LAJMI I FUNDIT:

Etika e mendimit dhe fjalës së lirë publike

I.
Etika e mendimin dhe fjalës së lirë publike, është qëndrim i shprehur me gojë ose me shkrim në mënyrë të artikuluar, dhe rëndom me kulturë të arrirë civilizuese-intelektuale. Kjo lidhet padyshim, qoftë me jetën e zakonshme private, dhe qoftë me diskursin krijues-artistik, me diskursin publik-zyrtar, gjuhësor, medial etj. Etika si filozofi dhe shkencë, daton që nga antika. Por vetë etika si kategori e mendimit dhe e fjalës, e shprehjes, e sjelljes është edhe më kuptimplote kur na duhet të shërbehemi përditë me te, kur na duhet qoftë në jetën private dhe qoftë në jetën publike. Në kuptimin thelborë të këtij shkrimi, gjuhët dhe fjalorët e popujve në botë (disa më shumë e disa më pak), përmbajnë grumbuj fjalësh dhe fjalish që kanë substancë reaguese-injoruese, që kanë substancë fyese-sharëse, që kanë thelb denigrues-mashtrues-akuzues dhe që janë në kundërshtim me diskurset e ndryshme private dhe publike.

Askush, nuk mund ta shpjegoj deri në fund faktin se, pse kemi kësi opusi shprehës gojor dhe shkrimor. Ajo që mund të konstatohet në mënyrë periferike, mbase ka të bëj me faktin se njeriu gjenetikisht dhe fizikisht, disponon në brendinë e tij fizike dhe shpirtërore me grumbullin e sjelljeve dhe të vetive shprehëse që janë sjellje dhe veti disa herë vulgare-të pakontrolluara. Bërthama e këtyre vetive dhe sjelljeve, është e shumëllojshme-heterogjene. Mbi të gjitha njeriu posedon unin e tij, egon, personalitetin, integritetin e që jo rrallë, e kultivon ndanë rregullave dhe sjelljeve normale-të kontrolluara. Por njeriu, ky që e njohim ne, ka bërë përpjekje të vazhdueshme që egon dhe personalitetin e tij ta zhvillojë dhe ta mbrojë sa më shumë, kuptohet brenda një ambientit jetësorë sa më funksional dhe sa më të kontrolluar. “Aoreola” e këtillë, ka shije dhe vlerë të padiskutueshme, por ka edhe të meta. Pra, njeriu disponon me “anën e errët” mendore-shprehëse dhe jo rrallë, prodhon shumë energji negative, reagim, shumë agresivitet dhe urrejtje, antivlerë deri në shkallë ekstreme.


Realisht, “të metat njerëzore” me kohë janë parë si shqetësuese, të dëmshme, jofunksionale prandaj, janë kërkuar vazhdimisht dhe janë gjetur forma, rregulla, korniza, modele, kode, ligje që “ana jonë e errët” të funskionalizohet dhe të mbahet e kontrolluar. Pra, etika për mendimin dhe fjalën e lirë, buron nga ky grumbull përpjekjesh të pandërprera njerëzore që sjelljet dhe vetitë tona, të funksionalizohen, të sistemohen, të kategorizohen ashtu që të mos jenë jo vetëm të dëmshme dhe kaotike, por edhe të mos bëhen bumerang i vetëdijes dhe vetëzhvillimit njerëzorë. Në jetën e përditshme, s’ka dyshim që sot e gjithë kohën mbetet çështje rregullash etike dhe morale, mbetet çështje zakonore dhe ligjore, kulturore, gjuhësore fakti se, s’i e përdorim mendimin dhe gjuhën shprehëse, fjalorin privat dhe publik, grumbullin e fjalëve dhe të fjalive që hyjnë në kategoritë shprehëse me karakter fyes-denigrues, e më gjerë.

