LAJMI I FUNDIT:

Faktorizimi i shqiptarëve – parakusht i integrimit në BE

Faktorizimi i shqiptarëve – parakusht i integrimit në BE

Vendimi për shtyrjen e statusit kandidat për Shqipërinë nga ana e Këshillit Evropian javën që lamë pas, ishte ogur i keq që la një shije të hidhur. Një valë pesimizmi me ngjyresa të “antievropianizmit” shpërtheu kudo, në rrjetet sociale, në portale e media të shkruara e televizive. Tek pas rënies së tensioneve, pasoi gjykimi racional.

Një ditë para takimit të KM të BE-së, vazhdoja të besoja se Shqipëria do të duhej ta merrte statusin e vendit kandidat. Por, në ndërdije më gulonte herë pas herë dufi i dyshimeve. Ky dyshim nuk bazohej tek regjistrimi i popullsisë në Republikën e Shqipërisë që kishte publikuar të dhënat që flisnin se Shqipëria politike ka 57.2 për qind të popullsisë myslimane. Ky dyshim imi disi rritej tek kisha parasysh një të dhënë shtesë që ka të bëjë me shkallën e arsimit dhe ndjeshmërinë kulturore që ka pësuar e po pëson kaq shumë këto vitet e fundit.


Natyrisht se kësaj përqindjeje, meqë jam i prirë që shqiptarët t’i shikoj si komb në përmasat reale të tij, gjithsesi është bukur më e lartë se sa ka prezantuar censusi në Tiranë. Këtë fakt Brukseli e ka të qartë. Por, ndjesia e dyshimeve më rritej sa herë më dilte para syve skena e një salle të mërgimtarëve tanë të shpërfytyruar e trushpërlarë që ishin mbledhur diku në Zvicrën qendrore për të dëgjuar fjalimin e një deputeti të Kuvendit të Kosovës (G.K. nga Partia e Drejtësisë) tek fliste mbi gjoja padrejtësitë që po ju bëka Kosova një kategorie femrash në shkolla, tek ua ndalon bartjen e shamive, dhe si me komandë tek shoqërohej me brohoritjet e sloganeve në kor dhe ritëm pothuajse ushtarak, tipike për demonstrimet e Hamasit, Vëllazërisë Myslimane dhe simotrave të tyre gjithandej në Lindjen Afërt dhe në Azi.

Këto skena gjithsesi Evropën e bëjnë edhe më skeptike ndaj shqiptarëve, ndërkaq klasën politike shqiptare do të duhej definitivisht ta trandin nga ky lloj somnabulizmi politik.

Këto veprime që kanë marrë shtrirje gjithandej në hapësirën tonë, janë pa dyshim shprehje e krizës identitare që ka kapluar një pjesë të popullsisë sonë, e që jam i prirë ta shoh para së gjithash si nusprodukt i dobësimit të paramenduar të arsimit tonë në të gjitha nivelet dhe defunksionalizimit të dy republikave tona.

Në historinë tonë moderne, sa herë që element a pjesë e tërë e kombit i kanë dhënë prioritet fesë përballë kombit, ka pasuar asimilimi trishtues, i dhimbshëm. Në këtë kuadër do shikuar arsyet e asimilimit të përshpejtuar të popullsisë sonë të shpërngulur nga trualli i vet, Shqipëria, drejt brendisë së Perandorisë Osmane, për aq kohë sa ne ishim pjesë e saj. Por, ky trend do të vazhdojë edhe më pas, me valët e shpërnguljeve të planifikuara e të ratifikuara mes Beogradit e Ankarasë që nga viti 1913 e tutje, e do të kulmojë me valët e fundit të shpërnguljeve që rezultoi me boshatisjen e qyteteve të tëra të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare në dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, trajtimi me prioritet i fesë kundruall kombit ishte me përmasa katastrofale edhe për pjesë të tëra të shqiptarëve tanë ortodoksë në Serbi, Maqedoni dhe Greqi.

Por, fakti se një shumicë e ndjeshme e shqiptarëve sot i përkasin religjionit islam, pavarësisht se sa prej tyre janë praktikues të tij, a do të duhej të shihej si pengesa reale për vendime të kësaj natyre të Këshillit Evropian që shtyjnë në kalendrat greke vullnetin politik të shqiptarëve për integrim në BE?
Sigurisht se jo. Fundja brenda BE-së sot jetojnë diku 15-20 milionë qytetarë të besimit islam. Ndërkaq, brenda 2025-ës kjo shifër pritet të dyfishohet.

