit 1941. Kryesuesi i Departamentit Jugor, Pierr Dikson, më 9 tetor të vitit 1941 deklaron: “Gjatë kësaj kohe është plotësisht e pamundshme të vendoset së a do të jetë e këshillueshme që të krijohet një Shqipëri e pavarur ose jo, dhe së a do të ketë rëndësi parimi etnik në fund të kësaj lufte”.

Raporti i Diksonit tutje përshkruhet nga pasiguritë e shumta të cilat i imponuan faktorët e ndryshëm në raport me këtë çështje, kështu që ai i preferon qeverisë britanike që lidhur me këtë çështje të mos ngatërrohet me qeverinë e Greqisë dhe të Jugosllavisë. Mirëpo, kur ministri i Jashtëm britanik, Entoni Idën, nga fundi i vitit 1941 vizitoi Moskën, atëherë çështja e pavarësisë së Shqipërisë sikur nisi të qartësohet. Traktati anglo-sovjetik përfundoi në Londër me 26 maj të vitit 1942 me rastin e vizitës që i bëri Molotovi kryeqendrës së Mbretërisë së Bashkuar. Pika kyçe rreth së cilës u morën vesh këto dy shtete ishte “pakti njëzetvjeçar për ndihma reciproke, por i cili tekst linte jashtë çfarëdo përmendjeje problemet rreth kufijve territorial”. Por, me e rëndësishmja për shqiptarët nga ky takim i nivelit të lartë ishte fakti se njëra ndër pikat e traktatit të përmendur Shqipërinë e shihte si shtet të pavarur. Bazë tjetër që siguronte një lëvizje me të shpejtë dhe më të sigurte drejtë njohjes së shtetit shqiptar ishte edhe Karta e Atlantikut e gushtit të vitit 1941 nga e cila rezultonte edhe deklarata e Uashingtonit e 26 vendeve e 1 janarit të vitit 1942. Këto dokumente të rëndësishme premtonin vetëvendosjen dhe rivendosjen e sovranitetit për ato vende që ishin okupuar me forcë. Në bazë të kësaj, Abisinisë i që kthyer pavarësia. Mirëpo, përkundër këtyre dokumenteve, qeveria e Britanisë së Madhe manifestonte shqetësimet e saj në rastin e Shqipërisë, duke konsideruar së çështja e saj ishte një rast fare tjetër dhe mjaft i koklavitur. Gjatë vitit 1942 Diksoni bëri edhe një raport i cili u miratua edhe nga Sër Aleksandër Kadogan, raport ky i cili në një masë të konsiderueshme frenoi aspiratat gllabëruese të Greqisë dhe të Jugosllavisë ndaj territoreve shqiptare. Raporti i Diksonit i vitit 1942 përbehej nga pesë pika. Me to parashihej që qeveria e Lartmadhërisë së Tij duhej të dilte me një deklaratë publike në lidhje me ardhmërinë e Shqipërisë. Kjo deklaratë duhej bërë në Parlament (në formë pyetje përgjigje), me ç’rast do të manifestoheshin simpatitë për fatin e shqiptarëve si viktima të fashizmit italian. Këtu gjithashtu duhej deklaruar edhe për formën e regjimit dhe për qeverinë shqiptare, si një çështje për të cilën do të vendoste vetë populli shqiptar pas përfundimit të luftës. Po ashtu theksohej se, para së të nxirrej kjo deklaratë, do të duhej informuar qeverinë greke dhe atë jugosllave, ndërsa pas nxjerrjes së saj do të duhej informuar për këtë edhe Mbretin Zog, por në atë mënyrë që ky këtë mos kuptohet si një përkrahje të drejtpërdrejtë për kthimin e tij në fronin e Shqipërisë, por që, nga ana tjetër, të mos kuptohet as si kundërshtim i një gjeje të tillë, në mënyrë që çështja e tij të mbetet si një çështje e hapur, deri atëherë kur ai të paraqitet vetë para popullit shqiptar, pra, pas përfundimit të luftës. Po ashtu, raporti i Diksonit parashihte që, nëpërmjet BBC-së të ushtrohej një e propagandë e cila do t’u jepte zemër lëvizjeve dhe rezistencës së shqiptarëve kundër italianeve.

Mundësitë optimale të ekzistimit dhe të prosperimit të Shqipërisë

Pas lëvizjeve dinamike që u bane në botë, e cila pothuaj e tëra ishte përfshirë në luftë dhe pas lëvizjeve të rezistencës që bëheshin në Shqipëri, veçmas duke pasur parasysh situatën në Ballkan, me 13 dhjetor të vitit 1942, qeveria britanike proklamoi njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Madje u bë me dije së kjo njohje u bë në pajtim të plotë me forcat aleate të luftës. Tri dite më parë (10 dhjetor 1942) sekretari amerikan i Shtetit, Kardell Hall, i premtoi popullit shqiptar ndihmën e ShBA-së në luftën e tij për çlirim kundër okupatorit italian. Më 17 dhjetor të vitit 1942, ministri i Jashtëm i Britanisë, Entoni Idën, në dhomën e komunave të Parlamentit të këtij shteti doli me këtë deklaratë: “Format e regjimit dhe të qeverisin që do të paraqiten në Shqipëri do të jenë çështje për të cilat populli shqiptar do të vendosë në fund të luftës, ndërsa çështja e kufijve të shtetit shqiptar do të jete çështje e cila do të trajtohet në Konferencën e Paqes”.

Më 18 dhjetor të këtij viti pavarësinë e Shqipërisë do ta njoh Bashkimi Sovjetik. Kjo situatë e porsakrijuar kishte rëndësi kardinale jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për dy fqinjët e saj: Jugosllavinë dhe Greqinë. Por, edhe pse çështja e kufijve të Shqipërisë të vitit 1941 ishte e paqartë, megjithatë një gjë u sqarua plotësisht. Njohja e pavarësisë së Shqipërisë sikur i hodhi poshtë aspiratat e fqinjëve të pangopshëm të cilat i manifestonin madje edhe ndaj territorit të cilin Shqipëria e kishte brenda kufijve të vetë deri në vitin 1939.

Para dhe pas njohjes së pavarësisë së shtetit shqiptar, siç edhe u tha, FO iu drejtua grupeve të eksperteve për çështjet ballkanike, nëpër universitet e Britanisë së Madhe që me studime me të thukëta të elaborohej veçanërisht problemi shqiptar. Kështu u bënë harta dhe variacione të ndryshme mbi mundësitë optimale të ekzistimit dhe të prosperimit të Shqipërisë, posaçërisht pas situatave që do të pasojnë pas përfundimit të luftës në Ballkan dhe me gjerë. Gjithashtu, siç u tha, u përdoren edhe autorë të proveniencave të ndryshme, ndërsa, më poshtë mund të vërehen disa aksentë nga një serë dokumentesh dhe materialesh të këtillë i punuar dhe përpunuar për FO-në nga ekspertet e shquar për çështje ballkanike në Universitetin e Baliolit. Në këto dokumente parashihej që pas përfundimit të armiqësive, Shqipëria të dalë si shtet i pavarur, mirëpo supozohej së mund të lindnin vështirësi për shkak të specifikave në regjion. Andaj, edhe sugjerohej se për këtë arsye do të këtë nevojë që ky shtet të udhëhiqet dhe të kontrollohet nga “Këshilltarët e huaj”. Gjithashtu, parashihej që Shqipëria mund të hyje në bashkësinë e shteteve sovrane ballkanike ose mund ta refuzoje këtë bashkësi e cila ishte paraparë me marrëveshjen greko-jugosllave të 15 janarit të vitit 1942. Shqipëria, e cila, duke hyrë në union me Mbretërinë italiane e kishte humbur pavarësinë, sipas ekspertëve në fjalë, pas lufte do të duhej ta fillojë sendërtimin e saj nën mandatin e një apo dy superfuqive të pa interesuara për këtë vend. Për këtë gjë u propozuan Britania e Madhe ose ShBA-të, ose që të dyja këto së bashku. Punimet tjera paraqisnin harta të ndryshme të shtetit shqiptar, por nuk jepnin të kuptohej së çfarë do të jete definitive para Konferencës së Paqes e cila, siç dihej, do të pasonte fill pas luftës. Gjithashtu, theksohej së në të ardhmen asnjë federatë apo konfederatë ballkanike nuk do të këtë sukses pa përfshirjen e Shqipërisë në të, duke pasur parasysh, në radhë të parë, rëndësinë vitale të Shqipërisë për mbrojtjen e Ballkanit nga agresioni eventual që mund t’i behej dhe së ky vend, sipas eksperteve të Baliolit, paraqet ”portën kryesore” për hyrje në gadishull. Në “pretendimet territoriale të fqinjëve” në mënyrë të gjere dhe objektive, ekspertët e Universitetit Baliol prezantojnë qëndrimet e shteteve përreth Shqipërisë. Sa u përket qëndrimeve jugosllave dhe greke, sipas këtyre ekspertëve del se këto dy shtete angazhohen që Shqipëria të kthehet në suazat e kufijve të vitit 1939, madje duke mos fshehur pretendimet e tyre territoriale edhe për pjese nga territoret brenda këtyre kufijve. Vihej në pah së italianët e kishin përfituar simpatinë e shqiptarëve, duke e kthyer pjesën më të madhe të territorit shqiptar që në dy konferencat e mëparshme (atë të Londrës dhe të Versajës) kishte mbetur nën Jugosllavinë. Thuhej së “është shumë e mundur që Jugosllavia pas lufte ta kërkojë jo vetëm kthimin e Kosovës dhe pjesës tjetër shqiptare, por si shtesë të kësaj edhe Shkodrën si dhe Luginë e Drinit”. Ndërsa, në lidhje me Greqinë, thuhej se pretendimet territoriale të saj ndaj Shqipërisë ishin më të zëshëm së ato të jugosllavëve. Por, gjithashtu bëhej e ditur se në Greqi ekziston një numër i konsiderueshëm i banorëve me prejardhje shqiptare.