Prandaj, si për rendet e rregullimit individual dhe familjar, ashtu edhe për rendet shoqërore, oficiele (si edhe për çdo rend tjetër të organizuar), kërkohet minimumi i sjelljeve normale-njerëzore. Njeriu, posedon shqisa të zhvilluara-superiore në krahasim me qeniet e tjera të gjalla, dhe dihet që kjo është mrekullia natyrore-gjenetike. Pra, njeriu di të mendojë paraprakisht, di t’i kontrollojë sjelljet e veta, di të sfidohet si qenie, di të vetëkontrollohet, të gëzohet, të emocionohet etj. Paradoksalisht, njeriu di edhe të jetë i tmerrshëm me sjelljet dhe vetitë e tij, di të jetë tej mëse agresiv, jo human, di të jetë vrasës dhe terrorizues sikur të ishte jashtëplanetar!

II.
Padyshim, ka pasë dhe ka shtytës të ndryshëm që e dehumanizojnë qenien njerëzore përditë, që e asfiksojnë, që e godasin në forma të ndryshme. Fenomenet siç janë varfëria, sëmundjet, padrejtësitë, mungesa e lirisë shkaktojnë tjetërsime dhe stërkeqje në përmasa të gjera. Dhe, s’do mend që përpjekjet njerëzore janë bërë e bëhen që qenia njerëzore të humanizohet sa më shumë, dhe t’iu shmanget problemeve dhe shkaqeve me pasoja. Këto përpjekje, janë edhe sot: gjithëpërfshirëse. Prandaj, edhe ekzistojnë mësime pa fund, norma, kode, studime në lidhje me psikologjinë dhe filozofinë mendore dhe shprehëse, lidhur me organizimin dhe funksionimin njerëzorë nisur gjithmonë nga nevojat dhe detyrimet që ka prodhuar dhe prodhon vetë jeta njerëzore – e organizuar. Në çdo kuptim, janë krijuar rregulla dhe sanksione që kanalizojnë dhe limitojnë sjelljet njerëzore, sidomos ato publike. Shumësia e këtyre rregullave, fokusi i tyre determinohet në fusha të gjera organizative-zhvilluese gjithandej, që nga lindja jonë.

Porse, etika e mendimit dhe e fjalës së lirë në kontekstin negativ jo pak, është përdorur dhe përdoret si veti dhe sjellje e keqe-agresive e shtyrë apo e yshtur nga egoja e pa edukuar, nga mentaliteti injorant, nga fusha e intereseve të ndryshme etj. Njeriu, kudoqoftë nuk mund të sillet sipas emocioneve dhe epsheve vetiake sa herë që ka nevojë, nuk mund të veproj sipas interesave të shprehura ad-hoc, nuk mund të veprojë ashtu që të mos përgjigjet për veprimet e tij jo të lejueshme dhe në kundërshtim me rregullin dhe ligjin, nuk mund të shprehet në mënyrë agresive-imorale ashtu që të mos sfidohet-të mos përgjigjet. Prandaj sisa shprehje, disa veprime, disa aktivitete që nuk përkojnë me etikën publike, me zakonet dhe me normat ligjore në fuqi, janë të sanksionuara, madje aty-këtu, edhe të ndaluara rreptësisht. Disa të tjera, janë të kanalizuara ashtu që, mund të zbatohen në masë gjysmë të lejuar ose të lejuar fare, por gjithnjë të kornizuara të caktuara përdorimi në vende dhe hapësira të caktuara.

Veprat e ndryshme antimorale-antietike, dënohen me sanksione të ndryshme përkatëse varësisht nga pesha e tyre, nga dimensioni i tyre cenues. Në të kaluarën, kanë ekzistuar norma dhe kode zakonore të ashpra në këtë drejtim. Nuk mund ta cenoni integritetin personal të dikujt, sidomos nga këndi publik dhe të mos shkaktoni asnjë pasojë…! Veprat e ndryshme kundërvajtëse-penale që cenojnë integritetin personal, autoritetin, nacionalitetin, racën dhe që cenojnë të drejtat e tjera të dhëna në shkallë të gjerë kushtetuese-ligjore, po ashtu janë pjesë e trajtimeve ligjore.

