LAJMI I FUNDIT:

Filozof me letra!

Po shprehem nga mllefi, nga frustrimi, nga keqardhja dhe nëse ju mërzitem mos e lexoni, sepse do të filozofoj! Të paktën do të mundohem të shkruaj një qasje rreth filozofisë, të shtroj mendimin tim mbi konceptin e saj.

Të filozofosh do të thotë të ndjekësh të vërtetën, të emanciposh vetveten, idetë dhe mendimet, sjelljen dhe veprimet, krijimtarinë apo kulturën. Një filozof është dikush që dashuron të vërtetën dhe mençurinë, dhe përpiqet të gjejë të vërtetën dhe mençurinë, dhe persona te tillë nevojiten gjithnjë në debate publike dhe diskutime.


Filozofia na mundëson që të kuptojmë realitetin, të krijojmë ide dhe qasje të reja mbi të. Dikush e kupton filozofinë vetëm në formë ideore, vetëm si disipline akademike, ndërsa ajo është edhe praktike, themelore për jetën e njeriut. Kjo për arsye sepse filozofia merret me pyetjet themelore për kuptimin e botës, qenies, Zotit etj.

Këtë e argumenton edhe fakti se filozofet janë angazhuar rreth problemeve të shoqërisë, si ekonomia, mirëqenia sociale apo edhe luftërat. “Gjithçka që nuk me vret mua, më bën më të fortë”, shkruante Niçe.

Sipas Niçe-s, detyra kryesore është te krijojmë një perspektive që e bën jetën më të gjatë. Ne duhet, sipas tij, të zhvillojmë strategji mendore për të përballuar jetën. Ne jemi qenie që mendojmë, e duam apo jo këtë, dhe te menduarit mund të përdoret si një instrument për të zhvilluar perspektiva dhe projekte mendore që e bëjnë jetën një gëzim, edhe ne situata të vështira.

“Me përjashtim të mendimeve tona, nuk ka asgjë absolute në fuqinë tone”, thotë Rene Dekart-i, filozof racionalist i cili me metodën e tij: “Ndani çdo vështirësi në pjesë sa më shumë që është e mundur dhe e nevojshme për të zgjidhur atë”, i ka shërbyer shumë problemeve dhe çështjeve të filozofisë.

Çka do të bësh me filozofi?!

Kjo pyetje mi ngreh nervat, dhe me nerva do të përgjigjem. Sepse kjo pyetje është e marrë, siç edhe shtrohet nga te tillët! Koncepti i filozofisë në Kosove është i përjashtuar nga jeta, edhe më keq është i banalizuar. Nëse dikush flet shumë, për çfarëdo gjëra që diskuton, politik, ekonomi, madje edhe thashetheme, automatikisht do të etiketohet si “filozof”, “filozof me letra”. Edhe nëse diskutimet e tij, janë apo jo konsistente dhe nuk kuptohen fare. Sa e pa përgjegjshme dhe e pavetëdijshme është kjo. Ju mendoni se vetëm të flasësh është filozofi?

Të krijosh ide, mendime, gjykime, argumentime, logjik dhe të gjykosh! Kjo është të filozofuar. Disa nga ju prejudikoni se filozofia nuk qenka progresive e aq me pak krijuese. Vetëm një mendje e ngushtë mund të paragjykoj kështu. Se është progresive këtë e dëshmon historia e saj, ndërsa për të dytën ju marr shembull filozofin gjerman Imanuel Kant, i cili thotë: “Atë që s’e dëshiron për vete, mos ia bëj as tjetrit”. Mbi këtë filozofi është bazuar Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut të vitit 1948.

Më rastis shpeshherë të pyetem se “çfarë do të bëhem kur t’i mbaroj studimet e filozofisë”. (Kjo pyetje mi mbyt mendimet, fjalët dhe perspektiven). Dhe sikur ndjehen me keqardhje për mua, sepse nuk do te kem ardhmëri. O ju “keqardhës” ju përgjigjem me përbuzje, sepse njeriu më përbuzës është njeriu me i larte, thotë Niçe. Ju nuk e keni idenë se çfarë është filozofia. Nuk ju reflekton mendja më larg se hunda, siç thotë populli.

Ju jeni si turma e njerëzve në treg, që nuk kupton asgjë, por vetëm përqesh! Ju nuk keni vesh, për gojën e filozofit! Unë ju lavdëroj, ju ngriti aq lart juve, që një dite ose t’ju rrok bubullima në mendje ose të bini aq poshtë sa të mos ekzistoni më!

Prandaj: ‎”Nëse duhet filozofuar, duhet filozofuar dhe nëse nuk duhet filozofuar, duhet filozofuar; në çdo rast pra duhet filozofuar. Në fakt nëse filozofia ekziston, normalisht jemi të shtyrë për të filozofuar, që nga momenti që ajo ekziston; por nëse nuk ekziston, atëherë jemi të shtyre të kërkojmë arsyen e mosekzistimit të saj, dhe duke kërkuar bëjmë filozofi, që nga momenti që kërkimi është arsyeja dhe origjina e filozofisë”, – Aristoteli. Kjo është përgjigjja ime!!!