LAJMI I FUNDIT:

Formësimi ynë kombëtar

Formësimi kombëtar bëhet përmes shkollës, familjes, edukimit fetar dhe mediave. Si bëhet formësimi ynë kombëtar është një çështje që duhet të jetë temë e debatit të përhershëm, debat ky që fatkeqësisht mungon.

Formësimi kombëtar përmes shkollës bëhet kryesisht përmes kurikulumeve të lëndëve të historisë dhe letërsisë.


Hartuesit e kurikulumeve do të duhej të kishin parasysh profilin kombëtar të qytetarit që do ta nxjerrin pasi nxënësi ta ketë arritur maturën. Kjo sepse ky profil krijohet gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm.

Nëse analizohen tekstet e letërsisë dhe lektura përcjellëse shohim se kurikulumet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë nuk e kanë fare idenë për një profil të synuar të qytetarit të nesërm pjesëtar të kombit. Derisa tek letërsia botërore deri-diku vërehet një synim që rezulton nga fakti se kjo pjesë e kurikulumit është thjeshtë kopjim nga kurikulumet e shkollave në Ballkan e Perëndim, tek përzgjedhja e teksteve dhe lekturës nga letërsia vendore nuk vërehet kurrfarë synimi.

Thjesht, autorët e traditës janë përfshirë në masën dhe renditjen sipas shijes estetike të autorit/autorëve të kurikulumit, kurse ata bashkëkohorë në bazë të miqësive personale të atyre që kanë hartuar kurikulumet.

Për një lidhje organike në kurikulume as që bëhet fjalë.

Cytje e drejtpërdrejtë e këtij shkrimi është takimi im i rastësishëm me një nxënës që kishte lexuar shumë libra. Pyetje pas pyetjeve duke hulumtuar formimin e tij gjeta shumë mungesa të ky djalosh shumë inteligjent e punëtor. Kur e pyeta nëse e kishte lexuar romanin “Gjarpnijt e gjakut” të Adem Demaçit, më tha se ky roman nuk ishte në mesin e lekturave shkollore, dhe shtoi se sigurisht që nuk ka ndonjë vlerë të madhe përderisa nuk e kanë vënë.

E vërteta është se as brezi im këtë roman nuk e kishte për lekturë shkollore, por ajo ishte tjetër kohë.

Kur isha në klasën e tretë shkollës fillore gjeta në një vend të fshehur në banesë shumë fleta të shkruara me shkrim dore, të kopjuara në indigo dhe të ndarë në dy fashikuj.

Një njërin ishte “Lahuta e Malcis’” e Gjergj Fishtës në tjetrën “Gjarpnijt e gjakut” e Adem Demaçit. Më gjeti baba duke i shikuar dhe më tha kujdes mos i trego kujt se po mori vesh kush më çojnë në burg për këtë.

Natyrisht, në atë moshë nuk mund t’i kuptoja siç i kam kuptuar në një moshë më të madhe apo siç i kuptoj sot, por ato ishin pjesë e formimit tim që në atë kohë.

Gjatë shkollës së mesme, kur profesori i letërsisë shpjegonte fazën e tretë të Rilindjes dhe periudhën e independencës, nuk harronte të përmendte në besim edhe Fishtën e Konicën për të cilët thoshte se është e ndaluar të flasim. Shokëve më të besueshëm ua huazoja Fishtën dhe Demaçin. Kështu, formësimin tonë kombëtar në kohën e komunizmit e ka bërë jo vetëm literatura zyrtare, por edhe literatura që ishte e ndaluar.

Në kohën e komunizmit ta lexosh Demaçin apo Fishtën ishte një kureshtje e veçantë me vetë faktin se ishin të ndaluar. Por sot, derisa Fishta është pjesë e këtyre kurikulumeve, Adem Demaçi akoma nuk është.

Përse? A mos ndoshta dikush akoma mendon se romani i Demaçit ka fituar famë vetëm për shkak të burgut të autorit dhe se atij i mungon vlera estetike dhe rëndësia historike?

Në kohën kur filloi pluralizmi në ish-Jugosllavi, e Adem Demaçi ndodhej akoma në burg, Skender Sadiku pat dramatizuar romanin “Gjarpnijt e gjakut” dhe bashkë me studentët shqiptarë në Zagreb e pat vënë në skenë. Kur e pata parë në skenë e pata heqë këtë dilemë. Romani që ka aq dramë në vetvete, siç është ai i Demaçit, e nuk është se vuan nga mungesa estetike.

Për rëndësinë e tij historike si romani i parë shqiptar në Kosovë pajtohen të gjithë. Ka shumë që thonë se edhe pse romani i parë shqiptar në Kosovë mbeti më i miri deri më sot. Ka asi që thonë se i afrohen vetëm “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e Rexhep Qosjes dhe romanet e Teki Dervishit, por kjo është më pak e rëndësishme se ku kualifikohet ky roman për vlerat e tij estetike.

Për hartuesit e kurikulumeve do të duhej të jetë më rëndësi se ky roman është i kuptueshëm edhe për moshat më të vogla, ka vlera edukative, jep brumim patriotik dhe është shkallë e parë për formësim kombëtar të mëtutjeshëm.

Sot është kohë ku nxënësit lexojnë fare pak dhe edukimi vjen kryesisht prej mediave, të paktën ata që kanë vullnetin të lexojnë duhet të orientohen mbarë.