LAJMI I FUNDIT:

FOL: Ka mospërputhje në mes ueb faqeve të prokurimit dhe njoftimeve për kontratë

FOL: Ka mospërputhje në mes ueb faqeve të prokurimit dhe njoftimeve për kontratë

Lëvizja FOL organizoi tryezën “Transparenca në prokurimin publik në Kosovë”, ku u tha se problemi më i madh në këto 15 vjetët e fundit në prokurimin publik është zbatimi në praktikë i kontratave.

Jeton Zulfaj nga Lëvizja “Fol”, tha se gjatë monitorimit të tyre në fokus kanë pasur Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Infrastrukturës. Me ç ‘rast tha se si shembull jo shumë i mirë janë të gjeturat e ministrive në fjalë.


Ai bëri të ditur se të gjeturat nga monitorimi i FOL tregojnë se vërehen mospërputhje të publikimeve të të dhënave në mes ueb faqeve të KRPP-së dhe platformës E-Prokurimi, si në njoftime për kontratë.

Mospërputhje e këtyre statistikave sipas tij, vërehet edhe tek njoftimet për dhënie të kontratës dhe njoftimeve për nënshkrim të kontratës.

“Ligji për shoqëritë tregtare ende nuk është ndryshuar. Është me rëndësi që ky ligj të ndryshohet në atë kuptim që të ofrojë shumë informata se kush janë ata persona që përfitojnë prapa këtyre bizneseve. Është evidente që persona të caktuar mund të jenë të lidhur me ata që përfitojnë nga tenderët publik. Sa më pak zyrtarë që janë të involvuar aq më i vogël është rreziku ndaj korrupsionit”, tha Zylfaj.

Osman Bytyqi nga KRPP-ja, tha se pajtohet me shumë nga të gjetura e FOL-it, teksa shtoi se si të tilla edhe do të adresohen.

“Ligji na kanë premtuar se do të hyjë në agjendë dhe ne jemi pjesë e grupit punues dhe besoj që kontratat do të bëhen shumë shpejt publike”, tha ai.

Agim Sheqiri, nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, tha se baza ligjore është shumë e mirë, ndërsa kërkoi nga mediat që të raportojnë drejt.

“Ne në vitin 2018, duhet të përqendrohemi nga prokurimet e qëndrueshme. Pra kur shtrojmë një rrugë të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë. Ne jemi dëshmitarë se ndonjëherë punët nuk po kryhen mirë. Blejmë makina por nuk janë të qëndrueshme. Dalin ministrat inaugurojnë projekte por ato nuk përfundojnë sepse ka mungesa në sistem”, tha Sheqiri.

Kurse Mursel Racaj nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (APQ), kërkoi nga FOL dhe OJQ-t tjera që të kos ndalen vetëm tek prokurimi, por të merren edhe me çështje tjera. /KP/Telegrafi/