LAJMI I FUNDIT:

Fitorja e paralajmëruar e Pirros

Projekti për të cilin tashmë ekziston marrëveshja, është pikërisht ai që e ka shtyrë përpara Brukseli: Rajoni Evropian – Veriu i Kosovës, që ditë më parë, e publikoi Blic-i i Beogradit dhe më pas një varg portalesh shqipe.

Kjo ofertë, nëse venerohet me kujdes, shihet se është një lloj kombinimi mes Planit të Ahtisarit dhe katërpikëshit të Tadiqit. Refuzimi i saj nga Beogradi në fillim të bisedimeve ka ardhur meqë
Beogradi duket se ka pasur shpresa të korrë fitore edhe më të madhe, që do të përputhej me idenë për një lloj Republika Srpska.


Burimet e afërta me diplomatët e angazhuar në Bruksel flasin për një lloj predisponimi të qarqeve angleze për ta shtyrë përpara këtë projekt në dobi të kërkesave serbe, duke ngritur statusin e Rajonit në një Autonomi me organe legjislative dhe ekzekutive.

Takimi i 20 marsit në Bruksel në fakt do të mund të ishte formalisht edhe i fundit, para se të bëhej publike çfarëdo marrëveshje e arritur tashmë. Megjithatë, janë interesat e pastra gjeopolitike amerikane, ato që e bënin të pashmangshëm impenjimin e Uashingtonit. Kjo përputhje interesash mes fuqisë botërore numër një sot, dhe shqiptarëve, fatkeqësisht nuk është shfrytëzuar sa e si duhet. Madje, ajo që mund të thuhet pa hezitim, në këtë rrafsh ka dështuar edhe një pjesë e opozitës shqiptare që nuk din t` i lexojë këto mesazhe historike.

Imponimin e udhëtimit të Thaçit dhe Daçiqit për Nju Jork jam i prirë ta shikoj jo si e veneron ndonjë politolog i së majtës evropiane rozë, që sheh me syzet e blera tek okulistët rusë, si një goditje fytyrës Brukselit zyrtar, por më shumë si sinjal për të përforcuar qartë pozicionin gjeostrategjik të Uashingtonit në Evropën Juglindore, respektivisht si mesazh për rolin e shqiptarëve në marrëdhëniet transatlantike, si garanci e rripit të sigurisë në Mesdhe dhe më gjerë drejt Azisë. Ndërkaq, çfarëdo përçapje për koordinim mes këtyre interesave në njërën anë, dhe atyre ruse në rajon, pavarësisht se në cilat kuzhina shestohen ato, bie ndesh me interesat afatgjata shqiptare, por edhe me vet procesin integrues evropian që e pret Siujdhesën Ilirike, respektivisht Evropën Juglindore.

Pas krejt kësaj që po ndodhë në relacionet Bruksel-Nju Jork dhe Prishtinë-Beograd, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, do të ishte në logjikën e gjërave që të fillojë, më në fund, defetishizimi i plotë i skemës politike. Që të dy ekipet kishin vajtur dhe ardhur në Bruksel duke trumbetuar secila palë në mënyrën e vet, se ata dhe vetëm ata po vepronin në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës, me të ashtuquajturat rezoluta e platforma politike të miratuara në parlamentet përkatëse dhe se vetëm ata ishin dhe janë mbrojtësit dhe përfaqësuesit real të interesave nacionale.

Ndërkohë, pas takimit të stërzgjatur dhe molisës, si Thaçi edhe Daçiqi, dukeshin se i ishin dorëzuar fatit. Më shumë se gërgjelinjëve ballkanas në prag betejash, na rikujtonin figurën e pavdekshme të Servantesit, Sançon e stërlodhur nga lufta me mullinjtë e erës!

Më 20 mars ata dukej se një gjë e kishin të qartë: koha e tyre po perëndon.

Daçiqi ka diçka më shumë arsye të ndjehet i tillë: në Beograd tashmë është paralajmëruar zëvendësimi i tij me politikanin më të fuqishëm serb, Aleksandër Vuçiqin. Ndërkaq, Thaçi është më me fat: ata që e futën në labirintet e politikës, kanë nevojë ende për të, prandaj do t`ia mundësojnë edhe kësaj radhe vetëm ta ndërroj këmishën, siç ka bërë disa herë deri tashti (disi si totemi i mitologjisë ilire -gjarpri) dhe nga gërgjeli i luftës, popullit do t`i prezantohet me burbujë si hero i paqes, disi ngjashëm me vëllamin e tij – Rugovën!

Megjithatë, “fitorja” e Thaçit, siç do të shitet përfundimi i këtyre bisedimeve, më shumë do t`i ngjajë fitores së Pirros. Pavarësisht se me ç`emër do të kurorëzohet kjo marrëveshje, në esencë përpjekjet për federalizimin e Kosovës nuk do të prajnë. Aq më tepër përderisa Thaçi do të jetë në krye të politikës kosovare.

Konkluzioni është i qartë: rënia e tij fillon pikërisht me përfundimin e kësaj marrëveshjeje.