LAJMI I FUNDIT:

Fusnota na mbeti në derë, zgjohuni për Veriun e Kosovës

Atëherë kur Kosova duhet të zgjedhë ndonjërën nga alternativat politike që dalin para saj, politikanët kosovarë nuk qajnë kokën fare dhe i nënshtrohen stihisë e cila në fund i qet para një akti të kryer, kur zakonisht nuk mbeten alternativa. Dhe, për habi, pikërisht atëherë lind debati për alternativën e duhur, pra kur në fakt nuk mbeten alternativat!

Alternativat në muajin e nëntë të shtatzënisë


Ilustrimi i më i mirë për këtë që po them është rasti kur një grua mbetet me shtatzëni të padëshiruar, e cila nuk e ka shtruar alternativën se cilën metodë do ta përdorë për ta evituar shtatzëninë e padëshiruar dhe madje as që ka çarë kokën për abort deri kur janë mbushur nëntë muaj. Tek në ditën kur tashmë ajo është duke lindur fëmijën e padëshiruar, hap debat se çfarë të bëjë: 1. Mos ta lindë fare – e pamundur; 2. Ta vrasë foshnjën – shkon në burg dhe 3. Ta lindë kopilin – ta marrë turpin e botës.

Sigurisht që ky debat është i pavlerë, sepse debati është dashur të bëhet nëntë muaj më parë dhe jo kur kopili ka mbetur në derë.

Po i akuzojmë ne vend se t’i falënderojmë miqtë e Kosovës

Kosova po i sjellë miqtë e vetë në një situatë të tillë ku ata zakonisht i thonë linde foshnjën. Dhe me këtë politikanët kosovarë arsyetohen se “kështu na kanë këshilluar miqtë ndërkombëtarë”. Në vend të turpërohen se në çfarë situate i kanë sjellë miqtë e Kosovës, ata i akuzojnë se ua kanë lënë kopilin në derë, atë për të cilin vetë e kanë fajin.

Tani në Kosovë, në çdo skutë, kafene, zyre, media etj, po vlon debati për fusnotën. Çfarë dobie kemi nga ky debat kur kopili (fusnota) na mbeti në derë? Çështja që e pret Kosovën tani është Veriu. Ky muhabet është duke u zier . Për këtë punë Kosova po fle në gjumë në ndërkohë që Beogradi, Brukseli e Uashingtoni po i vejnë kapak kësaj pune.

Kategorizimi i popujve sipas një filozofi të refuzuar

Një filozof, që nuk është shumë popullor dhe është përgjithësisht i refuzuar nga qëndrimi dominant në kohën tonë, i ka ndarë popujt në tri kategori: 1. Popujt e përparuar; 2. popujt mesatarë dhe 3. popujt idiotë.

Popujt e përparuar e dinë shumë mirë historinë, e jetojnë të tashmen mirë e sigurt dhe zhvillojnë debate për të ardhmen.

Popujt mesatarë e dinë historinë, por jo bash mirë, prandaj zhvillojnë debate për të tashmen, ndërsa të ardhmen e presin me shqetësim.

Popujt idiotë historinë e kanë të mbushur me rrena dhe përherë zhvillojnë debat rreth historisë: të tashmen e jetojmn me ankth e shqetësim, kurse e ardhmja as që u intereson.

Sikur ta pranojmë këtë teori si të mirëqenë, del se ne i takuakemi kategorisë së popujve idiotë, sepse historinë e mësojmë me plot rrena dhe debatet tona gjithnjë kanë të bëjnë vetëm me atë që tashmë ka shkuar e jo me atë që na pret në të ardhmen – e madje as me të tashmen.

Intelektualët shqiptarë: nuk jemi popull idiot?

Intelektualët shqiptarë nuk e kanë pranuar kurrë këtë teori. Ata janë përpjekur të arsyetojnë në një mënyrë apo tjetër dhe kanë pasur kurajën të nxisin opinionin publik të mendojnë për të ardhmen. Por, suksesi i tyre duket se ka munguar. Në ndërkohë ne përsërisim të njëjtat sjellje si para 100 viteve.

Eqrem bej Vlora tregon se kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë më 28.11.1912, gjithë ai kuvend burrash të politikës nuk kishte një flamur të vetëm për ta ngritur në Vlorë. Mezi ishin kujtuar të shkonin ta merrnin te dhoma e gjumit të Eqrem bej Vlorës, që ta ngrinin dhe ta qëndisnin një kopje të tij.

A nuk ndodhi e njëjta gjë në Parlamentin e Kosovës 96 vjet më vonë ku flamuri u soll tek në momentin e fundit, edhe pse kishte intelektualë kosovarë që kishin shkruar për këtë punë gati dy dekada më herët, përfshirë këtu edhe Presidentin e ndjerë Rugova që edhe e kishte dizajnuar një propozim-flamur konkret?

Tani ne po e vajtojmë faktin që fusnota ka zënë vendin e fjalës Republikë dhe nuk po shqetësohemi për atë që mund të na ndodhë që të kemi jo një republikë por tri republika: Republikën Shqiptare të Kosovës, Republikën Serbe te Kosovës dhe Republikën Federale të Kosovës.