LAJMI I FUNDIT:

A është dhuna rruga për të luftuar Fashizmin?

A është dhuna rruga për të luftuar Fashizmin?

A duhet që manifestimet e neo-Nazistëve dhe supermacistëve të bardhë të përballen me anë të dhunës?

Kjo është çështja e ngritur nga ngjarjet tragjike të Çarlotesvill, Virxhinia, më 12 gusht. Supermacistët e bardhë zhvilluan një protestë ndaj heqjes së planifikuar të statujës së Robert E. Lee, udhëheqësit të ushtrisë së Konfederatës gjatë Luftës Civile të SHBA-së, nga një park publik, Një kundërprotestë u organizua, gjë që u shoqërua me përleshje në rrugë. Një grua, Heather Heyer, u vra dhe 19 njerëz të tjerë u plagosën kur James Fields, një nacionalist i bardhë, përdori makinën e tij për të sulmuar me shpejtësi të lartë një grup kundër-protestuesish.


Në një konferencë për shtyp më vonë, Presidenti Donald Trump tha se “të dyja palët” qenë fajtore për çfarë ndodhi. Barazimi i dukshëm që Trump vendosi mes racistëve dhe kundërshtarëve të racizmit u dënua me fjalët më të ashpra, edhe nga disa Republikanë të rëndësishëm. Natyrisht që nuk mund të ketë shenjë barazimi mes neo-Nazistëve e supermacistëve të bardhë nga njëra anë dhe atyre që kundërshtojnë racizmin nga ana tjetër. Por një lexim më nga afër i transkriptit të komenteve të Trump, sugjeron se një interpretim më dashamirës është i mundshëm.

Në vend që t’i vendoste në të njëjtin nivel racistët dhe anti-racistët, Trump po thoshte se të dyja palët qenë fajtore për dhunën që shpërtheu. Në mbështetje të këtij pretendimi, ai tha se disa nga e majta “erdhën duke mbajtur shkopinj nëpër duar, duke tundur shkopinj,” dhe shtoi: “A kanë ata një problem? Unë mendoj se po.”

Kjo deklaratë sërish injoron faktin se një supermacist i bardhë përdori makinën e tij si një armë, me pasoja vdekjeprurëse. Asgjë e krahasueshme me këtë nuk u bë nga asnjë nga anti-racistët.

Megjithatë, është e vërtetë që, siç raportuan gazetarët që mbuluan këtë ngjarje për The New York Times, disa nga kundërprotestuesit përdorën shkopinj kundër nacionalistëve të bardhë, njëri prej të cilëve iku nga parku ndërkohë që i rridhte gjaku nga koka. Times qe e kujdesshme të theksonte se shumë nga kundërprotestuesit qenë jo të dhunshëm, por në një artikull të më vonë, gazeta përshkroi një rritje të një grupi të shpërndarë të majtish të cilët e quajnë veten “antifa,” një term i shkurtuar nga “antifashizmi,” dhe që janë të gatshëm për të luftuar neo-Nazistët me shkopinj dhe grushte.

Në intervista të ndryshme aktivistët antifa shpjeguan pozicionin e tyre: “Ke nevojë për dhunë për të mbrojtur përpjekjen pa dhunë,” thotë Emily Rose Nauert. “Kjo është çfarë është qartësisht e nevojshme aktualisht. Kjo është në thelb një luftë e plotë.” Antifa të tjerë thonë se nuk është joetike të përdorësh dhunën për të ndalura supermacistët e bardhë, për shkak se ata sakaq, përmes nxitjes së urrejtjes kundër minoriteteve, kanë shkaktuar sulme të dhunshme ndaj individëve të ndryshëm të këtyre grupeve.

Times foli gjithashtu për aktivistët anti-racistë që e refuzojnë dhunën. Ata ndjekin shembullin e formave ngushtësisht të padhunshme të mosbindjes civile që janë përdorur me sukses në lëvizjen për të drejta civile gjatë viteve 1950 dhe 1960, nën udhëheqjen e Martin Luther King. Në kontrast me këtë, mbështetësit antifa thonë se racistët dhe supermacistët nacionalistë nuk janë racionalë, kështu që nuk ka logjikë të përpiqesh t’i bindësh ata se e kanë gabim. Forca fizike është e vetmja gjë që do t’i ndalojë ata.