Por, duke rilexuar intervistën e historianit gjerman Aleksandre Lambert, dhënë mediave tona në përvjetorin e 95-të të Shqipërisë, tek shprehej për sabotimin që i bëri Evropa Shqipërisë dhe kombit shqiptar në shek. XIX, kur e quajti Ilirinë Ballkan, ndërkaq harroi për një çast kontributin e shqiptarëve dhënë civilizimit tonë, vendimi i fundit i Këshillit Evropian për shtyrjen e statusit të vendit kandidat për qershorin e ardhshëm, më duket disi i zbutur!

Ja çka shkruan Profesor Lamberti për kontributin e shqiptarëve dhënë civilizimit tonë ndër shekuj: (…) “Në Mesjetë shqiptarët i kanë dhënë udhëheqësa botës, udhëheqësa laikë ose fetarë dhe personalitete kulturore që i kalojnë kufijtë e Evropës. Disa Papë kanë qenë shqiptarë për shembull – Klementi i XI-të më i dalluari prej tyre. Por, shqiptarët kanë qenë në krye të feve me rëndësi botërore, si në krye të fesë ortodokse ashtu edhe të asaj myslimane. Në histori gjejmë udhëheqës të shquar shqiptarë në shumë vende të Evropës, madje edhe prej atyre që ngandonjëherë kanë përcaktuar fatin e shumë betejave historike (në vitin 1515 qe Merkur Bua me kalorësinë e lehtë të Venedikut, e përbërë e gjithë nga shqiptarë, që përcaktoi fitoren e betejës së Marinjanit, që historia e emëroi beteja e gjigandëve, dhe jo Françesku i I-rë i Francës, 19 vjeç, që ato dy dite beteje mësoi se si luftohet).

Shqiptarët i kanë dhënë shumë kryeministra dhe gjeneralë të shquar Perandorisë Otomane (vetëm familja Qyprili ia dha pesë kryeministra Perandorisë).

Shqiptarët i kanë dhënë shumë heronj të pavarësisë greke prej të cilëve po përmendi Kundurjotisin, Marco Boçarin, Kanarisin, Kolokotronin, Karaiskaqisin, Bubulinën. Ata ishin në udhëheqje të revolucionit grek, prej të cilëve edhe disa kryeministra të shtetit të ri të pavarur grek.

Rumania gjithashtu ka pasur një familje princore me origjinë shqiptare (Aleksandër dhe Vladimir Gjika, si dhe princesha Eleonora e njohur me emrin Dora Distria).

Fraçesko Crispi, shok i Garibaldit, Kavurit e Macinit, që ka qenë një kryeministër i madh Italisë, ishte me origjinë shqiptare.

Piktorë si Carpacci, Albani etj. humanisti Leonic Tome, profesori i Kopernikut, dhe shumë personalitete shqiptare janë nderuar nga historia e Italisë.

Muhamet Aliu, reformatori i Egjiptit Modern, që historia franceze e ka quajtur “ Napoleon i Lindjes së Afërt ”, qe shqiptari që themeloi dinastinë mbretërore të Egjiptit që mbretëroi gati 150 vjet.

Arkitekti i “Taxhmahallit“ në Agra të Indisë, kryevepra e arkitekturës islamike, ishte vepër e një shqiptari, ashtu sikurse edhe ”Xhamia Blu“ e shumë xhami të rëndësishme të Stambollit. Dhe, më në fund, Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një shembull gati universal i luftëtarit të lirisë, i nderuar në botën mbarë me përmendore jo vetëm në Tiranë, Prishtinë e Shkup, po gjithashtu në Romë, Bruksel, Gjenevë, Detroit, Buenos Aires. Të tjera përmendore për Skënderbeun janë projektuar të ngrihen në Londër, Varshavë, Melburn, Manila etj.

Kur shqiptarët kanë kontribuar kaq shumë për qytetërimin e njerëzimit, përse pak njerëz në botë janë të ndërgjegjshëm për këtë, përkundrazi shumë as nuk kanë dashur ta pranojnë këtë realitet?

