LAJMI I FUNDIT:

Fiksioni revolucionar dhe politika

Fiksioni revolucionar dhe politika
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Ky shkrim më shumë ka për qëllim të nxis debat shoqëror, sesa t’i bëjë një ekzaminim antologjik ideve revolucionare. Por, nuk është as ‘pamflet armiqësor’ kundër dikujt. Është thjesht një observim modest mbi mendësinë revolucionare që dikush mund ta asociojë me zhvillimet aktuale politike, kudo ku jetojnë shqiptarët. Tekefundit, diskursi që do ta përdor nuk është i imi, por ai i trajtuar nga filozofët tjerë, që nga Herakliti, Platoni, e deri tek Popperi e në mënyrë të veçantë Habermasi.

Revolucionarët besojnë se ndryshimet e mëdha shoqërore, të nivelit apokaliptik, janë të mundshme. Nëse kjo s’mund të bëhet në mënyrë paqësore, atëherë dhuna është mjeti i fundit për arritjen e qëllimeve politike. Nismat e kësaj mendësie revolucionare mund t’i gjejmë qysh tek Herakliti i cili, i inspiruar nga trazirat e kohës së tij, theksonte se ‘konflikti’ dhe ‘lufta’ janë shtytësit kryesorë të çdo ndryshimi. Për të, vetëm lufta sjellë ndryshimin, ndërsa historia është gjykatësi i vetëm moral i saj.


Ide të ngjashme kanë përdorur Platoni dhe Hegeli, veçanërisht ky i fundit që luftën e ngre në nocionin kryesor të doktrinës dialektike. Ai thoshte se mosmarrëveshjet janë faza e parë luftës, që më vonë reduktohet në dhunë, në gjendje lufte; e gjendja e luftës ia mundëson revolucionarit ta shfaqë ndjenjën e gjithëpushtetshmërisë. Hegeli luftën nuk e shihte veç si domosdoshmëri praktike, por edhe si domosdoshmëri teorike – si ekzigjencë të logjikës.

Por, si e shohin botën revolucionarët?

Popper thoshte se në princip revolucionarët botën e shohin ndryshe – si xhungël që pret veprimin e tyre për të vendosur rend e ligj. Për revolucionarin ndryshimi nuk është proces shoqëror, por akt. Sipas tyre, shoqëria duhet të ndryshojë sot dhe në tërësi, jo në mënyrë graduale dhe pjesë-pjesë. Ata janë të bindur se s’duhet lënë asnjë gurë pa lëvizur deri në çrrënjosjen e plotë të asaj që ata e konceptojnë si e keqja, sepse veç kështu mund të ‘sjellim një lloj mirësie në botë’. Popper po ashtu ka thënë se revolucionarët karakterizohen me radikalizëm ekstrem. Ëndrra e tyre për të ndërtuar botën s’është më e mirë e më racionale sesa kjo që kemi, por për ta ajo s’njeh vuajtje dhe gjoja është e liruar nga shëmtitë!

Të kuptohemi: nuk them se s’duhet ëndërruar, sepse të gjithë vuajmë pak nga ëndrrat e tilla. Por, ky entuziazëm ka vlerë nëse frenohet nga mendimi racional, nga ndjenja e përgjegjësisë dhe nga ndjesia humanitare për të zvogëluar vuajtjet urgjente njerëzore – atë që mund të evitohet sot e jo nesër. Përndryshe mund të jetë fiksion i rrezikshëm që mund të evoluojë në një formë të neurozës dhe histerisë politike.

Në librin e tij “Teoria e veprimit komunikues”, Habermasi flet për dy lloje të arsyetimit apo racionalitetit: arsyetimin emancipues dhe arsyetimin instrumental. Arsyetimi instrumental është arsyetim tipik i revolucionarit, ku çdo veprim bëhet duke kalkuluar dhe duke manipuluar të tjerët. Me fjalë të tjera, një revolucionar mund të veprojë edhe në mënyrë strategjike, por strategjia e tij ka për qëllim të arrijë kryesisht qëllimet e veta dhe të grupit. Ndryshe janë personat me mendësi dhe arsyetim komunikues, që veprimet i orientojnë kah zgjidhja e problemeve dhe konfliktit – përmes kompromisit. Këta të fundit nuk e synojnë vetëm arritjen e suksesit politik, por që t’i harmonizojnë planet e veprimit me pjesëmarrësit tjerë. Kjo përpjekje për konsensus bazohet në njohjen e pretendimeve të dyanshme. Edhe gjuha e tyre është tjetër: s’është përjashtuese e as linçuese, por e butë dhe e urtë – e orientuar kah marrëveshja e konsensusi.

Shkrimin dua ta përfundoj me komunikimin mes kolonelit dhe gruas së tij, tek libri i G. Marquezit, “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”. Gruaja akuzon se ëndrra për gjelin fitues po i merr në qafë të dy, sepse s’kanë çfarë të hanë. Koloneli kërkon durim meqë për të ky gjel s’e ka shokun e se kur vjen fitorja e tij, për tre vjet ka për t’i mbajtur gjallë. Gruaja shprehet se ëndrrat nuk hahen, por koloneli shton se ato “të ngopin”…

Ata që e kanë lexuar librin, e dinë se si e përfundon shkrimtari veprën. Kur gruaja pyet kolonelin se çfarë do të hanë tash, ai kthen: Një mut!