Le të pranojmë se aktivistët antifa kanë të drejtë mbi irracionalitetin e fanatikëve racistë të vijës së ashpër. Mbetet e vërtetë se në Shtetet e Bashkuara, dhe në vende të tjera ku zgjedhjet janë rruga drejt pushtetit, ekstremi i djathë mund t’i realizojë objektivat e veta vetëm duke fituar votuesit e rrugës së mesme. Edhe nëse shumë nga këto votues nuk janë tërësisht racionalë – shumë pak njerëz janë – ata kanë pak gjasa që të binden nga kauza anti-raciste pasi të shohin se si anti-racistët godasin racistët me shkopinj apo i qëllojnë me shishe uji të mbushura me urinë.

Imazhe të tilla të krijojnë, më shumë se çdo gjë tjetër, idenë se anti-racistët janë huliganë që po kërkojnë sherr. Rezistenca dinjitoze pa dhunë dhe mosbindja civile e disiplinuar janë shumë më të mira si mjete për të demonstruar angazhim etik të sinqertë për një shoqëri më të mirë joraciste, nga sa janë njerëzit me shkopinj.

Rezistenca me dhunë është veçanërisht e rrezikshme në Shtetet e Bashkuara për shkak se disa shtete lejojnë çdokënd që dëshiron të mbajë një armë me vete. Në Çarlotesvill, një numër i madh supermacistësh të bardhë parakaluan nëpër rrugë të veshur me kamuflazh dhe duke mbajtur pushkë gjysmëautomatike sulmi me vete. Nëse aktivistët antifa shkojnë të përballen me racistët me dhunë, a do të jetë e mundur që përleshja të kufizohet te shkopinjtë? Sa kohë do të kalojë para se armët vdekjeprurëse që tashmë shfaqen haptazi të fillojnë të përdoren?

Disa aktivistë antifa e gjejnë origjinën e lëvizjes së vet te grupet që luftuan kundër fashistëve në Europë në vitet 1920 dhe 1930. Në Gjermani, në vitet para se Hitleri të ngjitej në pushtet, paraushtarakët Nazistë Sturmabteilung (Trupat e Sulmit, të njohura gjithashtu si “Këmishëkaftit”), i rrahën, në disa raste deri në vdekje, Hebrenjtë dhe kundërshtarët politikë. Në vetëmbrojtje, të majtët u përgjigjën me milicitë e veta: Luftëtarët e Frontit të Kuq të Partisë Komuniste dhe Fronti i Hekurt i SocialDemokratëve.

Rezultati i kësaj qe një përshkallëzim i dhunës në rrugë dhe një ndjesi, mes publikut të gjerë, se rendi dhe ligji po shkatërroheshin. Shumë filluan të besojnë se një dorë e fortë kërkohej për të rikthyer rendin dhe stabilitetin. Një dorë e fortë qe ekzaktësisht imazhi që Hitleri po përpiqej të krijonte për veten, dhe ndërsa dhuna u përkeqësua, votat e Nazistëve u shtuan. Ne të gjithë e dimë se si vijoi tragjedia pas kësaj.

A është e ekzagjeruar të mendosh se historia mund ta përsërisë veten në këtë mënyrë? Për aktivistët antifa, të cilët shohin dhunën si përgjigje ndaj të djathtës ekstreme, kjo paralele nuk duhet të jetë ekzagjerim. Ata janë personat që po ngrenë paralele historike. Times citoi një aktivist antifa: “Nëse ne thjeshtë tërhiqemi, ne do t’i lejojmë ata të ngrenë një lëvizje, objektivi i të cilës është gjenocidi.” Nëse ky është rreziku me të cilin përballemi, ne duhet të gjejmë një mënyrë më të mirë për të luftuar se sa taktika që kaq qartazi rezulton e dështuar në Gjermani.