Në sistemin demokratikë, liria e mendimit dhe e fjalës është e pakufishme. Edhe sjelljet dhe vetitë, veprimet, lëvizjet janë një grumbull të drejtash të dhëna kushtetuese-ligjore që me të vërtetë, arrijnë një shkallë pothuajse të pakufishme përdorimi. Kjo, ka të bëjë edhe me fokusin e përdorimit të gjuhës dhe të fjalorit të saj. Mirëpo, kësisoj asgjë nuk lejohet që të kalojë në “opusin” e rendit antietik dhe antimoral, në sferën e anarkisë. Pse? Historikisht, në shkallë mendore-shprehëse, një numër fjalësh dhe fjalish nuk ekziston prirja njerëzore që të përdoren pa kufizim. Vetëpërkufzimi apo vetëkontrollimi, është kufiri i parë i njeriut si qenie që të sillet me kujdes dhe me respekt, në ambientin e kudondodhshëm. Morali dhe etika, zakoni, norma, ligji e ndalojnë katrahurën gjuhësore-fyese-damkosëse, sidomos kur kemi parasysh traditat e sjelljeve dhe të vetive të krijuara nga shoqëritë dhe popujt lidhur me idividin, familjen, lidhur me adetet dhe kulturën publike, lidhur me ritet dhe besimet, lidhur me objektet e kultit, me identitetin, me instiucionet etj.

III.
Kohëve të fundit, katrahura gjuhësore-fyese-damkosëse në ambientet tona ( Tiranë, Prishtinë, Shkup), ka filluar të bëhet pjesë e jetës së përditshme, me tendenca për t’u amputuar kudo. Prirjet që një “kulturë” me përplot antivlera dhe fenomene të kontestuara-plangprishëse ta shkallëzohet, duke tentuar të depërtojë edhe në institucione (në media, në shkolla, në institucione publike-shtetërore), absolutisht janë të papranueshme. Këtu, nuk është me rëndësi të potencohet saktësisht se prej nga vijnë, nga kush përdoren, ku përdoren mendimet dhe shprehjet negative, por përfoljet, fyerjet, sharjet, mashtrimet, pështymjet, stërkeqjet, baltosjet po kthehen në mjete të caktuara shprehëse, duke shkaktuar shqetësime dhe frustrime, duke shkaktuar rrënime të kodeve tona historike zakonore dhe ligjore, duke prodhuar kulturë private dhe publike të bastarduar-injorante. Që prej rrugëve dhe kafeneve, e deri te institucioni i Kuvendit, ambienti ynë nuk po prodhon imunitet të bollshëm që të përjashtohet nga vokabulari mendues dhe shprehës korpusi i fjalëve dhe fjalive që torturojnë qenien tonë, hapësirën, etno-psikologjinë, identitetin, familjen, kulturën, gjuhën etj. S’mund të fyeni, të shani, të gënjeni, të injoroni së paku publikisht dhe të bëheni sikur s’po ndodh asgjë, ose edhe më keq, këtë ta bëni në emër të këtij apo atij interesi publik, në emër të këtij apo atij interesi kulturor, nacional, medial, politik etj.

Pse kemi jetë të organizuar…? Pse janë institucionet kompetente…? Nëse gjuha reaguese publike prodhon kulturë destruktive (në emër të sistemit ose kundër tij, në emër të interesit të përgjithshëm ose kundër interesit të përgjithshëm, në emër të filan politikës ose kundër filan politikës etj.), kjo situatë fillon të bëhet bezdisëse, e dyshimtë, kundërproduktive dhe në fund të fundit, fillon të bëhet vetëpenguese. Në ambientin ku jetojmë, kemi interesa të përbashkëta, ashtu siç kemi edhe hise të përbashkëta. “Interesin”, të cilitdo lloji, na e zhvillon dhe mbron ligji. Askush, s’është mbi ligjin. Pra, as ai që fyen – shanë – as ai që fyhet – shahet dhe, anasjelltas. Ligjin, duhet zhvilluar e zbatuar dhe, s’duhet nëpërkëmbur. A s’janë edhe normat etike, morale, zakonore pjesë të ligjit…?