Krijimi i një Shqipërie të fortë dhe të pavarur, nga këto dy shtete fqinje, shihej si rrezik i drejtpërdrejtë për to. Një Shqipëri e dobët, konsideronin udhëheqësit e këtyre shteteve, do ta tërhiqte vëmendjen e shteteve të ndonjë fuqie të madhe, apo më shumë syresh të cilat mund të paraqiten edhe si mbrojtëse të interesave të saj. Këto, përpos aspiratave territoriale ndaj Shqipërisë, ishin arsye të tjera, të forta, që i cytnin Greqinë dhe Jugosllavinë të angazhoheshin kundër çfarëdo forme të ekzistimit të këtij vendi. Nga ana tjetër, Italia përshkruhej si shtet politika e të cilit në mënyrë të veçante ishte çdo herë e orientuar nga Shqipëria. Gjithashtu, bëhej me dije për rrezikun nga komunizmi rus i cili me permanentë orvatej të gjeje ndonjë dalje strategjike në Adriatik. Por, mbi të gjitha, në këto elaborate të eksperteve britanike theksohej së “dëshira e shqiptareve është integruese, pra për një shtet etnik, përkundër dallimeve dezintegruese që janë prezente në mesin e tyre”, me ç’rast apostrofohej veçanërisht religjioni si faktor dezintegruese.

Për t’i eksploruar sa më thellë këto situata, në ditët në vijim do t’u sjellim një varg materialesh të shkruara dhe sajuara nga autorë shqiptarë, apo edhe autorë që i trajtuan këta të fundit të cilët u përdorën si materiale për krijimin e opinionit tek ekspertët britanik, respektivisht tek politika zyrtare e Mbretërisë së Bashkuar lidhur me çështjen e Shqipërisë. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Ana Komnena për zbarkimin e vikingëve në Durrës: Libri ku “për herë të parë” përmenden shqiptarët!

Ana Komnena për zbarkimin e vikingëve në Durrës: Libri ku “për herë të parë” përmenden shqiptarët!

Kulture
Portreti që frymëzoi Shekspirin të shkruante Othellon

Portreti që frymëzoi Shekspirin të shkruante Othellon

Piktura
ASAJ

ASAJ

Fjala+
TË JETOSH …

TË JETOSH …

Poezi
VDEKJES

VDEKJES

Poezi
Të fyer e të poshtëruar...

Të fyer e të poshtëruar...

Fjala+
Kalo në kategori