Duhet thënë se një gjë e tillë shpjegohet edhe nga izolimi relativ, jo pa qëllim i shqiptarëve nga komuniteti ndërkombëtar, dhe në mënyrë të veçantë nga ai evropian, që nga Kongresi i Berlinit e këtej (1878). Në të vërtetë, pas mundjes së turqve në luftën ruso-turke, shtypi ndërkombëtar filloi punën për të injoruar shqiptarët, duke i ndërruar emrin gadishullit të dikurshëm të Ilirisë të banuar që nga kohët parahistorike dhe deri në ditët e sotme nga ilirianët – shqiptarët. Atë e pagëzuan me emrin e ri që ka edhe sot, Gadishulli i Ballkanit, vetëm duke u nisur nga vargu i maleve Ballkan. Përse iu vërsulën shqiptarëve?

Pjesa më e madhe e diplomacisë konservatore evropiane ka përdorur termin pezhorativ “turq“ për t’i cilësuar si turq të gjitha komunitetet myslimane në Ballkan, edhe pse shumica prej tyre nuk janë aspak turq. Evropa ka mbështetur dhe ka zmadhuar tokat e Greqisë, të Serbisë, dhe të Malit të Zi, në kurriz të shqiptarëve. Asnjëra nga fuqitë e mëdha evropiane nuk e ka mbështetur çështjen shqiptare kur shqiptarët krijuan Lidhjen e Prizrenit, për të mbrojtur çështjen e tyre të drejtë kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ata u lanë në baltë nga të gjithë”.

Pavarësisht krejt kësaj historie të lavdishme, është sërish diplomacia konservatore ajo që shqiptarët pretendon t’i trajtojë si “mish i huaj” dhe sërish shpërblen Serbinë…

Këtij veprimi të BE-së ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, Jean-Louis Bourlanges do t’i përgjigjej ironikisht me përfundimet që kishte nxjerr ai për ndeshtrashat me të cilat po përballej procesi i zhvillimit të brendshëm të BE-së. Ironikisht, ai konstatonte se Evropa deri më tashti funksionoi në bazë të tre përbërësve të saj: imagjinatës franceze, përcaktimit gjerman dhe shmangies britanike. Sot, ndërkaq, vazhdonte ai më tutje: jemi dëshmitarë të imagjinatës britanike, përcaktimit francez dhe shmangies gjermane.

Evropa do të duhej të ishte krenare që ta pranojë sa më shpejt në gjirin e saj kombin shqiptar. Gjithashtu, edhe shqiptarët do të duhej të ishin krenarë që ruajtën në gjenin dhe zemrat e tyre shpirtin dhe krenarinë e të qënit evropianë. Klishetë dhe paragjykimet, ky produkt i mendësisë politike konservatore, vogëlsia shpirtërore dhe vese tjera të dobëta, të shprehura sidomos në momente kritike si ky së fundmi, kur iu shty dhënia e statusit të ri të Shqipërisë dhe shqiptarëve në BE, duhet të tejkalohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Për këtë, një pjesë e përgjegjësisë i bie gjithsesi klasës sonë politike, sidomos asaj që kultivoi indiferentizmin në komunikimin politik me Brukselin, ndërkaq në raport me interesat e vendit po sillej në shpërputhje me idetë e etërve të liberalizmit (Xhon Loku), duke shpërfillur faktin se sovraniteti i takon veç popullit dhe kushdo që tenton të veprojë kundër interesave të popullit ai ka të drejtë të ngrihet dhe ta rrëzojë.

Ky tejkalim do të mund të bëhej më i lehtë vetëm duke u faktorizuar shqiptarët. Pa faktorizimin e shqiptarëve në rajon, ndryshimi i qasjes së BE ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve është pothuajse i pamundur.

Vetëm ecja drejt integrimit mes dy republikave tona ekzistuese dhe bashkëpunimi i thellë me Maqedoninë në të gjitha rrafshet, duke u imponuar shqiptarët atje si komb shtetëformues, ndërron ekuilibrin e fuqive të mëdha në dobi të kombit tonë dhe aderimit të tij të meritueshëm në familjen evropiane.

Por, rileximi i intervistës së profesor Lambertit, që mbetet në të gjitha rrafshet aktuale edhe sot, para se të jetë i nevojshëm për shqiptarët, është imediat për diplomatët, politikanët, shkencëtarët, sa edhe për qytetarët e rëndomtë evropianë.

Të gjithë tok do të mësonin arsyet reale përse Shqipëria nuk mori tashti statusin e vendit kandidatë, por edhe përse shqiptarët vazhdojnë të trajtohen kështu si po trajtohen nga një lagje shtetesh që përbëjnë boshtin e BE-së.