LAJMI I FUNDIT:

Engjëjt e bardhë në roje të jetës: Heronjtë ‘e harruar’ të pandemisë

Engjëjt e bardhë në roje të jetës: Heronjtë ‘e harruar’ të pandemisë

Shpesh herë kur vendosim të bëjmë shkrim thjesht dedikuar dikujt apo për një ngjarje, në fillim prezantojmë veten duke treguar me mburrje arritjet ndër vite, arsimin e përfunduar, thirrjet shkencore, etj., duke vendosur një nga fotografitë më të bukura…

Ndërsa unë vendosa të shkruaj si paciente e repartit të Klinikës Infektive në QKUK- Prishtinë, me një foto nga momentet kritike në të cilën jam ndodhur, fotografi e shkrepur nga familjarët e mi…


Arsyeja e këtij shkrimi nuk është të tregoj thjesht çfarë ndodh brenda ambienteve të këtij reparti, por është dedikim për ‘heronjtë’ të cilët pak njihen nga ne.

Në muajin shtator, unë bashkë me dy prindërit e mi u shtruam në spital në gjendje të rëndë nga Covid-19. Arsyeja e sëmundjes së rënduar ka qenë sepse u paraqitëm me vonesë duke neglizhuar këtë armik të padukshëm dhe ende të panjohur. Poashtu, ishim të pa vaksinuar, duke rënë pre e spekulimeve që bëheshin në rrjetet sociale…

Pandemia e paparashikueshme sprovoi të sëmurët, pacientët luftonin me rrethanat e llahtarshme dhe pafuqinë me lëngatën, disa përballeshin me ankthin e të tjerë me ndjenja faji, ndërsa fati i keq me virusin i shtriu në shtratin e vdekjes edhe dy prindërit e mi më shtrenjtë.

Ardhja e paftuar e Covid-19 provoi një herë e më shumë gatishmërinë, vetëmohimin dhe sakrificën e një ekipe të krijuar për të shpëtuar jetë njerëzish; infektologët e repartit Dr.Sci.Linda Ajazaj, Dr.Bahrie Halili, Dr. Blerta Polloshka, specializantët Dr. Arte Maliqi, Dr.Arjanit Bytyçi, që me përkushtimin dhe humanizmin e tyre shpëtonin çdo ditë jetë njerëzish nga kthetrat e vdekjes. Jam aq shumë e detyruar ndaj kujdesit dhe përkushtimit të veçantë të Prof. Dr. Salih Ahmetit, të cilin fillon ta identifikosh për zellin me të cilën e bënë punën si ekspert dhe drejtues klinike, një njeri me vlera të larta profesionale, me zemër të madhe dhe kulturë të rrallë në komunikimin me pacientët e shumtë orë e çast. Falënderime pa fund dhe mirënjohje e thellë, aq sa fjalët janë të varfra t’i shprehin deri në fund, për teknikët dhe infermierët për punën e palodhur dhe përkrahjen e tyre si në aspektin moral dhe atë profesional. Dëshiroj të përmend disa prej tyre të cilët arritën të zënë një vend të veçantë në memorien time, Fitim Havolli, Fetije Kaçuri-Hyseni, Xhevahire Arifi, Ferit Hasani e shumë të tjerë. Do veçoja edhe Prof. Basri Lenjanin, drejtor i Emergjencës, për aftësitë e tij profesionale, zemërgjerësinë dhe shpirtin human e para së gjithash, njeriun e respektuar nga të gjithë.

Këta ekspertë që shihni në foto janë një shtyllë e sistemit të kujdesit shëndetësor. Dhe me gjithë faktin e këtillë, ata janë modestë dhe të vetmuar, askush nuk dëshiron të dallohet, të gjithë pa përjashtim thonë se forca e tyre qëndron te ekipi, se pa të nuk mund të ekzistojnë.

Askush nuk shkonte në shtëpi pa u kujdesur për të gjithë pacientët. Frikën dhe shqetësimet e tyre i ndrydhin pas kostumeve mbrojtëse, pas profesionit të tyre, për të cilin thonë se është jeta e tyre. Disa prej ditësh nuk dilnin nga klinika, disa prej kohësh nuk i kanë përqafuar fëmijët e tyre. Ata janë aty për të gjithë ne dhe kur dëgjoni në biseda se sa emocione dhe në çfarë komuniteti funksionojnë, ndiheni të sigurt, të mbrojtur. Çfarëdo që të ndodhë, ata do të jenë aty, në vijën e parë dhe do të bëjnë gjithçka për t’u kujdesur për ne dhe për të ndihmuar.

Të rraskapitur dhe të lodhur, mijëra heronj që shpëtojnë jetë, largohen pas kujdestarive të gjata, për t’u këndellur për një kohë të shkurtër. Ata nuk mund t’i fshehin para familjeve të tyre rrudhat që u janë vizatuar në fytyra nga maskat dhe syzet e tyre. Madje as trupa të dehur me skafandra. Ata nuk mund t’i fshehin ato vragë, dhe ato, edhe më të thella dhe më këmbëngulëse në shpirt. Meqë ra fjala, ata pyesin veten: çfarë sollën në shtëpi. Të shohësh frikë në sytë e një pacienti të sëmurë, trishtim, pasiguri, shpresë dhe dëshirë është pjesë përbërëse e përditshmërisë së tyre.

Në rrethana të zakonshme, këta ekspertë për vite të tëra u nënvlerësuan, sistemi gjithmonë i anashkalonte kur ishte fjala për shpërblimin e punës dhe angazhimit të tyre. Por kjo është një mundësi që shteti të shohë, të ndryshojë diçka, t’u japë këtyre shpëtimtarëve, në çdo kuptim, rëndësinë që meritojnë.

Këta shpëtimtarë janë heronjtë e situatës që na ndodhi dhe ky është kontributi ynë i vogël për t’u shprehur mirënjohjen tonë, për të mësuar nga shembujt e tyre se çfarë janë guximi, optimizmi dhe mbështetja reciproke. Të gjithë ata këto ditë nuk po thonë se nuk duan dhe nuk munden. Të gjithë pyesin se çfarë duhet, kur është e nevojshme dhe sa duhet.

Kjo është një situatë në të cilën vlera e vërtetë e mjekëve, infermierëve dhe teknikëve është treguar maksimalisht… Dhe ne u themi atyre – faleminderit!

Dua ta mbyll këtu me një mësim të madh nga përvoja e dhimbshme që kalova duke ju ftuar që të bëni të gjitha përpjekjet për të vlerësuar rrezikun që paraqet ky virus, por edhe për të vetëdijesuar ata që përhapin opinione të dëmshme duke ndikuar në çoroditjen dhe nënvlerësimin e situatës.

Me respekt,
Mimoza.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori